Mirko Daidone, avokat i studios CMS Adonnino Ascoli & Cavasola Scamone në një intervistë për agjencinë e lajmeve AGP News bën një ilustrim sesi operojnë investimet italine në “vendin e shqiponjave”.
“Prezenca e sipërmarrësve italianë në Shqipëri është konkrete dhe reale, por për momentin realiteti sipërmarrës është i karakterit të mesëm dhe të vogël dhe nuk arrin dot të shërbejë si motorri kryesor për ekonominë shqiptare. Shtete, si Turqia po japin një ndikim të më fortë. Sipërmarrjet italiane janë të përqendruara kryesisht në sektorë si ai i shërbimeve ( call center, arkitekturë, inxhinieri), restorant e fason.
Sipërmarrjet italiane shfrytëzojnë në Shqipëri sistemin e taksimit dhe koston e lirë të punës” thotë av.Daidone.
Sipas tij edhe pse numri i sipërmarrjeve italiane është në rritje nuk kanë peshë të madhe.
“Bujqësia dhe turizmi mund të kthehen në sektorë me interes. Disa shoqëri italiane janë prezent tashmë në sektorin e bujqësisë, ndërsa sipërmarrës të rinj kanë hapur aktivitete në turizëm, të tipit restorante, B&B, apo të ushqimit “finger food”), ku konkurrohet me cilësinë dhe tiparet e shërbimit ‘made in Italy’’’, thotë avokati italian.
Sipas tij, projektet jashtë fushës së ushqimit dhe veshmbathjes po japin sinjale sesi mund të rritet cilësia. Ai sjell shembullin e ndikimit që po japin studiot arkitekturore italiane.
“Cilësia e shërbimit po bëhet gjithnjë e më shumë e rëndësishme, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik”.
Por, cili është parashikimi për të ardhmen e investimeve italiane? Avokati Daidone thotë se bujqësia, turizmi si dhe energjia (veçanërisht ai me erë ) duhet të thithin më tepër interes.
“Investitorët italianë duhet të vijnë me ide të qarta në Shqipëri, me kapital të mjaftueshëm. Shqipëria është një vend i maturuar që iu jep mundësi atyre që duan të kenë një aktivitet serioz dhe të planifikuar me saktësi. Nuk është më vendi i përpjekjeve por i projekteve konkrete dhe reale”.
burimi: monitor.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.