Ju keni studiuar për disa vite, fenomenin e migrimit të shqiptarëve. Përpjekjet e tyre për riintegrim në Shqipëri? Çfarë ka ndodhur, në veçanti me rikthimin e emgrantëve, së pari nga Greqia, dhe së fundi nga Gjermania?
Po është e vërtetë, janë dy forma të ndryshme rikthimi dhe kanë në thelb motive të ndryshme. Veç kësaj një ndryshim thelbësor qëndron dhe në procesin e riintegrimit pasi kthehen në vendin e origjinës.
Cili është fenomeni i emigrimit grek, rikthimit nga Greqia?
Kriza ekonomike ndërkombëtare e vitit 2008 preku më shumë pjesën juglindore të Europës, ku veçojmë Greqinë dhe Italinë. Pasojat më të rënda, kriza ekonomike i pati në sektorët e ndërtimit dhe industrisë së rëndë, duke çuar në mbylljen e mjaft aktiviteteve, ristrukturim të tregut të punës, fleksibilitet të kontratave dhe marrëdhënieve në punë si dhe rritjen e konsiderueshme të nivelit të papunësisë. Të parët që humbën vendet e punës, sigurinë sociale dhe atë ekonomike ishin emigrantët.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 51 të numrit 16 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 16 të saj.
Një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë në Greqi mbetën pa punë, shpesh pa dokumenta dhe ishin të detyruar të riktheheshin në Shqipëri. Sipas Institutit të Statistikave (2013) rreth 70% e të kthyerve ishin meshkuj, ç’ka tregon se rikthimet nuk kanë qenë gjithmonë familjare por kryesisht individuale, duke u shoqëruar shpesh dhe me probleme sociale dhe psikologjike. Rikthimi ka qenë i vështirë e plot me sfida, ndërkohë që riintegrimi jo gjithmonë është arritur. Këta persona kthehen pas shumë vitesh largimi dhe shkëputje nga shoqëria shqiptare, shpeshherë mbi 25 vjet. Fëmijët e tyre flasin pak ose aspak shqip. Rrjetet e tyre familjare dhe shoqërore nuk janë më ose kanë ndryshuar.
Një pjesë e mirë vendosen në Tiranë duke shpresuar që aty do ketë më shumë mundësi adaptimi dhe pune. Ata kthehen me idenë që të investojnë në hapjen e një biznesi në Shqipëri apo investimi të kapitalit human dhe njerëzor që kanë mbledhur gjatë viteve të emigrimit. Investimet më të përhapura janë kryesisht në hapjen e restoranteve dhe fast food të stilit grek, parukeri apo dhe shërbime të tjera. Këto investime jo gjithmonë të suksesshme, duke i lënë të rikthyerit të zhgënjyer dhe pa shpresë.
Pothuajse të gjithë shprehen që nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti gjatë procesit të riintegrimit, përkundrazi janë penguar të investojnë për hapjen e bizneseve të tyre. Në momentin kur nuk ia kanë dalë kanë tentuar të largohen përsëri nga vendi, këtë herë si azilantë drejt shteteve më të zhvilluara si Gjermania apo shtetet nordike.
Kështu kalojmë tek azilkërkuesit në Gjermani. Cilat janë gjetjet tuaja tek kjo pjesë e fenomenit?
Migrimi i shqiptarëve si azilkërkues në Gjermani është një proces ende i pa hulumtuar siç duhet, sidomos nga pikëpamja akademike. Interesante në këtë proces është fakti i surprizës, një fenomen që vështirë t’i bashkangjiten motive të arikuluara. Sigurisht që ka motive personale e familjare për njerëzit që ikin, por nuk ka motive konkrete dhe të qarta për transformimin në një fluks largimesh, si flukset që kemi përjetuar në 1991 apo 1998.
Ndryshe nga vala e refugjatëve Sirianë apo nga vende të tjera në konflikt, të cilët qartësisht dihet përse largohen (megjithë retorikat e mediave, që shpesh i konsiderojnë si migrantë ekonomikë). Në rastin e Shqipërisë, por dhe të Kosovës, largimet janë të lidhura kryesisht me arsyet ekonomike. Nuk ka largime për motive konflikti apo për t’i shpëtuar luftës, logjikisht pasi nuk ka të tilla.
