Robotët që po hyjnë në jetën e përditshme, që nga sallat e operacionit e deri tek pajisjet shtëpiake, funksionojnë përmes lidhjes me internetin dhe për këtë arsye mund të rrezikohen nga ndërhyrjet e hakerëve.
Robotët po hyjnë në çdo aspekt të jetës së përditshme.
Në aeroportin ndërkombëtar “Incheon” në Korenë e Jugut, robotët ndihmojnë udhëtarët me informacion të nevojshëm dhe i shoqërojnë në korridoret e gjata për të gjetur vendin e nisjes.
Në sallat e operacioneve në spitale, pajisje të sofistikuara robotike do të fillojnë së shpejti të kryejnë operacione që kërkojnë lëvizje tepër precize që janë të vështira për t’u realizuar nga njerëzit.
Të gjitha këto pajisje mbështeten në udhëzime të formuluara me kodim tek të cilat mund të ndërhyjnë krijuesit e tyre. Për fat të keq, edhe hakerët me synime të këqija mund të kenë qasje në këto kode.
“Këta janë elemente me rëndësi kritike dhe ne duhet t’i kuptojmë shqetësimet e sigurisë që në fillim dhe t’i bëjmë planet duke pasur parasysh këto rreziqe dhe jo të marrim masa më pas, pasi të ndërmerren sulmet ndaj atyre sistemeve”, thotë Carsten Maple, i Universitetit të Uoruikut.
Ekspertët thonë se mbrojtja nuk do të vijë nga një teknologji e vetme dhe se ndërtuesit e robotëve dhe makinerive të tjera duhet të mendojnë për mekanizma mbrojtëse, kur i krijojnë ato.
“Ne gradualisht ndërtojmë teknologji së bashku për të krijuar robotë, por këta robotë janë pjesë e një infrastrukture inteligjente dhe është vërtet e rëndësishme që të gjithë këta elementë të jenë të siguruar. Prandaj duhet të punojmë për sigurinë e sistemeve të integruara”, thotë Chris Melhuish, i Universitetit Bristol.
Sipas ekspertëve, një nga metodat më të mira për mbrojtjen e sistemeve të kompjuterëve nga hakerët është ruajtja e memories kompjuterike. Nëse të dhënat bazë i ke të mbrojtura, depërtimi në të dhëna e memories kompjuterike mund të bëhet, por pa aftësi përpunimi.
“Kjo nuk do të thotë se po pakëson shanset e sulmeve, por po pakëson pasojat sepse do të thotë se mund të reagosh shumë më shpejt”, thotë zoti Maple.
Ndërsa çështja e përpunimit të të dhënave bëhet gjithnjë e më e rëndësishme, kompanitë mund të përfitojnë më shumë nëse investojnë më shumë në rritjen e sigurisë ndaj hakerëve të produkteve të reja që në fazën e ndërtimit të tyre.
burimi: Koha.net
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.