Programi Growpreneur vijon ciklin e tij të trajnimeve të dedikuara për startup-et dhe sipërmarrësit e rinj, duke ofruar sesione praktike që ndihmojnë themeluesit të zhvillojnë idetë e tyre dhe t’i shndërrojnë ato në modele biznesi për të mbërritur tek përdoruesit/klientët e parë, por edhe tek investitorët. Bootcamp-i i djeshëm i programit u fokusua në disa nga elementët më të rëndësishëm për ndërtimin dhe rritjen e një startup-i: validimin e idesë, potencialin e tregut, shkallëzimin e biznesit dhe planifikimin financiar.
Sesioni solli ekspertizën e dy profesionistëve që punojnë prej vitesh me startup-e dhe sipërmarrës në fazat e hershme të zhvillimit.
Në pjesën e parë të bootcamp-it, Shkëlzen Marku trajtoi disa nga konceptet kyçe që çdo themelues duhet të kuptojë përpara se të ndërtojë ose të zgjerojë një startup. Diskutimi u përqendrua tek mënyra se si një ide biznesi duhet të vlerësohet dhe analizohet për të kuptuar nëse ka potencial real në treg.
Marku theksoi rëndësinë e analizës së tregut dhe të identifikimit të qartë të problemit që startup-i synon të zgjidhë. Një ide inovative nuk mjafton nëse nuk mbështetet nga një nevojë reale e klientëve dhe një treg i mjaftueshëm për t’u zhvilluar.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i trajtuar gjatë trajnimit ishte vlerësimi i modelit të biznesit. Pjesëmarrësit u inkurajuan të testojnë idetë e tyre përmes produkteve minimale funksionale dhe të mbledhin reagime nga përdoruesit përpara se të investojnë burime të mëdha në zhvillimin e produktit.
Lexo edhe: Hapi i parë drejt rritjes / Dita 1 e bootcamp-it të Growpreneur
Diskutimi u ndal gjithashtu tek strategjitë e rritjes dhe shkallëzimit të startup-eve, si dhe tek mënyra se si sipërmarrësit mund të ndërtojnë modele biznesi që krijojnë jo vetëm vlerë ekonomike, por edhe impakt social.
Në pjesën e dytë të bootcamp-it, Gerond Begolli, konsulent financiar me përvojë në këshillimin e startup-eve, u fokusua në dimensionin financiar të ndërtimit të një startup-i. Ai trajtoi temat e planifikimit financiar, ndërtimit të modeleve financiare dhe mënyrën se si themeluesit mund të krijojnë struktura financiare të qëndrueshme për bizneset e tyre.
Begolli theksoi rëndësinë e ndërtimit të buxheteve realiste dhe të kuptimit të qartë të kostove, të ardhurave dhe rrjedhës së parasë. Një fokus i veçantë iu kushtua edhe procesit të komercializimit të produkteve dhe përgatitjes së startup-eve për tërheqjen e investimeve.

Për shumë startup-e në fazat e para, sfida nuk është vetëm zhvillimi i një ideje të mirë, por ndërtimi i një strukture biznesi dhe financiare që mund të mbështesë rritjen në afatgjatë. Përmes këtij cikli trajnimesh, Growpreneur synon të ofrojë pikërisht këtë mbështetje, duke ndihmuar sipërmarrësit e rinj të zhvillojnë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të ndërtuar biznese të qëndrueshme dhe konkurruese.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto