Nisur nga shqetësimet e vazhdueshme të industrive vendore, konfindustria i kërkon qeverisë të ndërhyjë dhe të ulë çmimet e karburanteve dhe energjisë elektrike për biznesin e qytetarët shqiptarë në nivele të paktën të krahasueshme me vendet e Rajonit.
“Cilësia e dobët dhe çmimet e larta të karburanteve dhe energjisë elektrike janë pengesë kryesore për zhvillimin ekonomik, biznesin dhe mirëqënien e qytetarëve shqiptarë. Mjaft shqetësuese është prania e zgjeruar e kompanive “guackë” të regjistruar në parajsa fiskale të pranishëm sidomos në sektorin strategjik të karburanteve”, theksohet në një njoftim për media të Konfindustrisë.
Tregjet e karburanteve dhe energjisë elektrike kanë një qarkullim vjetor të përbashkët prej mbi 1.7 miliardë dollarë dhe janë më kryesorët, duke kapur afër 15% të PBB/Prodhimit të Brendshëm Bruto të ekonomisë. Treguesi më i qartë i gjendjes së papranueshme të ndërtimit të tregut të karburanteve në Shqipëri është mungesa e plotë e pranisë së markave ndërkombëtare, sipas Konfindustrisë.
Kërkesa e Konfindustrisë vjen për faktin se Shqipëria sipas saj, radhitet në 25 vendet e para në botë dhe nga më të lartët në Europë për çmimin dhe njëkohësisht ndër vendet me cilësi tepër të ulët të karburanteve në qarkullim. Ndërkohë, çmimi i energjisë elektrike për biznesin në Shqipëri është më i larti në Rajon.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto