"Shkolla Digjitale", nga pasioni për kodimin tek përgatitja e gjeneratës që do të udhëheqë tregun e së ardhmes - Business Magazine Albania

“Shkolla Digjitale”, nga pasioni për kodimin tek përgatitja e gjeneratës që do të udhëheqë tregun e së ardhmes

"Shkolla Digjitale", nga pasioni për kodimin tek përgatitja e gjeneratës që do të udhëheqë tregun e së ardhmes

Nga Eni Muça– Në Shqipëri po rritet gjithnjë e më shumë kërkesa për aftësi të lidhura me teknologjinë, programimin dhe inteligjencën artificiale. Megjithatë, përtej aftësive teknike, ajo që po bëhet vendimtare është mënyra e të menduarit: logjika, struktura, kreativiteti. Këtu hyn në lojë Shkolla Digjitale, një institucion që ka hyrë në vitin e dytë të tij në Tiranë, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar me eksperiencë mbi një dekadë në edukimin teknologjik. Dritan Vreshta, Drejtor Ekzekutiv i Shkollës Digjitale Tiranë, ndan për Business Magazine arsyet pse programimi dhe AI nuk janë më opsione shtesë në edukim, por nevojë themelore për fëmijët dhe të rinjtë.

Pse është e rëndësishme që fëmijët të mësojnë kodim dhe AI që në moshë të vogël?

Në fakt, pyetja lidhet jo thjesht me kodimin apo me inteligjencën artificiale, por me një aftësi më themelore: të menduarit logjik dhe të strukturuar. Kur fëmijët mësojnë të programojnë, ata në thelb po mësojnë të organizojnë mendimin e tyre, të ndajnë një problem në hapa të qartë dhe të gjejnë zgjidhje sistematike. Ky është themeli i çdo procesi krijues apo teknologjik.

Pasi e zotërojnë këtë mënyrë të të menduarit, kalimi drejt kodimit bëhet i natyrshëm – sepse kodi nuk është gjë tjetër veçse përkthimi i mendimit të strukturuar në një gjuhë që e kupton kompjuteri. Dhe pikërisht këtu fillon lidhja me inteligjencën artificiale: fëmijët që mësojnë të mendojnë si krijues, jo vetëm si përdorues, janë më të përgatitur të kuptojnë dhe të ndër veprojnë me teknologjitë e së ardhmes.

Në këtë mënyrë, mësimi i kodimit dhe i AI nuk është qëllim në vetvete, por një proces që zhvillon te fëmijët aftësi jetësore për zgjidhjen e problemeve, për kreativitetin dhe për të qenë kontribuues aktivë në botën digjitale që po vjen.

Si ndikon programimi në zhvillimin logjik dhe kreativ të fëmijës?

Programimi është më shumë se një aftësi teknike; ai është një mënyrë për të strukturuar mendimin. Përmes tij, fëmijët mësojnë të ndajnë një problem kompleks në hapa të thjeshtë, të analizojnë situata dhe të gjejnë zgjidhje të qarta. Ky proces ushqen logjikën formale dhe mendimin analitik, të cilat janë thelbësore jo vetëm në teknologji, por në çdo fushë të jetës. Në të njëjtën kohë, programimi është një hapësirë e fuqishme për kreativitet. Kur fëmijët përballen me sfida të reja, ata përdorin imagjinatën për të gjetur rrugë të ndryshme zgjidhjeje dhe e shndërrojnë idenë në realitet përmes kodit. Në këtë mënyrë, logjika dhe krijimtaria bashkëjetojnë në mënyrë natyrale. Kjo është arsyeja pse programimi nuk është thjesht një aftësi praktike, por një mjet që harmonizon mënyrën se si fëmijët mendojnë dhe krijojnë, duke i përgatitur ata për të qenë problem-zgjidhës dhe inovatorë të së ardhmes.

A sigurojnë të ardhmen në aspektin financiar këto aftësi?

