Shqiptarja diplomohet në moshën 61-vjeçare - Business Magazine Albania

Shqiptarja diplomohet në moshën 61-vjeçare


Magbule Novosella është një rast i rrallë dhe shumë inspirues për të gjithë ata që janë në mëdyshje të marrin vendimin për t’u përcaktuar dhe punuar në drejtim të realizimit të ëndrrave të tyre.

Znj. Magbule, nuk pati rast të realizojë ëndrrën e saj të studimit të Psikologjisë në moshë më të hershme për arsye të ndryshme. Disa prej arsyeve që e penguan drejt realizmit të ëndrrës ishin nevoja për të punuar pas përfundimit të shkollimit të mesme, të përkushtohej në rritjen, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve të saj si dhe fakti që në atë kohë në Kosovë nuk ekzistonte Psikologjia si degë studimi.

Për të studiuar Psikologjinë do t’i duhej të studionte në Beograd, Sarajevë, apo në ndonjë vend edhe më larg rajonit.

Mirëpo, tani që kjo degë e studimeve ofrohet në Kolegjin AAB në Prishtinë dhe Magbulja nuk deshi të humbiste rastin që të realizonte ëndrrën e saj. Kështu, në moshën 57 vjeçare, ajo filloi ndjekjen e leksioneve të para si studente e rregullt në Kolegjin AAB në Prishtinë.

“Ishte vendim paksa i vështirë që në këtë moshë të bashkëngjitem në një grup shumë të rinj të studentëve, mirëpo, afërsia e tyre më ka ndihmuar shumë në përkrahje të vendimeve të mia. Gjithashtu, i jam shumë mirënjohëse familjarëve dhe profesorëve për përkrahjen e pandalshme”, tha znj. Magbule.

Duke qenë adhuruese e librit dhe shkrimit, nuk ishte dhe aq e vështirë për të që t’i kthehej studimit të rregullt.

“Gjatë jetës jam marrë me probleme psikologjike dhe kam dashur t’ju ndihmoj të afërmeve në zgjidhjen e problemeve. Kam qenë gjithmonë e gatshme për këshillime. Dhe më dukej se kisha një aftësi më të veçantë në këtë aspekt”, sqaroi znj. Magbule.

 “Jam shumë e lumtur për hapin që kam marrë. Nuk i kam përfunduar studimet për të siguruar ndonjë vend të punës. Arsyeja e vetme është kënaqësia që kam marrë nga realizimi i ëndrrës sime. Përveç kësaj, kam krijuar shoqëri të re”, shton ajo.

Mesazhi i znj. Magbule është që pavarësisht nga mosha apo pengesa të tjera në jetë, asnjëherë të mos dorëzohemi apo frikësohemi që të realizojmë ëndrrat tona.

“Me përkushtim arrihet çdo gjë!”, theksoi ajo.

 

burimi: shqiptari.eu

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0