Një brand i ri veshjesh në treg, falë bashkëpunimit të Dren Abazit dhe kompanisë SAM
Një linjë veshjesh dhe aksesorësh është hedhur në treg me emrin e Dren Abazit. Kompania e prodhimit të veshjeve SAM, është angazhuar në prodhimin e veshjeve, duke sjellë në jetë një biznes të ri, të konceptuar, zhvilluar dhe nxjerrë në treg nga Felice Emanuels. Ne kemi zhvilluar një intervistë me Felice, inxhiniere e Designit Industrial.
Felice, ju po studioni në fushën e tekstileve, inxhinierisë, ndërsa prindërit e tu prej vitesh zhvillojnë prodhimin e veshjeve sportive me destinacion Europën dhe botën tashmë. Pasioni për tekstilet lindi tek ju, apo u kultivua nga pak duke u rritur në fabrikë dhe mes prodhimit?
Dega ime e bachelor-it dhe vija ime e inxhinierisë është “Industrial Design Engineering”, e cila e përkthyer në shqip është Inxhinieri e Dizajnit Industrial (dhe design në këtë rast nuk nënkupton ‘modë’). Ndryshe nga një inxhinieri tekstili, dega ime është e fokusuar në rrugëtimin e plotë të konkretizimit të një ideje në një produkt ose servis të marketueshëm dhe të përgatitur për t’u prezantuar në tregun e caktuar. Për këtë arsye, përgatitja ime profesionale nuk mbulon specifikisht industrinë e tekstilit, por industrinë e prodhimit, qoftë të produkteve fizike apo ato dixhitale. Një shembull është projekti im i diplomës, i cili ishte zhvillimi i një aplikatori për mikro-gjilpëra për përdorime mjekësore në shpërndarjen universale të mjekimeve.
Në lidhje me pasionin tim për tekstil, mund të them që më shumë kam pasion për krijimin, i cili në këtë moment është më i theksuar në zonën e tekstilit. E vetmja mënyrë se si jam rritur në industrinë e tekstilit është nëpërmjet njohurisë së punës që prindërit e mi bënin, sepse deri më tani, koha që kaloja me ata në punën e tyre ishte e pakët. Kështu që njohurinë kryesore e kam zhvilluar vetëm vitet e fundit. Tani që jam e rritur dhe mund ta kuptoj qartë procesin e plotë të prodhimit të veshjeve, të paktën në kompaninë tonë, kam kuptuar dhe marrë parasysh mënyrën e prodhimit dhe njohurinë e të gjitha proceseve të përfshira në linjën e prodhimit.
Vitin e kaluar SAM mbushi 30 vjet dhe ju jeni angazhuar më intensivisht, aq sa brenda pak muajve të sillni një linjë të re prodhimi dhe të nxirrni një brand në treg. A mund të na flisni për këtë?
Rastësisht, gjithë fillimi i brand-it erdhi pak pas festimit të 30 vjetorit të SAM dhe njohjes së re me Dren Abazin. Pas disa bisedash në lidhje me prodhimin tonë si SAM dhe idesë për të krijuar diçka për Drenin dhe fansat e tij, idea u përpunua, së bashku me disa veshje dhe testime dhe brenda 1-2 muajsh ramë dakort për të krjuar një brand të plotë në bashkëpunim me Dren Abazin.
Në prezantimin tuaj gjatë lançimit folët për një model të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm biznesi pa stok dhe me nje sistem efektiv shitje. A mund të na thoni më shumë për këtë? Pra një përmbledhje të prezantimit për këtë pjesë?
*kjo pyetje është e lidhur dhe me përgjigjen e pyetjes së mëposhtme
Një nga pikat thelbësore të brand-it është modeli i biznesit, në të cilin “made to order”, pra prodhim me porosi është kryesore në mënyrën se si operojmë. Kjo do të thotë se ne fillojmë prodhimin e produktit të porositur nga klienti vetëm në momentin që porosia është konfirmuar online dhe mënyra e pagesës është deklaruar. Kjo nënkupton që çdo veshje që është futur në linjën e prodhimit ka një klient. Arsyeja pse ky lloj modeli biznesi është i shëndetshëm, sidomos për një brand të ri, është sepse lejon për krijime të vazhdueshme, pa pasur nevojë për mbiprodhim. Për këtë arsye, prodhimi nuk kërkon investime afatgjata apo të mëdha. Këto vendime lejojnë për një ecuri të shëndetshme dhe të mundshme për brand-in.
Ne kemi një cikël të shkurtër prodhimi, që na e mundëson afërsia jonë me partnerë dhe furnitorë. Ardhja e lëndës së parë ndodh në një kohë të shkurtër dhe së bashku me ritmin e prodhimit, na lejon që të përgatisim një porosi brenda 1-2 dite pune dhe të arrijmë tek klienti në një afat të shkurtër kohor.
Eco është një tjetër moto e brandit tuaj të ri, si e keni zhvilluar këtë?
