Në një njoftim të saj, Banka ka theksuar se do të vazhdojë të analizojë strukturën e parasë në qarkullim dhe elementët teknike të dizenjos së kartëmonedhave shqiptare, kryesisht në aspektin e sigurisë. Këto analiza kanë rezultuar në nevojën që ekonomia ka për emetimin e prerjes 10.000 lekë.
Banka vëren se do të rrisë aftësinë e saj në fushën e parandalimit dhe mbrojtjes së monedhave nga falsifikimi. Në këtë drejtim, do të punohet në marrëveshje me autoritetet kombëtare dhe europiane për këtë qëllim. Në të njëjtën kohë, BSH vëren se do të plotësojë kuadrin ligjor dhe rregullativ sipas kërkesave të legjislacionit të Bashkimit Europian. Me përmirësimin e kapaciteteve teknike synohet rritja e kapaciteteve administrative të Qendrës Kombëtare të Analizës.
Banka e Shqipërisë do të forcojë praktikat e kontrollit dhe masat e mbrojtjes fizike që garantojnë sigurinë dhe pacenueshmërinë e vlerave monetare që ajo administron, në funksion të emisionit dhe thesarit, në përputhje me praktikat më të mira të fushës. Kjo do të realizohet përmes rishikimit – sa herë që është e nevojshme – të rregullave dhe procedurave të administrimit të vlerave, me qëllim përsosjen e tyre dhe sigurimin e standardeve të cilësisë së parasë në qarkullim, si dhe përmirësimin e mjediseve të depozitimit dhe ruajtjes së tyre.
Mbajtja e cilësisë së kartmonedhave në nivele të kënaqshme do të realizohet nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm të proceseve të automatizuara të përpunimit, paketimit dhe shkatërrimit të kartëmonedhave në Qendrën e Cash-it. Në këtë kuadër, synohet zëvendësimi i sistemeve të vjetra të përpunimit me sisteme bashkëkohore të përdorura në bankat qendrore europiane, si dhe zëvendësimi i sistemit aktual informatik të administrimit të cash-it me një program të ri bashkëkohor.
Lexoni:https://businessmag.al/kartmonedha-10000-leke-asdrenin-dhe-nje-varg-te-himnit-kombetar/
Tematika e kartmonedhës
Pak muaj më parë, Banka e Shqipërisë miratoi tematikën që do të pasqyrohet në kartmonedhën shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10000 lekë. Kjo kartmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit Kombëtar”, si dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”, që njihet edhe si HIMNI I FLAMURIT “Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim”. Krahas kësaj, u miratuan tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.