“Vlera e Pronës”, një panoramë e plotë mbi tregun, cilësinë dhe të ardhmen e real estate-t në Shqipëri! - Business Magazine Albania

“Vlera e Pronës”, një panoramë e plotë mbi tregun, cilësinë dhe të ardhmen e real estate-t në Shqipëri!

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Konferenca “Vlera e Pronës” solli sot në një vend të përbashkët zhvillues, investitorë, ekspertë finance, arkitektë dhe përfaqësues institucionesh për të diskutuar mbi një nga temat më kritike të ekonomisë shqiptare: si krijohet realisht vlera në tregun e pasurive të paluajtshme.

E organizuar nga Oz Marketing dhe e moderuar nga Blendi Salaj, konferenca u zhvillua në disa panele tematike që trajtuan zinxhirin e plotë të krijimit të vlerës, nga ndërtimi, materialet dhe financimi, deri tek marketingu, urbanistika dhe arkitektura.


Diskutimet u hapën me fokusin tek cilësia e ndërtimit dhe roli i saj në krijimin e vlerës afatgjatë. Në Panelin I – Kompanitë e Ndërtimit, përfaqësues nga Kërko360, Orion dhe Klar theksuan se standardet, materialet dhe proceset e kontrollit nuk janë më opsionale, por thelbësore.

Në vijim, Paneli II – Materialet & Qëndrueshmëria solli në vëmendje rëndësinë e përdorimit të materialeve të certifikuara, izolimit nga zjarri dhe përputhjes me standardet europiane. Ekspertë nga Knauf Insulation dhe Saint-Gobain, së bashku me përfaqësues institucionalë, nënvizuan nevojën për klasifikim të qartë të materialeve dhe ndërtesave, si dhe për një rol më aktiv të shtetit në garantimin e standardeve.

Një nga debatet më të forta u zhvillua në Panelin III – Real Estate & Investimi, ku u diskutua nëse tregu shqiptar reflekton realisht vlerën e pronës apo ende dominohet nga perceptimi.

Ekspertët evidentuan mungesën e të dhënave të sakta dhe transparencës, duke theksuar se shumë vendimmarrje bazohen në pritshmëri dhe jo në analiza të strukturuara. U diskutua gjithashtu rritja e çmimeve, rëndësia e lokacionit dhe faktorët që e bëjnë një projekt të financueshëm: kapaciteti financiar i zhvilluesit, cilësia e ndërtimit dhe reagimi i tregut.

Në këtë kontekst, u theksua nevoja për zhvillimin e strukturave më të avancuara financiare, si fonde investimi dhe modele institucionale, si dhe analiza më të qarta të raportit risk–kthim.

Panelin IV – Tregu dhe studimet & siguria juridike e pronës, përfaqësues nga Deloitte Albania dhe kompani konsulence theksuan rëndësinë e sigurisë ligjore dhe studimeve të mirëfillta të tregut si bazë për investime të qëndrueshme.

Një tjetër element kyç që përshkoi diskutimet ishte roli i marketingut. Ai u cilësua si faktor vendimtar jo vetëm për shitjen, por për krijimin e vlerës së perceptuar dhe kthimin e investimit. Projektet moderne po pozicionohen gjithnjë e më shumë si “destinacione” – duke integruar shërbime, komunitet dhe përvojë jetese gjatë gjithë vitit.

Panelin V – Urbanistika & Arkitektura, fokusi kaloi tek dimensioni afatgjatë i zhvillimit të qyteteve. Ekspertët theksuan se nuk mjafton më ndërtimi i volumit, qytetet duhet të konceptohen si ekosisteme funksionale dhe të qëndrueshme.

Design-i, drita natyrale, materialet dhe koncepti urban nuk janë më elementë estetikë dytësorë, por faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në vlerën e pronës. Gjithashtu, u diskutua roli i projekteve ikonë dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare në rritjen e imazhit të tregut shqiptar dhe në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Mesazhi që përshkoi gjithë konferencën ishte i qartë: Vlera e pronës nuk është vetëm çmimi, por një kombinim i cilësisë, të dhënave, besimit, ligjit dhe vizionit afatgjatë.

Dhe pyetja që mbetet për tregun shqiptar është: A po ndërtojmë për sot, apo për të ardhmen?

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0