Cilët janë sektorët që po vuajnë nga mbi-investimet në Shqipëri? - Business Magazine Albania

Cilët janë sektorët që po vuajnë nga mbi-investimet në Shqipëri?


Teksa ekonomia shqiptare është duke u rritur nën potencial, shumë sektorë po vuajnë nga mbiinvestimet e larta. Disa linja të tregut kanë investuar aq shumë në zgjerimin e kapaciteteve të prodhimit dhe depozitimit, saqë edhe një rikthim hipotetik i vrullshëm i konsumit si para krizës nuk do të shfrytëzonte tërësisht potencialet e tyre. Superinvestimet erdhën nga zhvillimet e shpejta të disa sektorëve brenda një kohe të shkurtër, të tilla si ndërtimi dhe zinxhiri që lidhet me të dhe nga konkurrenca e pakontrolluar ndërmjet operatorëve në linja të tjera të prodhimit dhe shërbimeve.

Kriza e ekonomike e 2008-s e ka sjellë ekonominë shqiptare në një normalitet të ri, ku rritja ekonomike e para gjashtë viteve (6%) as nuk mund të ëndërrohet dhe mbajtja e konsumit mbi zero konsiderohet zhvillim pozitiv. Në këto kushte, as kapacitetet normale të investimeve nuk po shfrytëzohen. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti, norma shfrytëzimit të investimeve ishte 66.3 me ulje 9% në krahasim me 2011, sipas raportimeve nga Banka e Shqipërisë. Edhe gjatë periudhës së “artë”, 2007-2008, norma e shfrytëzimit të investimeve nuk ka qenë më shumë se 76%.

Banka e Shqipërisë dhe ekspertët e saj shpjegojnë se përdorimi i dobët i kapaciteteve është sinjali më i qartë për rritjen e dobët ekonomike në periudhën afatmesme. Rritja e hendekut të prodhimit lajmëron se ekonomia nuk ka nevojë për investime të reja dhe vende pune shtesë në një hark kohor trevjeçar. Nga këto ngjarje, zhvillimet ekonomike duket se kanë rënë në rreth vicioz, pasi mosshfrytëzimi i kapaciteteve është bërë shkak për dobësitë në konsum, i cili nga ana e vet, po i kthehet biznesit në bumerang për shitjen e produkteve. Mosshitja e produkteve nuk gjeneron të ardhura dhe për pasojë, biznesi nuk ka nevojë të rrisë prodhimin.

350 mln euro mbi investimet në depozitat e karburanteve

Vetëm sektori i naftës llogarit 350 milionë euro mbiinvestime në linjat e depozitimit. Këto vlera monetare tashmë të investuara nuk po shfrytëzohen. Të nxitur nga disa projekte të mëdha energjetike të prezantuara nga ish-qeveria Berisha para viteve 2008, tregtarët e mëdhenj të karburanteve rritën kapacitetet depozituese. Luigj Aliaj, nga Shoqata e Hidrokarbureve, pohon se depozitat e sektorit privat të hidrokarbureve janë aktualisht të mjaftueshme për të rezervuar 820 mijë tonë. Konsumi i hidrokarbureve në një vit llogaritet në mes 550 dhe 600 mijë tonëve. Aliaj shpjegon se kriteret që ndjek tregu në rajon dhe më gjerë për kapacitetet e depozitimit është sa një e dhjeta e konsumit. Në këtë logjikë, grosistëve shqiptarë u takon të mbajnë rreth 70 mijë tonë kapacitete depozituese, por në fakt ato janë sa dhjetëfishi.

Ndërtimi i 1000 tonëve depozitë naftë kushton 500 mijë euro. Shoqata e Hidrokarbureve pohon se 750 mijë tonë kapacitete nuk janë në shfrytëzim dhe investimet në to janë 350 milionë euro. Në Durrës, në zonën e Porto Romanos, janë të instaluara 600 mijë tonë depozita, në Vlorë 150 mijë tonë dhe në Shëngjin, mbi 70 mijë tonë. Burimet zyrtare nga sektori i hidrokarbureve bëjnë me dije se në dekadën e fundit janë investuar rreth 4 miliardë euro në infrastrukturën portuale, kapacitete depozituese dhe në rrjetin e distribucionit të hidrokarbureve. Por investitorët pohojnë se 10% e këtyre investimeve nuk shfrytëzohen.

