Revolucioni teknologjik që premton ushqime të skuqura më të shëndetshme - Business Magazine Albania

Revolucioni teknologjik që premton ushqime të skuqura më të shëndetshme

Revolucioni teknologjik që premton ushqime të skuqura më të shëndetshme

Beyond Oil, një kompani izraelite ka zhvilluar një formulë teknologjike inovative që premton një konsum më të shëndetshëm të ushqimeve të skuqura. Ky zbulim i ri adreson një problem global: përdorimi i përsëritur i vajit për skuqje, që çon në zhvillimin e substancave të dëmshme si grimcat e djegura të ushqimit, acidet yndyrore të lira (FFA), hidrokarburet aromatike policiklike (PAH) dhe akrilamidi (AA), element që rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit.

Përdorimi i përsëritur i vajit për ditë të tëra është një problem i madh shëndetësor në mbarë botën. Kjo praktikë masive në industrinë globale të ushqimit ndodh në kuzhinat e restoranteve, hoteleve, shërbimeve të kateringut dhe fabrikave të ushqimeve të skuqura. Ndërrimi i vajit çdo herë, siç bëhet në shtëpi apo edhe një herë në ditë, do të rriste ndjeshëm çmimet e ushqimeve. Konsumatorët janë kryesisht të pavetëdijshëm për këtë problem dhe nuk kanë fuqinë për të sjellë ndryshimet e nevojshme. Zgjidhjet duhet të vijnë nga qeveritë dhe organizatat shëndetësore në mbarë botën.

Ky inovacion nga Beyond Oil synon të trajtojë këtë problem, duke ofruar një alternativë që lejon përdorimin e vajit për më shumë kohë pa krijuar substanca të dëmshme, duke bërë kështu të mundur një konsum më të shëndetshëm të ushqimeve të skuqura për njerëzit anembanë globit.

Studimet e kompanisë  në bashkëpunim me ekspertë të njohur nga Universiteti Hebraik dhe spitale të ndryshme, kanë konfirmuar se pluhuri i filtrimit i zhvilluar prej tyre absorbon toksinat dhe rikthen vajin në gjendjen e tij origjinale. Kjo i lejon restorantet të ripërdorin vajin për disa ditë, duke mbrojtur kështu konsumatorët dhe stafin e kuzhinës nga ekspozimi ndaj substancave të dëmshme.

Lexo edhe: Sa kafe pini në ditë? A mund të dëmtojë zemrën zakoni juaj i përditshëm?

Prof. Oren Frochter, kreu i Departamentit të Pulmonologjisë dhe Kujdesit Intensiv Respirator në Qendrën Mjekësore Wolfson dhe Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tel Avivit, thekson në studimin e tij se “stafi i kuzhinës në restorante, hotele, salla eventesh dhe fabrika skuqjeje, thithin avujt e skuqjes gjatë gjithë orëve të punës, pa e ditur faktin kritik se ushqimi është skuqur në të njëjtin vaj qindra herë për disa ditë, duke i ekspozuar ata ndaj rrezikut të kancereve të ndryshme.” Studimi i tij përfundon: “Zakonisht, fusha mjekësore raporton për barna dhe trajtime të reja kundër kancerit për të ndihmuar njerëzimin të përballojë këtë sëmundje vdekjeprurëse. Në këtë rast, përdorimi i pluhurit të filtrimit të Beyond Oil është një masë parandaluese që mund të zvogëlojë sëmundjet e shkaktuara nga ekspozimi ndaj avujve të skuqjes.”

Prof. Frochter bën thirrje që sistemet shëndetësore globale të bashkëpunojnë me Beyond Oil: “Zgjidhja inovative e Beyond Oil përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën mjekësore duke zvogëluar sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë nga kanceret e shkaktuara nga ekspozimi ndaj avujve të skuqjes, duke përmirësuar ndjeshëm shëndetin e popullsisë në përgjithësi. Qasja parandaluese shëndetësore, që shumica e sistemeve shëndetësore në botë kanë adoptuar, mund të përfitojë nga rritja e ndërgjegjësimit publik, rregullimi dhe zbatimi i duhur, dhe rritja e vetëdijes për këtë sëmundshmëri dhe burimet e saj.”

Shumë restorante dhe kuzhina në Izrael dhe mbarë botën tashmë përdorin zgjidhjen e Beyond Oil. Aksionet e Beyond Oil kanë filluar së fundmi të tregtohen në bursën kanadeze, me një rritje të ndjeshme të vlerës së aksioneve. Kompania synon të vendosë formulën e saj si një standard global të detyrueshëm shëndetësor. Në Izrael, pluhuri i Beyond Oil shpërndahet ekskluzivisht nga Fandango, kompania më e madhe për mbledhjen e vajit në Izrael, e cila ka investuar në kompani gjatë një raundi të fundit financimi të njoftuar në bursë.

ats

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0