Për të dhënë një përgjigje të qartë, e shoh të nevojshme të qartësoj se preferoj termin “e qëndrueshme” më shume se sa “eco”, sepse eco përbën vetëm qëndrimin ekologjik, ndërsa “qëndrueshmëria” i shpjegon më mirë të gjitha aspektet, të cilat janë marrë parasysh për të pasur një brand të shëndetshëm.
Një mënyrë e të parit qëndrueshmërinë është 3P: people/njerëzit, planet/planeti dhe profit/përfitimi.
People/Njerëzit
Duke filluar me njerëzit, të pasurit një ambjent social të shëndetshëm, ku secili anëtar i stafit në çdo pjesë të prodhimit është i respektuar dhe përgjegjësia që i është dhënë secilit është brenda kapacitetit dhe peshës që mund të mbajë, është një bazë e fortë për qëndrueshmërinë nga ana “njerëzore”. Kjo është e nevojshme, sepse për të pasur një prodhim, dhe më saktë një prodhim të vazhdueshëm, të kesh njerëzit është themel për ekzistencën e kompanisë dhe brand-it.
Gjithashtu, lidhjet e ngushta me partnerët dhe furnitorët na lejojnë që brand-i të mund të krijojë prodhime të reja më shpejt, sepse ne kemi konfidencën me partnerët tanë për të kërkuar pëlhura dhe aksesorë sipas kërkesave tona, në përputhje me vizionin kreativ për brand-in.
Planeti
Nga ana tjetër, planet, ose ndryshe ana ekologjike e trajtimit të prodhimit fillon nga thelbi i modelit të biznesit, made-to-order, prodhim vetëm me porosi, që nuk lejon mundësinë për mbi-prodhim dhe mbajtje stok. Kjo automatikisht redukton mundësinë për ndotjen mjedisore. Njëkohësisht, prodhimi mundësohet nga energjia diellore nëpërmjet paneleve diellore të instaluara në kompani. Midis të tjerash, boja e përdorur për sublimacion është me bazë ujore dhe paketimi kryesor i veshjeve është bërë nga ne, me qëllim mospërdorimin e paketimeve një-përdorimshe dhe prezantimin e një paketimi multi-funksional.
Profit/Përfitimi
Së fundi, në lidhje me termin “profit”, në rastin e brand-it nënkupton që nuk krijojmë modele dhe koleksione një vit përpara, ndryshe nga shumë brand-e të modës. Kjo shmang stok-un si dhe nuk krijon nevojë për të bërë investime afatgjata. E gjithë kjo e bën biznesin më të shëndetshëm nga ana financiare.
Ju keni dizenjuar, jo vetëm veshjet, por edhe të gjithë linjën e ideimit, prodhimit, shpërndarjes, shitjes, marketingut, duke futur elementë interesantë, siç është edhe teksti i këngëve të Dren Abazit, për më tepër edhe i QR Code. A keni ndërtuar praktikisht një biznes të ri?
Për të pasur një brand të kompletuar dhe me një koncept të qartë për këdo që e sheh dhe ka interes, e shoh të nevojshme që në krijimin dhe zhvillimin e brand-it të kemi parasysh dizenjot, mënyrën e prodhimit, opsionet e shpërndarjeve të porosive, marketingun dhe sigurisht të përfshijmë në çdo pjesë kontekstin e brand-it, thelbi i së cilit është Dren Abazi.
Për këtë arsye, duke filluar nga paketimi multifunksional, i cili ka të përfshirë një nga titujt e këngëve të Dren Abazit, e kemi shoqëruar me një QR code special që kur skanohet e ri-drejton përdoruesin në këngën e përmendur në Spotify. Sigurisht, nga ana e prodhimit, optimizimi dhe mënyra në të cilën veshjet që ofrohen, përgatiten, është marrë parasysh që cilësia të jetë gjithmonë në standarde të larta dhe të qëndrueshme. Për më shumë, mënyra e fotografimit dhe e përcjelljes vizuale të produkteve synon që ta shfaqim si duhet stilin e brand-it, i cili është ndikuar direkte nga shijet dhe identiteti i Dren Abazit si artist, në skenë dhe jashtë saj.
Për ta përmbledhur, arsyeja pse të gjitha aspektet e mundshme janë marrë parasysh dhe vazhdohen të jenë në zhvillime, është sepse si brand, ne duam të përcjellim një emocion tek klienti ynë, siç dhe Dren Abazi përcjell një emocion dhe atmosferë në çdo performancë dhe këngë të tijën. Prandaj mendoj se në vend që të kemi bërë një biznes të ri, ne në fakt kemi krijuar dhe zhvilluar një brand të plotë.
Na flisni pak për dyqanin online, një koncept shumë të dashur sot, por dhe sfidues. Pashë që ju keni sjellë edhe gjetje praktike, si pagesa në forma të ndryshme dhe jo vetëm ato më të thjeshtat për një platformë, siç janë pagesat me kartë.