Ligji për hidrokarburet detyron grosistët e naftës të mbajnë rezerva sigurie në atë masë sa të mund të sigurojnë konsumin e 90 ditëve. Kompanitë e sektorit, në çdo pesë vjet, detyrohen të hartojnë një plan të detajuar për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, si dhe të bëjnë shfrytëzimin e instalimeve, në përputhje me rregullat dhe standardet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.

Prodhimi i tullave, investimet, tepër 50 mln euro

Kur sektori i ndërtimit u rrit me ritme dyshifrore në mes të viteve 2000, shpërthyen bizneset e sektorit dhe zinxhiri i lidhur me të. Prodhimi i tullave, çimentos, nga njëra anë, dhe tregtia e hidrosanitareve e materialeve të tjera të ndërtimit nga ana tjetër, u zgjeruan pa marrë në konsideratë perspektivën afatgjatë të sektorit. Vetëm në industrinë e prodhimit të tullave llogariten 50 milionë euro të investuara tepër. Në katër vitet e fundit kanë falimentuar 6 fabrika thotë Vahid Ruli, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Prodhimit të Tullave. Ndërtimi i një fabrike kushton rreth 8 milionë euro. Në dy dekadat e fundit janë ndërtuar 11 fabrika, me vlerë investimi rreth 100 milionë euro, nga të cilat 6 kanë falimentuar dhe 5 janë ende në aktivitet. Ruli shpjegon se edhe ato që janë në punë po punojnë nën kapacitetet e investimit prej kërkesës së dobët dhe kostove në rritje. Ruli shpjegon se, industria pa vuan nga çmimet e larta të energjisë, rritja e taksave dhe rënia e kërkesës, faktorë që po çojnë në mbijetesë fabrikat që aktualisht janë në punë.

Fabrikat e prodhimit të tullave, jo vetëm që kanë ulur prodhimin, por kanë reduktuar ndjeshëm çmimet.

Shkaqet e rënies së shitjeve, sipas administratorit të kompanisë Kid ALB, lidhen me ndalimin e ndërtimeve, kostot e larta të aktivitetit të këtij lloj sektori, si dhe krizën ekonomike që prej vitesh ka përfshirë të gjithë.Ai tregon më tej për “Monitor” se fabrikat e tullave në vend punojnë duke shfrytëzuar 30-40% të kapaciteteve të tyre, madje edhe pezullojnë aktivitetin, pasi rreziku i mbiprodhimit mbetet i lartë.Sipas të dhënave të marra nga operatorët vendas, volumi i prodhimit ditor ka rënë ndjeshëm. Nëse u referohemi shifrave të 4 viteve më parë, ata pohojnë se prodhimi në total arrinte 4000 tonë/ditë, ndërsa tani shifrat sugjerojnë deri në 2000-2500 tonë/ditë dhe ka raste që mbeten stok. Kompanitë tregojnë se prodhimi ka rënë sidomos dy vitet e fundit (2014 dhe 2015), gjatë kësaj periudhe ata prodhuan vetëm sipas nevojës së tregut, tashmë në ngërç.

Kjo situatë shoqërohet me prodhimin nën kapacitet të secilës fabrikë në vend, si dhe reduktimin e kohëzgjatjes së punës, në 4-5 muaj në vit.

Çimentoja, me 50% të kapacitetit

Në një kohë kur në vend po shtohet numri i fabrikave të çimentos, për menaxherët rritet shqetësimi i mbingopjes së tregut.

Operatorë kanë shpjeguar se, tregu është në një situatë mbingopje, me një “mbiprodhim” prej gati 2 milionë tonësh në vit. Mundësitë e prodhimit vendas të çimentos janë rreth 3 milionë tonë në vit, ndërkohë që tregu ka nevojë për më pak se 1 milion ton. Teksa importet e vitit 2015 zunë 40% të konsumit vendas të çimentos, fabrikave në Shqipëri u duhet të ndajnë në tregun e brendshëm vetëm 500 mijë tonë, pasi më shumë se 400 mijë tonë ishin importe më 2015. Eksporti ka qenë një zgjidhje. Ato arritën 1,1 milionë tonë më 2015, me një rënie prej 14% në krahasim me 2014.

