Një projekt me vlerë 1.2 miliardë euro në energji ka fituar statusin “Projekt me Potencial Strategjik”. Projekti është i kombinuar fotovoltaik dhe eolik ndërkohë që KIS ka rrëzuar kërkesën e të paktën dy subjekteve të tjera që kanë kërkuar status investimi strategjik në sektorin e energjisë.
Projekti i miratuar sipas të dhënave të parashtruara nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) parashikon ndërtimin e një Parku i energjisë diellore 190 MW dhe të erës 636 MW, Tropojë. “Projekti i paraqitur është në përputhje me parashikimet e legjislacionit të investimeve strategjike, për përfitimin e statusit “projekt me potencial strategjik”. Vlera e investimit të projektit me potencial strategjik “Parku i energjisë diellore 190 MW dhe të erës 636 MW, Tropojë” plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1,2 miliardë euro. Projekti propozohet të realizohet nga subjekti Eralb Invest 2 sh.p.k., me NUIS M21823010B.
Projekti synon të realizojë një investim kompleks të përbërë nga një park i energjisë së erës me kapacitet 636 MW, ku do të instalohen 100 turbina ere si dhe nga një park fotovoltaik me kapacitet 190 MW, ku do të instalohen 418 500 panele diellore.
Subjekti ka ndarë projektin në faza, ku faza e parë do të fillojë me një fushatë matëse të burimeve të erës, faza e dytë do të përcaktojë gjurmën e saktë të projektit me vendndodhje të saktë për secilën turbinë dhe faza e tretë do të konsistojë në aplikimin për përfitimin e statusit përfundimtar ‘Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë’. Projekti synon të realizohet në një sipërfaqe prej 384.6 Ha dhe shtrihet në fshatrat Viçidol, Berishë, Luzhë dhe Paç, Bashkia Tropojë” thuhet në dokument. KIS në vendimin e tij specifikon “Miratimin e Statusit “Projekt me Potencial Strategjik” për projektin e investimit “Parku i energjisë diellore 190 MË dhe të erës 636 MW, Tropojë” propozuar nga subjekti Eralb Invest 2 sh.p.k, me NUIS M21823010B.
Statusi “Projekt me potencial strategjik” i jepet projektit të investimit “Parku i energjisë diellore 190 MË dhe të erës 636 MË, Tropojë” propozuar nga subjekti Eralb Invest 2 sh.p.k, për një periudhë 6 (gjashtë) mujore. Brenda kësaj periudhe, subjekti Eralb Invest 2 shpk duhet të aplikojë për përfitimin e statusit përfundimtar ‘Investim/investitor strategjik, procedure e veçantë”.
Lexo edhe:5 vendime për të cilat mund të pendoheni gjithë jetën
Plantacioni 140 ha me mollë dhe luleshtrydhe
Projekti për një plantacion 140 hektarë në Bashkinë e Maliqit ka fituar statusin e investimit strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Në një vendim të bërë tashmë public jepen specifikat mbi këtë projekt ku parashikohet që të kultivohen mollë dhe luleshtrydhe. “Subjekti aplikues propozon një investim në fushën e bujqësisë dhe synon ndërtimin e një plantacioni me mollë dhe luleshtrydhe në Zonën Kadastrale Nr. 3359, në Bashkinë Maliq.
Subjekti propozon që kultivimi i kulturës së mollës, të realizohet në një sipërfaqe prej afërsisht 140 (njëqind e dyzetë) ha me variacionet si Pink Lady & Fuggi dhe kultivimin e kulturës së luleshtrydhes, të realizohet në një sipërfaqe prej 40 (dyzet) ha. Sipërfaqja totale e synuar është rreth 180 (njëqind e tetëdhjetë) ha. Vlera e investimit të projektit të investimit “Plantacioni Mollë & Luleshtrydhe Sheqerasi” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 3,125,538 (tre milionë e njëqind e njëzetë e pesë mijë e pesëqind e tridhjetë e tetë) euro. Projekti i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike, duke parashikuar të punësojë 180 (njëqind e tetëdhjetë) persona” parashtrohet në vendimin e KIS.
Statusi “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar i miratuar tashmë nga KIS ka një afat 4-vjeçar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.