Emri i projektit: Catalyst Balkans
Drejtues i ekipit: Nathan Koeshall
Vendi i origjinës: Serbi
Nathan Koeshall është një amerikan që ka dhënë shumë për zhvillimin e sipërmarrjeve të reja në Ballkan. Këtë herë ai kthehet në një pjesëmarrës të një programi akselerimi për sipërmarrjet e reja. Nathan Koeshall shprehet për Business Magazine se asnjëherë nuk është vonë për të filluar një Startup dhe fton të gjithë ata që kanë dëshirë të zhvillojnë një biznes social të bëhen pjesë e programeve të Yunus Social Business.
1. Cila është ideja e biznesit që propozon projekti juaj?
Biznesi im është i specializuar në mbledhjen e të dhënave mbi dhurimet monetare të individëve, kompanive dhe diasporës në rajonin e Ballkanit, këtu nuk përfshihen dhurimet nga shtetet e huaja. Këto të dhëna mund të përdoren më pas nga organizatat jofitimprurëse, për të mësuar se si të rrisin të ardhurat me ndihmën e qytetarëve të tyre dhe jo duke kërkuar para nga investitorë të jashtëm. Një ekonomi e shëndetshme financohet nga brenda dhe jo nga jashtë. Modeli ynë i biznesit bazohet te vendosja e një tarife për organizatat që duan të përdorin këto të dhëna.
2. Si i mblidhni këto të dhëna?
Ne përdorim dy mënyra për të siguruar të dhënat mbi dhurimet monetare që bëhen në shtetet e Ballkanit. Mënyra e parë është ajo nëpërmjet medias, veçanërisht internetit. Ne kërkojmë çdo ditë për artikuj që janë postuar në internet në këto shtete, duke përdorur fjalë kyçe si: filantropi, dhurim, ndihmë financiare, bamirësi, vullnetarizëm etj. Çdo ditë ne arrijmë të gjejmë rreth 300 artikuj në të gjithë shtetet e Ballkanit. Mënyra tjetër me anë të cilës ne i sigurojmë të dhënat është ndërveprimi me kompanitë, organizatat dhe institucionet shtetërore si jetimoret dhe spitalet. Në rajonin e Ballkanit një pjesë e mirë e dhurimeve shkojnë tek institucionet publike dhe kjo është diçka interesante që nuk ndodh në shumë vende të tjera të botës. Më pas ne hedhim këtë informacion në një bazë të dhënash dhe botojmë çdo vit një raport vjetor nga ku individët ose organizatat e ndryshme mund të kenë një përqasje të shpejtë ndaj këtyre dhurimeve monetare.
3. Hera e parë në një Akselerator? Si arritët deri këtu?
Po është hera e parë për mua që marr pjesë në një akselerator. Unë u njoha me programin Yunus Social Business dy vjet më parë dhe morra pjesë në një konferencë që zhvillohej këtu në Tiranë. Kur u hapën aplikimet për programin e Yunus Social Business në Ballkan, vendosa të aplikoja dhe fatmirësisht u bëra një ndër pjesëmarrësit.
4. Cilat ishin pritshmëritë tuaja nga ky Akseleratori?
Unë kam mësuar shumë nga ky program i Yunus Social Business. Këtu kam fituar një mentalitet sipërmarrësi. Nëse ndërvepron me të tjerët dhe krijon një rrjet miqësor mund të mësosh shumë gjëra të reja. Nëse bën të kundërtën dhe izolohesh nga të tjerët, mundësitë për t’u zhvilluar zvogëlohen. Ky ishte ndër mësimet më me vlerë që mësova gjatë këtij aktiviteti. Në jetë dhe në biznes ne marrim atë që kemi investuar.
5. Si do ta përshkruanit me 1 fjali këtë përvojë?
Kjo eksperiencë më mësoi se sa pak njohuri kam për botën.
6. Nëse arrini të merrni investim, keni bërë plane për çfarë do ta përdorni këtë vlerë?
Ne nuk planifikojmë për të aplikuar për financime 6 deri në 9 muajt në vazhdim. Ky program më mësoi se ka disa gjëra më të rëndësishme për t’u realizuar se sa aplikimi për financim. Gjithsesi në momentin që mund të marrim investim, plani është që të rrisim shitjet dhe të bëjmë një marketing të mirë, për të gjeneruar fitime dhe mos të kemi nevojë për financime të tjera.
7. Ku e shikoni biznesin tuaj pas 1 viti?
Për një vit mendoj që do të fillojmë të shesim shërbimin tonë me abonim mujor ndaj klientëve të interesuar. Qëllimi ynë për vitin e parë është të kemi 50 klientë që janë të abonuar për shërbimet tona me pagesë mujore dhe të ndërtojmë një komunitet këtu në Ballkan që të ndërveprojë me njëri-tjetrin. Në tre vite qëllimi është të kemi 500 klientë të abonuar.
8. Do ia sugjeronit të rinjve të tjerë pjesëmarrjen në akseleratorë të tillë?
Do t’ia sugjeroj këtë program jo vetëm të rinjve, por çdo individi që dëshiron të jetë sipërmarrës pavarësisht moshës që ka. Këtu mund të mësosh shumë aftësi të reja dhe mund ta shndërrosh idenë tënde në një shërbim apo produkt që ndihmon komunitetin. Ky është qëllimi kryesor i një biznesi social, t’i japësh më shumë vlerë komunitetit ku jeton dhe jo thjesht të bësh biznes. Çdo sipërmarrës që ka dëshirë të zhvillojë një biznes social duhet të bëhet pjesë e këtij akseleratori.
/Artikulli u publikua më parë në faqen 31 të numrit 9 të revistës Business Magazine Albania. Për të shfletuar të plotë revistën klikoni këtu.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.