Ka dy skenarë të prezantuar në media që lidhen me motivacionet apo faktorët që kanë çuar në këto largime të organizuara. I pari është i lidhur me ndikimin që ka patur shpërndarja e informacionit mbi nevojën e disa vendeve europiane për forcë punëtore të kualifikuara, kryesisht Gjermania. Nëse kujtoni në fillimet e largimeve, njerëzit kanë qenë të organizuar në grupe, me autobuzë apo mjete të tjera dhe nuk ka qenë lëvizje individuale dhe sporadike. Madje në ato fillime ka patur në qarkullim dhe disa teori ‘konspirative’ të organizimit të largimeve nga instanca politike për të dëmtuar partinë në pushtet.
Skenari i dytë, më zyrtar dhe i shprehur herët edhe nga Kryeministri në media, është ai i lidhur më ri-qarkullimin e migrantëve të kthyer, kryesisht nga Greqia. Kjo u theksua dhe nga media ndërkombëtare si BBC apo Independent Balkan News Agency. Mendohet se migrimi i kthimit, pra kthimi i individëve që humbën punët e tyre në Greqi e Itali për shkak të krizës ekonomike ka stimuluar dhe nxitur ri-emigrimin e tyre në vende të tjera më të zhvilluara. Kjo e shkaktuar kryesisht nga vështirësitë e riintegrimit të këtij grupi në vendin e origjinës duke i shtyrë ata drejt një largimi të dytë.
Me këtë retorikë, Kryeministri ka mbrojtur dhe pozitat e tij dhe të situatës ekonomike të vendit duke theksuar që vala e azilkërkuesve nuk është e lidhur me problemet ekonomike dhe nivelin e papunësisë në vend por me vështirësitë për t’u përshtatur, të një komuniteti që prej vitesh është larguar nga Shqipëria dhe që i detyruar nga kriza ekonomike u rikthye.
Për vitin 2015, shqiptarët në Gjermani qëndronin në vendin e katërt për nivel të azilkërkuesve ndërsa shqiptarët e Kosovës në vend të dytë (Guy Delauney for BBC News, 8 Shtator 2015). Duhet theksuar se ka një rritje të konsiderueshmë krahasuar me vitin 2014. Pas vitit 2016 kemi ulje të konsiderueshme të largimeve ndërkohë që kthimet janë të shumta, kryesisht si rezultat i mohimit të statusit të refugjatit nga instancat përkatëse në vendet ku ata kanë bërë kërkesat.
Çfarë ndodh në momentin e rikthimit, a kemi struktura riintegrimi?
Rikthimi i migrantëve dhe i azilkërkuesve shoqërohet me disa probleme siç janë pasiguria fizike, pasiguria sociale dhe psikologjike, pasiguri materiale, legale etj. Pas fluksit të rikthimeve të emigrantëve shqiptarë kryesisht nga Greqia, u përpilua dhe një strategji riintegrimi në nivel kombëtar, strategji që përfundoi në vitin 2016 dhe nuk u shoqërua nga një tjetër. Për fat të keq, kjo strategji nuk ishte rezultative dhe nuk pati ndikimin e duhur te emigrantët e kthyer, madje shumica e tyre as nuk ishin në djeni të një strategje të tillë. Në përgjithësi, procesit të riintegrimit duhet t’i kushtohet më shumë rëndësi në pikpamje të qëndrueshmërisë, pra që riintegrimi të jetë afatgjatë dhe i qëndrueshëm dhe jo sporadik dhe afatshkurtër. Që të arrihet një integrim i qëndrueshëm duhen përmbushur shumë detyra dhe mbajtur në konsideratë shumë elementë – me kuptim për situatën në Shqipëri do kishte rivitalizimi i ekonomisë, krijimi i vendeve të punës, një ristrukturim dhe përshtatje e sistemit arsimor, por edhe atij shëndetësor, rritje e besimit te strukturat shtetërore etj.
Kush rezulton se po has më shumë vështirësi për t’u riintegruar në Shqipëri?
Vështirësitë më të mëdha në procesin e riintegrimit, për mendimin tim, i kanë shfaqur migrantët e kthyer nga Greqia. Kjo për vetë faktin e kthimit pas një kohe të gjatë ku tashmë vendi i origjinës është kthyer në një vend të huaj. Shpesh e kanë thënë dhe me gojën e tyre “ndihemi të huaj në vendin tonë”. Rikthimi i azilantëve sigurisht është traumatik, sidomos nga pikëpamja ekonomike, pasi shpesh përpara largimit familjet shesin gjithçka me qëllimin që të paguajnë udhëtimin. Gjithsesi largimet e tyre nuk zgjasin më shumë se dy vjet ç’ka e bën më të lehtë përshtatjen pas kthimit. Zhgënjimi, humbja e shpresës dhe dëshira për t’u larguar përsëri janë elemente që hasen te të dy grupet.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 27 të numrit 16 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 16 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.