Aftësia për të programuar nuk është thjesht një “hard skill” shtesë; ajo është një kombinim i fuqishëm midis kapaciteteve intelektuale të individit dhe kërkesave konkrete të tregut modern të punës. Një profesionist që di të programojë nuk është vetëm teknikisht i aftë, por është i pajisur me mënyrën e të menduarit që i mundëson të përshtatet dhe të krijojë vlerë në çdo industri. Edhe pse nxënësit tanë i përkasin moshës 8–18 vjeç, pra ende në fazë formimi, shumë prej tyre arrijnë të angazhohen që herët në projekte individuale apo bashkëpunime me kompani. Kjo tregon se këto aftësi kanë një vlerë reale në treg dhe mund të përkthehen në përfitime financiare që në moshë të re. Në perspektivë afatgjatë, programimi dhe njohuritë në teknologjitë e reja – përfshirë AI – u japin të rinjve siguri financiare, sepse i bëjnë ata të konkurrueshëm globalisht dhe të aftë të ndërtojnë jo vetëm karriera, por edhe biznese të reja në ekonominë digjitale.

Lexo edhe:Shkolla Digjitale, startup-i kosovar që ka marrë përmasa ndërkombëtare

Si i përgatit shkolla juaj nxënësit për tregun e së ardhmes?

Shkolla Digjitale i përgatit nxënësit për tregun e së ardhmes duke kombinuar eksperiencën e saj shumëvjeçare me një qasje ndërkombëtare dhe dinamike ndaj edukimit.

  • Eksperienca 10+ vjeçare në edukimin teknologjik na ka dhënë siguri dhe qëndrueshmëri për të ndërtuar një model arsimor që shkon përtej teorisë, duke u lidhur drejtpërdrejt me kërkesat reale të tregut të punës.
  • Prania në rreth 20 vende të botës na ofron një perspektivë të gjerë mbi tendencat globale, duke na lejuar të përshtatim programet tona në mënyrë që nxënësit të jenë konkurrues kudo ku të zgjedhin të zhvillojnë karrierën e tyre.
  • Kurrikula e përditësuar vazhdimisht, e bazuar në eksperiencën tonë ndërkombëtare, siguron që nxënësit tanë të marrin njohuri të kohës, të aplikueshme dhe të kërkuara në tregun modern.

Në këtë mënyrë, Shkolla Digjitale nuk u mëson fëmijëve vetëm aftësi teknike, por u jep një avantazh strategjik: përgatitjen për një treg pune që është global, i lëvizshëm dhe gjithnjë në transformim.

Cilat janë historitë e suksesit nga nxënësit tuaj me të cilët krenoheni?

Shkolla Digjitale Tiranë është pjesë e një rrjeti global shkollash, dhe megjithëse ky është vetëm viti i dytë i operimit tonë në Shqipëri, nxënësit tanë kanë arritur rezultate që na bëjnë krenarë.

  • Shumë prej tyre kanë fituar çmime në Hackathon-et e zhvilluara në Tiranë, duke treguar se aftësitë e tyre konkurruese përballen denjësisht me sfida reale.
  • Disa projekte të zhvilluara nga nxënësit janë komercializuar, duke u zbatuar në procese konkrete biznesi – një tregues se ata nuk ndalen vetëm tek teoria, por arrijnë të krijojnë vlerë praktike.
  • Dy prej nxënësve tanë janë tashmë të punësuar në kompani zhvillimi software, ndërsa shumë të tjerë kanë zgjedhur të ndjekin karrierën akademike në universitete prestigjioze në fushën e teknologjisë.

Këto janë vetëm fillimet tona, por rezultatet tregojnë se kemi një gjeneratë të re që jo vetëm mëson, por edhe po sjell risi, ndërton dhe shikon me entuziazëm drejt së ardhmes.

Çfarë ndryshimi shihni tek një fëmijë pas 6 muajsh mësim?