Zhvillimi i dyqanit online ka synuar të realizojë lidhjen e duhur me identitetin e brand-it. Për këtë arsye, e mora vetë përsipër dizenjimin dhe zhvillimin e dyqanit, sepse nuk pashë shumë mundësi në Shqipëri, ku një faqe e tillë të mund të përgatitej në një muaj dhe në bashkëpunim të plotë që të mund të përcillnim si duhet imazhin tonë. Por, një nga sfidat kryesore të hapjes së dyqanit online ishte mënyra e pagesave. Sipas komunikimeve me banka të ndryshme në Shqipëri, integrimi për pagesat me karta është, ose i pamundur për disa banka, ose i komplikuar, aq sa nuk ka personel në bankat përkatëse që mundëson integrimin si pjesë e shërbimit. Kjo rezultoi në manuale me 20 faqe dhe komunikime të pafrytshme, të cilat na lanë të fillonim shitjet online me Paypal. Por, nga komunikimet me klientë në Shqipëri dhe Kosovë, edhe pse Paypal e ka në shërbim mundësinë e pagesave, pa pasur nevojë për një account, shumë herë pagesat nuk mund të kryhen dot, sepse pagesat nga Shqipëria ( qoftë 10 euro apo 1000 euro), shihen shpeshherë si të dyshimta dhe me rregullat e tyre, rezulton gjithmonë në detyrimin për të pasur një account.
Për këtë arsye, punuam intensivisht me një nga bankat në Shqipëri për të bërë integrimin e pagesave me kartë direkte. Sigurisht, tani ne kemi si opsion edhe pagesat në dorë, sepse kemi vënë re që akoma nuk është në normalitet përdorimi i kartave të kreditit/debitit për njerëzit në Shqipëri dhe Kosovë. Me këtë të fundit, besoj se e kemi kompletuar shërbimin online, në mënyrë që secili person t’a ketë të mundur të bëjë një blerje. Por, më duhet të shtoj se shpresoj që nëpërmjet dyqanit tonë online dhe mënyrës sonë të operimit me pagesa, të futet në normalizim blerja online dhe pagesat me karta, siç tashmë ndodh prej vitesh në shumë pjesë të botës.
Në produktet tuaja, cili është inputi i Drenit? Sa është ai i përfshirë në design, stil, cilësinë e materialit etj? Ai dhe miqtë e tij tashmë vishen vetëm me brandin e tij.
Dren ka inpute në çdo aspekt të veshjes. Duke filluar nga dizenjot, ne kemi biseda dhe diskutime për tipin e dizenjove që ai preferon, si dhe kombinimeve që ne konkretisht i bëjmë, si për shembull në ngjyrat dhe pëlhurat e caktuara. Gjithashtu, Dren i teston vetë veshjet, duke parë pëlhurën, mënyrën e qepjes, fitting, duke dhënë një reagim dhe ide ku mund të bëhen sistemime, ose ndryshime. Nëpërmjet reagimit të tij ne kemi bërë dhe ndryshime në prodhim (për shembull, përdorimin e gjilpërave më të holla, ose prerjen e pëlhurës pas printimit). Ndaj, ka qenë dhe është i nevojshëm inputi i tij në cilësinë e prodhimit si dhe anës kreative dhe vizuale me të cilën shfaqim produktin final, që të mund të përcjellim një produkt që është 100% i formuluar si duhet.
Brand-i është reflektim i stilit të Dren-it, kështu që dhe në propozime ose ideime të reja, stili i tij merret parasysh në çdo vendim. Kështu që Dren është i përfshirë që në ideim dhe konceptim të një produkti, duke vazhduar në testim dhe kontroll të cilësisë dhe më pas në aprovimin final, që hap rrugë për futjen e produktit në dyqanin online.
Cilat janë prodhimet që po realizioni, çfarë lloj veshje dhe aksesorë?
Ne kemi filluar dyqanin online me këmisha të printuara për meshkuj dhe femra me pëlhurë të ndryshme, sipas zgjedhjeve të tyre. Kemi dizenjuar shalle për femra dhe meshkuj, disa prej tyre me tekste nga këngët e Drenit. Por, tashmë kemi këmisha nate si dhe fustane për femra. Sigurisht, ne jemi vazhdimisht në krijime të reja për femra dhe meshkuj, siç janë dhe jelekët dhe pantallonat që po përgatiten për linjën e meshkujve, dhe jemi gjithmonë në ideime dhe biseda për çfarë duam dhe mund të bëjmë.
Cilat janë planet tuaja në vijim lidhur me këtë linjë?
Deri tani, plani është të kemi një ritëm të rregullt në mënyrën se si përgatisim dhe hedhim në faqe produktet e reja, por gjithashtu kam në plan të ketë dhe një rregullsi në dizenjot e reja, që të mundësohen me një ritëm të rregullt.
Nga ana tjeter, nëpërmjet reagimeve të tregut si dhe ku shfaqet interesi, qoftë në gjini, grupmoshë apo dhe shtet, dua t’a përdor atë reagim në procesin tonë të krijimit si dhe në formulimin e një “target group” për të na udhëzuar në mënyrën se si mund t’u drejtohemi klientëve tanë dhe atyre potencialë në mënyrë që të kemi rritje të vazhdueshme në interes ndaj brand-it dhe rritje të shitjeve.
Artikulli u publikua më parë në faqen 56 të numrit 34 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 34 të saj.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.