Tregu i brendshëm dhe ai i jashtëm ka siguruar 1.6 milionë tonë shitje, për tre fabrikat e mëdha të çimentos në vend më 2015, teksa kapacitetet e prodhimit janë shfrytëzuar vetëm me 50%.

Ndërsa çimentoja është në mbiprodhim, shqetësues mbetet fakti se importet zënë rreth gjysmën e çimentos së përdorur në vend. Kjo është një situatë serioze për prodhuesit vendas dhe mënyra e vetme për të mbijetuar është reduktimi i importeve, përderisa nuk parashikohet një rritje e tregut në një plan afatshkurtër, për shkak të krizës ndërkombëtare që ka ndikuar ekonominë shqiptare dhe ritmet e saj.

Për aktorët e tregut, problemi më serioz i infrastrukturës për eksportet janë portet detare. Sipas administratorëve, Porti i Durrësit duhet të thellohet në mënyrë që të përballojë anije më të mëdha mallrash dhe të pajiset me një terminal të posaçëm për eksportin e çimentos. Gjithashtu, njësoj si tulla, edhe eksporti i çimentos po vuan kostot e larta të skanimit në dogana, ku përveç vlerave monetare harxhohet shumë kohë në pritje të procedurave të skanimit. Aktualisht, kompanitë eksportojnë në vende të afërta si Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Greqia. Menaxherët e “Antea Cement”shpjeguar më parë se, qëllimi i kompanisë është të prodhojë me kapacitet të plotë p.sh. 1.5 milionë tonë në vit dhe pjesa më e madhe të shitet brenda vendit. Por që të arrihet kjo, importet nga konkurrentët tanë duhet të ulen në mënyrë të konsiderueshme dhe eksportet duhen rritur.

Në një situatë të tillë, qeverisë shqiptare i duhet medoemos të përmirësojë infrastrukturën rrugore, hekurudhore, por sidomos atë portuale, që të krijojë mundësi për eksporte me sasi të mëdha.

Infrastruktura aktuale i ka “ndrydhur” kompanitë që të shesin jashtë vendit vetëm në sasi të vogla.

Tregu shqiptar shihet me shanse shumë të mëdha, për shkak të cilësisë dhe sasive të mëdha të lëndëve të para. Është padyshim një nga arsyet se përse kompani të tjera të huaja janë të interesuara të ndërtojnë fabrika të çimentos në tregun shqiptar. Mirëpo kostot e larta të transportit dhe tarifave portuale në krahasim me rajonin e bëjnë të vështirë daljen në treg të huaj të çimentos “Made in Albania”.

Tregtia, mbi investime në Tiranë–Durrës

Me dy komplekse të reja tregtare që pritet të bëhen funksionale brenda dy viteve të ardhshme, Tirana Ring Center dhe Toptani Complex Center, sipërfaqja që jepet me qira në qendrat në Shqipëri pritet të rritet me rreth 20%, duke arritur mbi 230 mijë metra katrorë, sipas të dhënave nga Colliers International.

Kjo do ta çojë treguesin e përqendrimit të qendrave në rreth 80 m² për 1000 banorë, nga 67 m² për 1000 banorë, që është sot.

Ndonëse ky indikator është i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit (mesatarja e Europës Qendrore është 209 m² për 1000 banorë, sipas Europa Property), përqendrimi i tyre në zonën e Tiranës dhe Durrësit, ku jetojnë më se një e treta e popullsisë së vendit rrezikon ta çojë këtë sektor drejt mbipopullimit.Vetëm për zonën e Tiranës e Durrësit, treguesi shkon në rreth 200 m² për 1000 banorë, sa në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e lartë.