Shpesh ndodh që fëmijët regjistrohen fillimisht në Shkollën Digjitale nga iniciativa e prindërve, të cilët duan t’i ekspozojnë ndaj botës së programimit. Por pas disa muajsh, janë vetë fëmijët që e përqafojnë programin dhe e bëjnë pjesë të identitetit të tyre. Në fillim, programimi shihet si një lojë – një aktivitet argëtues me kompjuter. Shumë shpejt, fëmijët zbulojnë dimensionin krijues të tij: aftësinë për të ndërtuar diçka nga e para, për të zgjidhur probleme dhe për ta parë idenë e tyre të funksionojë në realitet. Pas vetëm 6 muajsh, ndryshimi është i dukshëm: nga një kuriozitet i thjeshtë, programimi shndërrohet në një pasion. Fëmijët fitojnë më shumë vetëbesim, mendojnë më logjikisht, shprehen më lirshëm në ide dhe ndihen krenarë për arritjet e tyre. Ky është transformimi që na motivon çdo ditë.

Si është dita e dikujt kur zgjedh Shkollën Digjitale?

Një ditë mësimi në Shkollën Digjitale është gjithmonë e mbushur me energji, entuziazëm dhe krijimtari. Atmosfera e punës në grup dhe mbështetja e instruktorëve i bëjnë nxënësit të padurueshëm për të çuar përpara idetë e tyre. Shumë shpesh, çdo orë mësimi është një hap drejt finalizimit të një projekti që ata mezi presin ta prezantojnë. Procesi nuk është vetëm mësim teknik, por një eksperiencë ku fëmijët mësojnë të punojnë së bashku, të marrin përgjegjësi dhe të shohin rezultatet konkrete të punës së tyre. Rezultati? Projekte që shpesh na bëjnë krenarë të gjithëve, sepse janë produkt i pasionit, i përkushtimit dhe i një procesi të qartë drejt një qëllimi.

Cili është tipari që kjo shkollë ofron nga dita e parë pa e ndryshuar dhe çfarë “serviret” ndryshe këtë vit?

Që nga dita e parë, Shkolla Digjitale ka pasur një qëllim të pandryshueshëm: ta bëjë mësimin një aktivitet të dashur, pjesë të lojës dhe argëtimit të fëmijëve. Ne e kemi ndërtuar metodologjinë mbi modelin Edutainment (Edukimi + Argëtimi), duke e kthyer çdo orë mësimi në një eksperiencë që kombinohet mes dijes dhe pasionit. Ky është tipari që nuk ka ndryshuar kurrë. Ajo që sjellim ndryshe këtë vit është integrimi më i thellë i Inteligjencës Artificiale në programet tona. AI tashmë është pjesë e kurikulës dhe përdoret si mjet që i ndihmon fëmijët të personalizojnë mënyrën e të mësuarit, të zhvillojnë aftësi të avancuara dhe njëkohësisht ta përdorin edhe për argëtim kreativ. Në këtë mënyrë, çdo risi teknologjike e tregut reflektohet menjëherë tek nxënësit tanë, duke i mbajtur ata një hap përpara me zhvillimet globale.

Ku e shihni shkollën tuaj pas 10 vitesh?  

Rrjeti global i Shkollave Digjitale ka tashmë mbi 10 vite eksperiencë në edukimin teknologjik dhe programim. Pas një dekade, vizioni ynë është që Shkolla Digjitale të bëhet pjesë integrale e çdo nxënësi në Shqipëri që dëshiron të eksplorojë dhe të zhvillojë aftësitë e tij në teknologji dhe kodim. Për ta arritur këtë, synojmë të jemi të pranishëm dhe të aksesueshëm në të paktën 15 lokacione në Shqipëri, duke kombinuar standarde globale me nevojat lokale të fëmijëve. Objektivi ynë afatgjatë është të krijojmë një gjeneratë të re të rinjsh që jo vetëm zotërojnë teknologjinë, por janë edhe krijues dhe inovatorë në ekonomi dhe shoqëri.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0