Rreziqet kuantike po afrohen, Google paralajmëron për kërcënime ndaj sigurisë digjitale - Business Magazine Albania

Rreziqet kuantike po afrohen, Google paralajmëron për kërcënime ndaj sigurisë digjitale

Teknologjia kuantike premton përparim të jashtëzakonshëm, por ekspertët paralajmërojnë se fuqia e saj mund të thyejë shifrat dhe sistemet që mbrojnë informacionin tonë online.

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Një epokë e re e kompjuterëve kuantik mund të sfidojë themelet e sigurisë online më shpejt se sa mendohet, paralajmëron Google. Kompania po vendos një afat kohor për kalimin në kriptografinë post-kuantike (PQC) deri në vitin 2029, duke theksuar se veprimet duhet të ndërmerren para se “një kompjuter kuantik i ardhshëm të mund të thyejë enkriptimin aktual”.

Ekspertët e kibernetikës paralajmërojnë prej vitesh se kompjuterët kuantik mund të bëhen kaq të fuqishëm sa të thyejnë sistemet e enkriptimit publik që mbrojnë bisedat tona online, llogaritë bankare dhe infrastrukturën më të rëndësishme, duke rrezikuar qeveritë dhe bizneset.

Në një postim në blog, Google shkruan se “kompjuteri kuantik do të paraqesë një kërcënim të konsiderueshëm për standardet aktuale të kriptografisë, veçanërisht për enkriptimin dhe nënshkrimet dixhitale”.

Kompjuterët kuantik përdorin parimet e mekanikës kuantike për të përpunuar informacionin. Ndërsa kjo teknologji premton performancë të jashtëzakonshme në fusha si zbulimi i ilaçeve, shkencëtarët paralajmërojnë prej dekadash se fuqia e saj e madhe llogaritëse mund të përdoret për të thyer enkriptimin tradicional, që është thelbësor për ruajtjen e konfidencialitetit dhe sigurisë së informacionit në internet.

Google po vendos një afat për kalimin në kriptografinë post-kuantike deri në vitin 2029 dhe inkurajon kompanitë e tjera të ndjekin shembullin. Kompania thekson se veprimet duhet të ndërmerren para se “një kompjuter kuantik i ardhshëm të mund të thyejë enkriptimin aktual”.

Lexo edhe: Fundi i privatësisë në Instagram? Çfarë ndodh me mesazhet e tua pas 8 majit

“Si pionierë në fushën e teknologjisë kuantike dhe PQC, është përgjegjësia jonë të japim shembull dhe të ndajmë një afat ambicioz. Kështu synojmë të ofrojmë qartësi dhe urgjencë për të nxitur tranzicionet digjitale, jo vetëm për Google, por për gjithë industrinë,” tha kompania.

Aktualisht, kompjuterët kuantik nuk janë ende në gjendje të thyejnë enkriptimin në shkallë të gjerë. Njësitë e tyre bazë, të njohura si kubite, janë ende shumë të paqëndrueshme për dekriptim masiv. Megjithatë, Google paralajmëron se të dhënat që po krijohen sot mund të jenë të rrezikuara në të ardhmen. Një nga shqetësimet është sulmi kibernetik i quajtur “store now, decrypt later”, ku sulmuesit mbledhin të dhëna të enkriptuara tani me qëllimin për t’i dekriptuar më vonë, kur kompjuterët kuantik të jenë të disponueshëm.

Qeveritë gjithnjë e më shumë po inkurajojnë kompanitë të përgatiten për këtë ndryshim, duke njohur se tranzicioni do të kërkojë kohë. Shtete si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Holanda dhe SHBA-ja kanë publikuar strategji, udhëzime dhe dokumente zyrtare mbi rreziqet dhe nevojën për veprim.

Në të njëjtën kohë, komuniteti i kriptografisë po zhvillon metoda të reja enkriptimi që rezistojnë ndaj sulmeve kuantike, ndërsa vendet garojnë për të ndërtuar infrastrukturë rrjeti kuantik, ku Kina shihet si një nga liderët.

Komisioni Europian synon të ketë një infrastrukturë pan-europiane të komunikimit kuantik funksionale deri në vitin 2027 përmes Iniciativës Europiane për Komunikim Kuantik (EuroQCI).

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0