Ekonomia shfrytëzon vetëm 66% të potencialit

Ekonomia e vendit ka vënë në punë vetëm 66.3% të potencialeve të saj në tremujorin e parë. Kriza e vitit 2008 ka përkeqësuar më tej edhe shfrytëzimin e investimeve normale. Potencialet e shfrytëzimit të ekonomisë nga viti 2011 kanë rënë me gati 9%, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë të pasqyruara në Indekset e Besimit të Konsumatorit dhe Biznesit.

Industria, 31% nën kapacitet

Sektori i industrisë ka hendekun e prodhimit mesatarisht 30%. Qysh prej vitit 2008, në ditët më të mira, sektori i industrisë nuk ka mundur të shfrytëzojë më shumë se 70% të investimit.Në fund të vitit 2007, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve për industrinë ishte 76%. Përqindjen më të lartë të prodhimit e pati dega e industrisë së mallrave të konsumit dhe dega e industrisë përpunuese dhe më e ulët për degën industrisë së mallrave kapitale (përkatësisht, 73.8%, 73.1% dhe 70.3%).Por tani, 6 vite më pas, hendeku i prodhimit në industri është rritur mbi 7%.Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve shënoi vlerën 69.0% në tremujorin e parë, 2.9 pikë përqindje më e ulët se mesatarja historike. Bizneset e industrisë i kanë shfrytëzuar më pak kapacitetet e tyre. Ndikimin e ka dhënë industria e rëndë. Kompania e nxjerrjes së naftës, Bankers Petrolium, njoftoi se ka ulur prodhimin me 8% në tremujorin e parë. Industria nxjerrëse ka ngushtuar ndjeshëm ritmin e shfrytëzimit të kapaciteteve nisur nga çmimet e ulëta në tregun ndërkombëtar.

Sektori në total, në fund të 2014-s, zuri 14.5% të peshës në PBB, ku industria përpunuese udhëhoqi strukturën e PBB me 8.1% dhe ajo nxjerrëse 6.4%. Pesha e sektorit në tërësi ka ardhur në rritje pas vitit 2008, për shkak të zhvillimit të nxjerrjes së naftës nga kompania Bankers. Për nga pesha në eksporte dhe punësim, kontributi anon nga industria përpunuese, në të cilin janë të angazhuar 17.2% të totalit të të punësuarve në fund të tremujorit të tretë të 2015-s. Sektori i industrisë përpunuese ka mbi 9% të ndërmarrjeve aktive në treg, por sektori me përqindjen më të madhe të investimeve është industria nxjerrëse, me 17,6%, për shkak të angazhimeve të mëdha financiare që kërkon nxjerrja e naftës.

Ndërtimi shfrytëzon 54% të investimit

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e ndërtimit u përgjysmua më 2016, duke arritur në 54.7% në tremujorin e parë.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se sektori edhe në ditët më të mira të tij nuk ka arritur të shfrytëzojë investimet. Në vitin 2007, kur ndërtimi ishte në kulmin e zhvillimit për shkak të investimeve të mëdha publike në rrugë, kapacitetet u shfrytëzuan në vetëm 70%.

Angazhimi i kompanive shqiptare në ndërtimin e rrugëve pas vitit 2005 dhe përqendrimi i politikave të qeverisë së kohës për të rritur investimet publike në infrastrukturë bëri që, sektori i ndërtimit të zgjeronte më tej kapacitetet e investimit për objekte të mëdha, të tilla si rrugët. Por, tani, pas gati një dekadë, sektori ndodhet në një situatë krejt tjetër. Investimet në infrastrukturë janë tre herë më pak se në vitet 2007-2008, duke ndikuar në zgjerimin e mëtejshëm të kapaciteteve të lira.

Edhe moratoriumet për lejet e ndërtimit e kanë futur sektorin në tërësi në ngërç. Qeveria vendosi të bllokojë ndërtimet e reja në të gjithë vendin gjatë 2014-s, për të frenuar disi bumin e ndërtimeve pa leje.

