Një pasdite inspiruese me Kevin Sekniqi në Startup Grind Tirana - Business Magazine Albania

Një pasdite inspiruese me Kevin Sekniqi në Startup Grind Tirana

Eventi i fundit i Startup Grind Tirana pati nderin të mirëpriste Kevin Sekniqin, një figurë të shquar në fushat e teknologjisë, inovacionit, blockchain-it, sipërmarrjes dhe kriptovalutave. Me mbi 80 adhurues të teknologjisë të pranishëm , aktiviteti u kthye në një burim  frymëzimi dhe informacioni.Eventi filloi me një përshkrim të hollësishëm të rrugëtimit të Kevin Sekniqit, duke përfshirë fëmijërinë e tij, pasionet dhe arsimimin. Ky prezantim i dha pjesëmarrësve një kuptim më të thellë të bazave që e çuan Kevin në krijimin e Avalabs, një platformë revolucionare blockchain. Kevin ndau histori personale që nxirrnin në pah interesat e tij të hershme dhe momentet kyçe që ndezën shpirtin e tij sipërmarrës.

Një nga pikat kryesore të eventit ishte historia e lindjes së Avalabs. Kevin tregoi sesi u frymëzua për të nisur këtë projekt inovativ dhe sfidat që hasën gjatë rrugës. Ai dha disa këshilla shumë domethënëse për të qenë një sipërmarrës i suksesshëm. Sipas tij, tiparet kryesore për sukses janë:

Iniciativa: Të marrësh hapin e parë dhe të mos trembesh nga sfidat.
Vizioni i gjatë: Të mos dorëzohesh kurrë, pavarësisht vështirësive.
Mentaliteti i fituesit: Të mendosh gjithmonë për fitore dhe të punosh drejt saj.
Durimi: Të mendojnë për një periudhë më të gjatë dhe të eksperimentojnë deri në fund. Kevin theksoi se momenti i vetëm kur duhet të heqësh dorë është kur ke eksperimentuar dhe e sheh që nuk ka funksionuar.

Lexo edhe: Kevin Sekniqi, sipërmarrësi i biznesit të së ardhmes

Gjatë pyetjeve dhe përgjigjeve, Kevin foli për ëndrrat e tij që ende nuk janë realizuar, si transformimi i energjisë globale në energji bërthamore. Ky vizion i tij tregoi përkushtimin për një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme.

Kevin gjithashtu foli rreth projektit të tij më të ri, K4S6 Startup Fund, i cili ka për qëllim të nxisë zhvillimin e ekosistemit të startupeve në vend duke ofruar mbështetje dhe financime të konsiderueshme për ide inovative. Procesi i aplikimit është shumë i thjeshtë për këdo që është i interesuar për secilën nga kategoritë e mëposhtme:

Startup Track: 

Financimi varion nga $25,000 deri në $250,000 në varësi të seriozitetit dhe pjekurisë së startup-it. Pavarësisht sektorit, qoftë teknologji, shëndetësi, apo ndonjë industri  tjetër, ofrohet kapital dhe ekspertiza e nevojshme për të zgjeruar vizionin tuaj. Kushti minimal për aplikim është zakonisht një MVP (Minimum Viable Product). Nuk është e nevojshme të keni akumuluar një bazë përdoruesish, megjithëse kjo është një plus. Ajo që ka rëndësi është të keni treguar qartësisht aftësinë për të kaluar nga “zero në një” me idenë tuaj.

Fellows Track: 

Financimi është një tarifë fikse prej $5,000 në vit, e garantuar për dy vjet, ku kryesisht studentët apo të rinj të çdo moshe kanë mundësinë të thellohen tek ideja e tyre plotësisht, me opsion për rinovim për dy vjet shtesë nëse ka progres të dukshëm drejt materializimit të një ideje. Ky rrugëtim është për ëndërrimtarët që ende nuk kanë një koncept të qartë ndaj do t’ju ofrohen pagesa ne formë granti dhe një mjedis inkurajues për të eksploruar dhe zhvilluar idetë e tyre novatore, pa presionin nëse idetë rezultojnë fitimprurëse apo jo për momentin. Faktorët e rëndësishëm janë dëshira dhe nxitja për të ndërtuar të ardhmen.

Në fund të eventit, komuniteti tregoi një interes të madh duke bërë pyetje të ndryshme dhe duke u interesuar për temat që kishin pikëpyetje. Ky interaktivitet tregoi rëndësinë e ngjarjeve të tilla për të frymëzuar dhe edukuar sipërmarrësit e rinj dhe entuziastët e teknologjisë. Eventi i Startup Grind Tirana me Kevin Sekniqin ishte një sukses i vërtetë, duke ofruar një kombinim të rrallë të inspirimit dhe informacionit praktik për të gjithë të pranishmit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0