Një studim i ri global nga Anthropic hedh dritë mbi marrëdhënien gjithnjë e më komplekse mes njerëzve dhe inteligjencës artificiale: ajo që përdoruesit e duan më shumë, është pikërisht ajo që i tremb më shumë. Kompania intervistoi mbi 80,000 persona nga 159 vende – një nga studimet cilësore më të mëdha të realizuara ndonjëherë në këtë fushë – dhe përfundimi është i qartë: marrëdhënia me AI është një ekuilibër i brishtë mes përfitimeve dhe pasigurive.
AI si mbështetje… dhe si rrezik
Nga përdorues që gjejnë ngushëllim emocional gjatë luftës, tek prindër që arrijnë të kalojnë më shumë kohë me familjen falë automatizimit të punës, AI po shndërrohet në një mjet jetik në përditshmëri.
Por ky rol ka edhe anën e tij të errët. Studimi identifikon fenomenin e quajtur “light and shade” (dritë dhe hije): njerëzit që e përdorin AI për mbështetje emocionale janë tre herë më të prirur të kenë frikë nga varësia ndaj saj.
Një rast konkret është ai i një punonjësi në Ukrainë, i cili përmes AI krijoi një mjet komunikimi tekst-në-zë që i mundëson të komunikojë në kohë reale , diçka që më parë e konsideronte të pamundur.
Produktivitet më i lartë, por me një kosto të padukshme
Në vendin e punës, përdoruesit e shohin AI si një mjet për të automatizuar detyrat dhe për të çliruar kohë për gjëra më të rëndësishme. Kur pyeten se çfarë fitojnë realisht, përgjigjja më e zakonshme nuk është karriera, por koha me familjen.
Megjithatë, ky avantazh shoqërohet me një shqetësim të thellë: humbja e aftësive mendore.
Një avokat në Izrael shprehet se përdor AI për të analizuar kontrata dhe për të kursyer kohë, por njëkohësisht pyet veten nëse po humbet aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur. Studimi tregon se juristët janë ndër grupet më të ekspozuara ndaj këtij “dyzimi”: ata përfitojnë shumë nga AI, por edhe përballen shpesh me pasaktësi dhe pasiguri në vendimmarrje.
Frikërat kryesore: nga pasaktësia te humbja e vendeve të punës
Ndërsa vetëm 11% e të anketuarve deklarojnë se nuk kanë asnjë frikë nga AI, pjesa tjetër identifikon pesë shqetësime kryesore:
Pasaktësia dhe vendimet e gabuara (27%)
Ndikimi në punësim dhe ekonomi (22%)
Vendimmarrja pa mbikëqyrje njerëzore (22%)
Humbja e mendimit kritik (16%)
Mungesa e rregullimit dhe përgjegjësisë (15%)
Interesante është se, edhe pse 22% e përdoruesve e shohin AI si një mjet që përmirëson vendimmarrjen, një përqindje më e lartë shqetësohet për të kundërtën.
Një botë e ndarë në perceptimin për AI
Globalisht, 67% e të anketuarve kanë një qëndrim pozitiv ndaj Inteligjencës Artificiale, por perceptimet ndryshojnë ndjeshëm sipas rajonit.
Në Amerikën e Veriut, Europën Perëndimore dhe Oqeaninë, shqetësimet kryesore lidhen me mungesën e rregullimit, mbikëqyrjen dhe privatësinë.
Ndërkohë, në Afrikën Sub-Sahariane, Amerikën Latine dhe Azinë Jugore, AI shihet si një “barazues ekonomik”, që u jep mundësi njerëzve të ndërtojnë karrierë dhe të kenë akses në arsim.
Një përdorues nga Kameruni shprehet se përmes AI ka arritur të zhvillojë aftësi në disa fusha njëkohësisht, nga siguria kibernetike te marketingu dhe menaxhimi i projekteve duke e konsideruar teknologjinë si një levë transformuese.
Në Azinë Lindore, shqetësimi kryesor nuk është kush kontrollon AI, por ndikimi i saj në “atrofinë” njohëse – pra dobësimin gradual të aftësive mendore.
E ardhmja e AI: midis optimizmit dhe pasigurisë
Studimi tregon një prirje të qartë: në vendet më të zhvilluara, ku AI tashmë është pjesë e përditshmërisë në punë, njerëzit janë më të shqetësuar për humbjen e vendeve të punës.
Në vendet në zhvillim, ku AI ende nuk ka depërtuar plotësisht në tregun e punës, pritshmëritë janë më optimiste dhe shqetësimet më të ulëta.
Për Anthropic, këto gjetje do të shërbejnë për të orientuar zhvillimin e mëtejshëm të chatbot-it të saj, duke reflektuar nevojat reale dhe frikërat e përdoruesve. Në fund, mesazhi është i qartë: Inteligjenca Artificiale nuk është thjesht një mjet teknologjik, por një transformim i thellë njerëzor, që po riformëson mënyrën se si punojmë, mendojmë dhe jetojmë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto