20-vjeçarja padit Meta dhe Google: “Varësia nga rrjetet sociale më la me ankth dhe depresion” - Business Magazine Albania

20-vjeçarja padit Meta dhe Google: “Varësia nga rrjetet sociale më la me ankth dhe depresion”

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Një 20-vjeçare nga Kalifornia, e identifikuar në gjykatë si Kaley G.M., ka paditur kompanitë Meta (Instagram) dhe Google (YouTube), duke pretenduar se varësia nga rrjetet sociale gjatë fëmijërisë i ka shkaktuar dëme serioze në shëndetin mendor.

Gjatë dëshmisë së saj në Gjykatën e Qarkut të Los Anxhelosit, ajo tha se filloi të përdorte YouTube që në moshën 6-vjeçare dhe Instagram në moshën 9-vjeçare. Sipas saj, përdorimi i tepruar i këtyre platformave e bëri të ndihej e varur, e pasigurt për pamjen e saj dhe e paaftë për të hequr dorë nga telefoni.

Kaley deklaroi se përdorimi obsesiv i rrjeteve sociale ndikoi negativisht në performancën e saj në shkollë, i prishi gjumin, kufizoi jetën sociale jashtë internetit dhe tensionoi marrëdhëniet familjare. Ajo tregoi se përjetoi ankth dhe depresion të thellë, madje në moshën 10-vjeçare filloi të dëmtonte veten si mënyrë për të përballuar gjendjen emocionale, edhe pse tha se nuk ka tentuar kurrë t’i japë fund jetës.

Ajo rrëfeu se kur nëna e saj i merrte telefonin për periudha të caktuara, reagimi i saj ishte me zemërim dhe ankth të shtuar. Edhe sot, si e rritur, ajo tha se e ka shumë të vështirë të qëndrojë pa rrjetet sociale. “Nuk mundem, është shumë e vështirë të jem pa to,” u shpreh ajo në gjykatë. Sipas saj, kur nuk kishte telefonin, ndiente sikur një pjesë e madhe e saj mungonte dhe kjo e çonte në panik.

Lexo edhe:Si inteligjenca artificiale po i frymëzon kompanitë të punësojnë bazuar tek aftësitë, jo diplomat

Padia pretendon se Meta dhe Google kanë projektuar platformat e tyre në mënyrë që të mbajnë përdoruesit sa më gjatë online, përmes funksioneve si video që nisin automatikisht, “scroll” i pafund dhe butonat “like” që nxisin nevojën për miratim dhe vlerësim nga të tjerët. Avokatët e saj argumentojnë se këto elemente janë krijuar për të tërhequr sidomos fëmijët dhe adoleshentët, edhe pse kompanitë ishin të vetëdijshme për rreziqet që mund të sjellin për shëndetin mendor.

Një psikoterapiste që e kishte trajtuar Kaley-n në moshën 13-14 vjeç dëshmoi se përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale ishte një faktor që ndikoi në problemet e saj, të diagnostikuara si fobi sociale dhe çrregullim i perceptimit të trupit.

Nga ana tjetër, Meta dhe Google i mohojnë akuzat. Avokatët e tyre argumentojnë se provat nuk tregojnë se dizajni i platformave ishte shkaku kryesor i problemeve të saj. Ata theksuan gjithashtu se dosjet mjekësore të Kaley-t tregojnë një histori marrëdhëniesh të vështira familjare dhe abuzimi verbal e fizik, faktorë që sipas tyre mund të kenë ndikuar në gjendjen e saj.

Rasti është pjesë e një debati më të gjerë global mbi ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët dhe adoleshentët. Disa vende, si Australia, kanë ndaluar përdorimin e këtyre platformave për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa vende të tjera po shqyrtojnë masa të ngjashme. Për të fituar çështjen, avokatët e Kaley-t duhet të provojnë se mënyra si janë dizajnuar dhe operuar këto platforma ka qenë një faktor thelbësor në përkeqësimin e shëndetit të saj mendor.

Ndërkohë, Kaley punon si blerëse personale në Walmart, ka përfunduar një diplomë dyvjeçare në komunikim dhe synon të vazhdojë studimet për të ndërtuar një karrierë pikërisht në fushën e mediave sociale – një paradoks që e bën këtë çështje edhe më të ndërlikuar.

reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0