Kjo masë i dha goditje fatale sektorit, i cili tashmë gjendej në vështirësi nga maturimi i sektorit të banesave. Bllokimi i lejeve për objektet të reja vijon edhe sot në bashkitë dhe njësitë vendore që nuk kanë plan rregullues. Për rrjedhojë, sektori i ndërtimit dhe zinxhiri i lidhur me të shfrytëzon vetëm gjysmën e kapaciteteve të investimit, teksa një pjesë e kompanive janë riorientuar në ndërtimin e hidrocentraleve të vogla.

Zhvillimet e sektorit arritën kulmin në vitin 2009, duke zënë 19% të peshës së PBB-së edhe për shkak të kulmit që arritën punimet në Rrugën e Kombit, vepra më e madhe inxhinierike e bërë në vend pas viteve 1990. Maturimi në sektorin e banesave dhe kriza financiare e vitit 2008 solli pikiatën në sektor, i cili, përveç vështirësive që solli për bizneset e fushës, futi në ngërç të gjithë zinxhirin e ekonomisë, duke përfshirë edhe bankat. Aktualisht në ndërtim janë të angazhuar 7.3% të totalit të të punësuarve, me një rritje të lehtë në krahasim me vitin e kaluar. Në strukturën e punësimit, sipas aktivitetit ekonomik, gjatë vitit 2009, punësimi në sektorin e ndërtimit përbënte 10%.Në përpjekje për të mbijetuar, shumë biznese të ndërtimit e kanë diversifikuar portofolin e investimeve në sektorë të turizmit dhe bujqësisë.

Shërbimet, 32% nën potencial

Sektori i shërbimeve, edhe pse me rritje vit pas viti, rezulton të ketë shfrytëzuar kapacitetet e investimeve vetëm 68% në tremujorin e parë të 2016-s. Nga viti 2007, norma e lëvrimit të kapaciteteve ka rënë me 14%. Në ditët më të mira të tij (viti 2007) potencialet e biznesit të shërbimeve janë shfrytëzuar 80%.

Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tremujorin e parë shënoi një rënie të fortë prej 7.2 pikësh përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe prej 4.9 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Kjo normë përfaqëson edhe shkallën më të ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve në këtë sektor që prej vitit 2007, duke qenë 8.1 pikë përqindje nën mesataren historike.

Si një shoqëri konsumi, Shqipëria e ka të bazuar ekonominë e saj tek aktivitetet e shërbimeve dhe të tregtisë. Pesha e sektorit pa një rritje të shpejtë pas viteve 1990 dhe aktualisht zë 52% të strukturës së

Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mbi 85% e ndërmarrjeve operojnë në aktivitetet e shërbimeve dhe sektori ka të angazhuar 57% të fuqisë punëtore në vend. Linja e tregtisë dominon sektorin, ku tregtia e automjeteve dhe pasurive të paluajtshme kanë peshën më të madhe në PBB me rreth 7% secila.

Tregtia nuk shfrytëzon 27% të investimit

Sektori i tregtisë rezulton të ketë normat më të larta të shfrytëzimit të kapaciteteve, edhe pse sektori është duke kaluar në një tranzicion që po çon drejt përqendrimit në qendrat tregtare të dyqaneve të vogla.Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tregti shënoi nivelin 73.5% në tremujorin e parë të vitit 2016, me një rënie 3% që nga viti 2011, kur Banka e Shqipërisë nisi të maste shfrytëzimin e investimeve në tregti. Në një anketim të posaçëm që Banka Qendrore ka bërë në këto biznese konkludon se kapacitetet e tyre janë përdorur me një normë 5.2 pikë përqindje më të ulët se mesatarja historike.

Banka e Shqipërisë ka referuar se vlerësimet dhe pritjet e bizneseve e sektorit të tregtisë të përfshira në vrojtim kanë rezultuar të përkeqësuara për të gjitha aspektet e lidhura me aktivitetin e tyre.

Gjithashtu bizneset kanë shfaqur pritshmëri të ulëta për kërkesën e konsumatore, çka lajmëron për një rritje të mëtejshme të hendekut të shfrytëzimit për periudhën në vijim. Balanca e përgjithshme e situatës në bizneset e tregtisë ka shënuar rënie vjetore me mbi 5%.

/Acp.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0