Një video e publikuar nga CEO i McDonald’s u kthye papritur në një moment viral në rrjetet sociale dhe hapi një “betejë” të vogël marketingu mes tre prej zinxhirëve më të mëdhenj të fast-food në botë: McDonald’s, Burger King dhe Wendy’s.
Gjithçka nisi kur Chris Kempczinski, CEO i McDonald’s, publikoi një video për të promovuar burgerin e ri të kompanisë, të quajtur Big Arch. Në video, ai merr një kafshatë shumë të vogël nga burgeri dhe thotë se do ta përfundojë për drekë. Por reagimi i internetit ishte i menjëhershëm. Shumë përdorues në rrjetet sociale e konsideruan momentin të sikletshëm dhe të çuditshëm, duke bërë shaka se kafshata ishte “sa një mi” dhe duke pyetur nëse CEO-ja vërtet e kishte ngrënë burgerin apo ishte “i frikësuar prej tij”. Videoja u përhap shpejt dhe u kthye në një meme, por historia nuk mbaroi aty.
Burger King nuk e humbi rastin
Konkurrenti historik i McDonald’s, Burger King, reagoi menjëherë në seksionin e komenteve të videos virale me një koment thumbues: “Ne nuk mundëm ta përfundonim as ne. ”Komenti mori mbi 71 mijë pëlqime, duke treguar se publiku e përqafoi menjëherë humorin e rivalit. Pak më vonë, Burger King publikoi edhe një video të vetën ku Presidenti i kompanisë, Tom Curtis, shihet duke ngrënë një Whopper të plotë. Videoja shoqërohej me mbishkrimin ironik: “Menduam ta riluajmë edhe një herë këtë.”
Wendy’s i bashkohet “lojës”
Edhe Wendy’s, e njohur për stilin e saj të drejtpërdrejtë dhe shpesh provokues në rrjetet sociale, nuk qëndroi jashtë kësaj “beteje”. Kompania publikoi një video ku presidenti i saj në SHBA shihet duke ngrënë me oreks një burger, ndërsa mbishkrimi thoshte: “Kështu duket kur nuk duhet të pretendosh se të pëlqen produkti yt.”
Kur marketingu bëhet spektakël
Rasti është një tjetër shembull se si rivaliteti mes markave mund të kthehet në një moment viral marketingu. Në epokën e rrjeteve sociale, edhe një video e shkurtër – apo një kafshatë shumë e vogël nga një burger – mund të ndezë një debat global dhe të përfshijë konkurrentët në një duel kreativ për vëmendjen e publikut. Në fund, përtej humorit dhe thumbimeve, fituesi më i madh mund të jetë vetë industria e fast-food: miliona përdorues në rrjetet sociale po flasin për burgerë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto