Për të folur më shumë rreth lojës, pjesëmarrjes së tij në “Do you have an idea?” dhe planeve për të ardhmen, Business Magazine pati kënaqësinë të zhvillonte këtë intervistë ekskluzive.
Lexoni: Loja e projektuar nga një baba për të rikrijuar vitet e fundit të djalit të tij të sëmurë me kancer
BM: Përshëndetje Ëngjëll. Së pari mund të na bëni një përshkrim të shkurtër të vetes tuaj?
Ë: Përshëndetje, me shumë kënaqësi. Unë jam nga Kavaja dhe jam i diplomuar për Informatikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Jam 25 vjeç dhe prej dy vitesh kam hapur një biznes ku jam dhe drejtori ekzekutiv, UnniTech sh.p.k, i cili operon në industrinë software. Tek UnniTech ofrojmë konsulencë teknologjike për bizneset, identifikojmë nevojat teknologjike të bizneseve dhe implementojmë zgjidhjen më adapte.
BM: Ju ishit ndër konkurentët e parë në “Do you have an idea?”. Çfarë përshtypjesh iu la ky emision?
Ë: “Do you have an idea?” është një format televiziv interesant. Duke qenë se jam një sipërmarrës, çdo aktivitet i cili promovon sipërmarrjen në çfarëdolloj forme mua më pelqen. Pavarësisht kësaj, mbetem skeptik në parim për këto aktivitete, pasi mendoj se kemi një ekosistem sipërmarrjeje shumë të çalë. Gjithashtu, duke qenë se personalisht e di mundin dhe sforcon që kërkon një biznes i ri, druaj se aktivitete të tilla kanë tendencën të krijojnë / promovojnë “sipërmarrës fallco” më shumë se sipërmarrës real.
BM: Ishte hera e parë që e prezantonit idenë tuaj? Çfarë iu shtyu të bëheshit pjesë e “Do you have an idea”?
Ë: Jo, ideja e prezantuar në “Do you have an idea?” është një ide e cila është prezantuar në disa raste. Në “Balkan Venture Forum” kur u zhvillua në Tiranë, me nismën e Hekovnik në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, si dhe në “Pirate Summit”. Prezantimi më me sukses ishte në Pirate Summit pasi fituam konkurimin në Tiranë dhe prezantuam së bashku me Dentem në Keln. Duhet theksuar se ishim ndër 72 startup-et fituese në botë që prezantonim në Keln nga mbi 1000 startup-e aplikuese.
Lexoni: Dentem – Startup-i shqiptar në rrugën e tij drejt suksesit në tregun global!
BM: Shkurtimisht në çfarë konsiston ideja juaj e biznesit? A është funksional ai apo është ende në zhvillim?
Ë: Ideja e biznesit konsiston në krijimin e një platforme dixhitale, e quajtur “Amakids” e cila do të ndihmojë fëmijët të mësojnë duke luajtur. Kjo platformë është ideuar të jetë një lojë, e cila do të japë module të ndryshme mësimore për fëmijët nga mosha nga 7 deri në 15 vjeç. Si një inovacion jo vetëm lokal, do të theksoja edhe mundësinë e platformës për t’u përdorur dhe nga fëmijë me shikim të kufizuar. Projekti nuk është funksional dhe aktualisht nuk është në zhvillim.
BM: Nga ka ardhur ideja për një sipërmarrje me impakt social për shoqërinë?
Ë: Ishte një moment kur u prezantova me këtë problem dhe më erdhi në mendje kjo zgjidhje.
BM: Cilat janë benefitet që sjell ky projekt dhe kujt i vjen në ndihmë ai?
Ë: Ky projekt ndihmon fëmijët të mësojnë dhe të argëtohen njëkohësisht. Impakt më të madh ky projekt ka mbi fëmijët me shikim të kufizuar, pasi ata argëtimin dhe mësimdhënien i kanë më problem se sa fëmijët normal.
BM: A ka ndonjë projekt të ngjashëm me tuajin? Nëse po, cili është avantazhi juaj?
Ë: Aktualisht në treg global, mesa jam i informuar, zgjidhjet që ofrohen janë zgjidhje që i afrohen “Amakids” por asnjëra nuk është konkretisht si ajo. Ka lojëra mësimdhënese, ka dhe lojëra për argëtimin e personave me shikim të kufizuar. Një lojë e cila do t’i përmbajë të dyja aktualisht nuk ka.
BM: A është ofruar dikush që të investojë ose sponsorizojë idenë tuaj përveç anëtarëve të jurisë?
Ë: Aktualisht ka patur njerëz që kanë patur dëshirë të investojnë kohë dhe mund në këtë projekt. Persona që të bëjnë një investim në kapital deri në këtë moment nuk ka patur.
Lexoni: Iluzioni i Silicon Valley
BM: Çfarë planesh keni për të ardhmen e biznesit? A do vazhdoni ta zhvilloni projektin tuaj?
Ë: Unë jam një sipërmarrës dhe jam gjithmonë shumë fleksibël. Aktualisht nuk kam në plan ta vazhdoj këtë projekt, por nëse në një të ardhme e shikoj të arsyeshme pse jo? Nuk i dihet asnjëherë si zhvillohet tregu, duhet gjithmonë të jesh pararojë.
BM: Faleminderit për intervistën dhe suksese!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.