Mbrëmë u transmetua episodi i pestë i Think Big, dhe në qendër ishte Diego Pisa, CEO i Teleperformance Albania. Një napoletan me shpirt rebel e vizionar, Pisa e pa Tiranën ndryshe që në vitin 2007, kur krahas Rumanisë dhe Argjentinës po eksploronte terrene të reja për grupin. Shqipëria fitoi sepse, siç shprehet ai: “Pashë tek shqiptarët të njëjtin zjarr që kisha edhe unë. Një popullësi e re, ambicioze, me një dëshirë të madhe për t’u shpërblyer.”
Që nga ajo kohë, Teleperformance Albania është rritur nga zero në mbi 3,500 punonjës dhe është sot një prej punëdhënësve më të mëdhenj e të besueshëm në treg. Pisa e kujton me humor fillimin: “Në vitin 2007 isha duke zhvilluar tre projekte paralele: Shqipëri, Rumani, Argjentinë. Kur erdha këtu, u dashurova dhe i kërkova grupit të investonte në Shqipëri.” Koha i dha të drejtë.
Përtej “call center”-it klasik
Pisa është i prerë kur sqaron çfarë Teleperformance nuk është: “Në Shqipëri, për fat të keq, ekziston prirja për të menduar se jemi një call center tipik, që bën shitje telefonike. Këtë e kemi ndërprerë që në vitin 2014. Sot ofrojmë asistencë, konsulencë për klientët dhe digjitalizim për kompani të mëdha ndërkombëtare.” Ai thekson se shërbimet e Teleperformance shkojnë nga ndërveprimet multikanale (telefon, chat, email, WhatsApp) deri tek zhvillimi i softuerëve dhe integrimi i inteligjencës artificiale.
Vlera e shtuar, jo vetëm kosto
Shqipëria në fillim tërhoqi investitorë për shkak të kostos së ulët të punës, por Pisa shpjegon se kjo nuk është e qëndrueshme: “Sfida më e madhe e një vendi është të pozicionohet në shërbime me vlerë të shtuar të lartë. Për këtë duhen aftësi, njohuri dhe kompetenca.” Duke iu referuar vetë shqiptarëve, ai shton: “Shqiptarët janë krenarë dhe të ndershëm. Kur kanë për të zgjidhur një problem, e marrin dhe e zgjidhin. Kthehet në personale.”
“People first” si kulturë
Një nga elementët që e diferencojnë Teleperformance është qasja ndaj njerëzve: “Punonjësi është në qendër të vëmendjes. Ne kemi një organigramë të strukturuar, rreth 10% e stafit merret vetëm me organizim dhe zhvillim. Kjo është arsyeja pse jemi certifikuar prej vitesh si ‘Great Place to Work’.” Pisa shton: “Sapo je pjesë e Teleperformance, nuk je më thjesht në Shqipëri, Itali apo Francë, por në TP. Është njësoj sikur të jesh në të gjitha 90 vendet ku operon kompania.”
AI: konfuzion artificial, por edhe mundësi
Duke folur për inteligjencën artificiale, Pisa thekson: “Ka vite që dëgjojmë se e ardhmja është katastrofike dhe se njerëzit do të zëvendësohen. Sot jemi në një moment ‘konfuzioni artificial’, me mijëra aplikacione që nuk kuptohet ende cili është përdorimi i tyre real. Është e vërtetë që shërbimet me vlerë të ulët zëvendësohen, por bota po bëhet gjithnjë e më komplekse dhe kjo sjell anomali që vetëm njerëzit mund t’i zgjidhin.” Ai shton me optimizëm: “AI është demokratike, sepse kushdo mund ta përdorë. Por mënyra si e pyet një pajisje, frut i përvojës tënde, përcakton cilësinë e përgjigjes.”
Shqipëria si qendër sigurie për Europën
Një moment kyç i intervistës ishte kur Pisa zbuloi se qendra e sigurisë kibernetike për të gjithë Europën ndodhet në Tiranë: “Përgjegjësi IT i rrjetit europian është shqiptar. Përgjegjësi i security assessment po ashtu është këtu, në Shqipëri. Kjo tregon qartë nivelin e kompetencës që ofron vendi.”
Pisa është i bindur se e ardhmja e të rinjve shqiptarë nuk duhet të jetë e lidhur domosdoshmërisht me emigracionin: “Në një botë globale nuk është e çuditshme që të ikin. Nuk është mirë që të jenë të detyruar të ikin. Duhet të krijohen kushtet që të bëjnë karrierë këtu. Ne kemi rritur menaxherë lokalë dhe kjo është rruga e shëndetshme.”
Ky episod i Think Big nuk solli vetëm historinë e një kompanie suksesi, por edhe mesazhin e qartë se Shqipëria mund të jetë një qendër ekselence për teknologjinë, sigurinë dhe shërbimet me vlerë të lartë. Për të rinjtë, frymëzimi është i dukshëm: “Nëse ke zjarr, ambicie dhe integritet, mund të bësh karrierë këtu, ashtu si kudo në Europë.”
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto