Microsoft mundësi bashkëpunimi me Postën Shqiptare - Business Magazine Albania

Microsoft mundësi bashkëpunimi me Postën Shqiptare


Drejtori i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi zhvilloi dje në Tiranë një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Microsoft për Europën Qëndrore dhe Lindore, Michael Kogeler, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e bashkëpunimit inovativ në sektorin postar.

Gjatë takimit, drejtori Lazimi bëri një prezantim të institucionit që ai drejton, për veprimtarinë dhe shërbimet që Posta ofron. Lazimi theksoi se bashkëpunimi i Postës Shqiptare me Microsoft, është mjaft i frytshëm, sidomos për përdorimin e disa licensave utilitare të ngjashme me administratat postare ndërkombëtare. Gjatë diskutimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Microsoft për Europën Qëndrore dhe Lindore, Lazimi shprehu gatishmërinë e kompanisë për të marrë eksperiencat dhe praktikat më të mira në këtë industri, si dhe theksoi faktin se për modernizimin e Postës Shqiptare do të vlerësohej mbështetja e gjigantit Microsoft me ide dhe projekte inovative, të cilat kanë rezultuar histori suksesi në vende të ndryshme të botës.

Lazimi i prezantoi Kogeler një projekt inovativ dhe shumë të rëndësishëm që pritet të lancohet në fillim të vitit 2017, Digital Post Office, i cili fokusohet kryesisht tek zonat rurale dhe periferike. Nëpërmjet këtij projekti synohet një zgjidhje teknike për të dixhitalizuar pjesën e mbetur të rreth 200 zyrave postare që nuk janë të lidhura me sistemin qëndror të Postës Shqiptare.

Gjithashtu, një projekt strategjik që po shqyrtohet për vitin e ardhshëm është edhe hyrja në tregun e pagesave përmes celularit. E-commerce është një tjetër mundësi e vërtetë biznesi që konsiderohet si potencial i së tashmes, duke synuar të zhvillohet edhe një platformë autentike e Postës Shqiptare të një tregu dixhital, ku konsumatorët të blejnë online dhe njëkohësisht të marrin edhe shërbimin postar përmes Postës.

Gjithashtu, në kuadër të një shërbimi më të mirë ndaj klientëve, së shpejti do të vendosen edhe Bankomatet Postare, të cilët do të luajnë rolin e një zyre postare që shpërndan pakot. Këto paisje automatike janë konceptuar që t’u japin mundësi klientëve të tërheqin pakot e tyre, duke u vetshërbyer 24 orë në 7 ditë të javës.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Microsoft, Michael Kogeler shprehu gatishmërinë për bashkëpunime të mëtejshme dhe cilësoi takimin si mjaft pozitiv me një nga klientët më të rëndësishëm të Microsoftit në Shqipëri. Gjithashtu, Kogeler premtoi edhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit, në organizimin e disa seminareve dhe trajnimeve, që do të ishin shumë të rëndësishme për Postën Shqiptare, për t’u adaptuar me tregun vendas dhe ndërkombëtar me synimin final për një shërbim sa më cilësor për konsumatorin.

 

burimi: ata.gov.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0