Një robot humanoid ka thyer rekordin botëror njerëzor në gjysmëmaratonë, duke shënuar një moment historik për robotikën në një garë të konceptuar për të shtyrë makinat në kufijtë e tyre në kushte reale. Roboti, i zhvilluar nga kompania kineze e smartfonëve Honor, përfundoi itinerarin 21-kilometërsh për 50 minuta e 26 sekonda në Gjysmëmaratonën e Robotëve Humanoidë Beijing E-Town të dielën, më shpejt se rekordi njerëzor i vendosur nga ugandezi Jacob Kiplimo, i cili e përshkoi këtë distancë për rreth 57 minuta më herët këtë vit.
Sipas inxhinierit të Honor, Du Xiaodi, dizajni i robotit është frymëzuar nga garuesit idelal. “Që në fillim të projektimit, roboti ynë u modelua mbi atletë të shquar njerëz, duke arritur këmbë të gjata rreth 0.95 metra,” tha ai. “Gjithashtu, e kemi pajisur me një sistem shumë të fuqishëm ftohjeje me lëng, i cili është zhvilluar kryesisht brenda kompanisë.” Më shumë se 100 robotë morën pjesë në garën e këtij viti, pas testimeve të gjera ku mbi 70 ekipe përshkuan të gjithë itinerarin gjatë natës në zonën zhvillimore E-Town në Pekin.
Makineritë vrapuan krahas 12,000 pjesëmarrësve njerëzorë, por në korsi paralele për të shmangur përplasjet. Rreth 40% e robotëve vrapuan me navigim plotësisht autonom, një sfidë kyçe që organizatorët e kanë integruar qëllimisht në këtë garë, ndërsa të tjerët u kontrolluan nga distanca. Në edicionin e parë vitin e kaluar, vetëm gjashtë nga 21 robotë arritën të përfundonin garën. Këtë herë, performanca u përmirësua ndjeshëm, megjithëse gara nxori ende në pah kufizime teknike: disa robotë u rrëzuan që në start, të tjerë u përplasën me barrierat, ndërsa ekipet vazhduan të përballen me mbinxehjen e motorëve dhe kufizimet e baterive.
Lexo edhe: Sovraniteti digjital, kush e kontrollon të ardhmen e teknologjisë?
Një robot tjetër i kontrolluar nga distanca, gjithashtu nga Honor, kaloi i pari vijën e finishit me kohën 48 minuta e 19 sekonda. Megjithatë, modeli autonom siguroi fitoren në renditjen përfundimtare sipas sistemit të pikëzimit të eventit, ndërsa dy robotë të tjerë të Honor, gjithashtu autonomë plotësuan podiumin.
Duke parë përpara, Du tha se teknologjitë e zhvilluara për këtë garë mund të përdoren përtej eventeve konkurruese. “Disa nga këto teknologji mund të transferohen në fusha të tjera. Për shembull, besueshmëria strukturore dhe teknologjia e ftohjes me lëng mund të aplikohen në skenarë industrialë në të ardhmen.”
Ai shtoi: “Është e ngjashme me mënyrën se si industria automobilistike u zhvillua fillimisht përmes garave.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto