Në datën 8 qershor 2023, në ambientet e zyrës së GIZ Shqipëri u zhvillua aktiviteti prezantues i fazës së dytë të projektit “Zhvillim i Qëndrueshëm Rural”, financuar nga Qeveria Gjermane dhe Zvicerane dhe zbatuar nga GIZ Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
Projekti synon të nxisë rritjen e konkurrueshmërisë dhe të ardhurave në zonat rurale përgjatë zbatimit të tij në katër vitet e ardhshme (2023-2026), duke kontribuar më gjerë në zhvillimin e qëndrueshëm në vend. Duke punuar ngushtësisht me bizneset dhe qeverinë shqiptare, projekti do të mbështesë hartimin e politikave zhvillimore dhe praktikat inovatore në bujqësi dhe në turizmin rural, duke promovuar rritjen e gjelbër, dixhitalizimin dhe diversitetin, në përputhje me procesin e pranimit të vendit në BE.
Prodhimi bujqësor është në fokus të projektit, me theks të veçantë tek perimet në sera, frutat dhe produktet e bulmetit. Nëpërmjet iniciativave të tilla si adoptimi i metodave biologjike të kontrollit të dëmtuesve, synohet përmirësimi i cilësisë dhe sasisë së prodhimit të tyre.
Në fjalën e saj, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Znj. Frida Krifca tha se faza e dytë e projektit “Zhvillim i Qëndrueshëm Rural” vendos në dispozicion të fermerëve një mjet shtesë për të rritur produktivitetin në ferma.
Paralelisht me mbështetjen në sektorin bujqësor, projekti synon promovimin e turizmit rural me fokus agroturizmin, turizmin e aventurës dhe menaxhimin e destinacioneve turistike.
“Kemi filluar komunikimet me ITB BERLIN, panairin më të madh në botë të turizmit, që Shqipëria të jetë vendi i nderit në vitin 2025, ç’ka përkthehet në një sërë aktivitetesh nga viti 2024 deri në vitin 2025 dhe ftoj partnerët që të na mbështesin në këtë projekt të ri.”: tha Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Znj. Mirela Kumbaro.
Lexo: WhatsApp ‘nxjerr’ nga loja AirDrop, vjen me ndryshimin e madh
Projekti do të mbështesë krijimin e modeleve të suksesshme pilote në të dy sektorët, me qëllim replikimin e tyre të mëtejshëm në të gjithë tregun.
Ambasadori i Republikës Federale Gjermane, SH.T. Peter Zingraf përmendi disa nga këto modele si kontrolli biologjik në sera apo platforma inovative e turizmit, me qëllim përmirësimin e produkteve turistike kudo në Shqipëri.
Ndërsa Zëvendës Shefi i Misionit Zviceran në Shqipëri, Dr. Patrik Meier theksoi rëndësinë që luan bashkëpunimi mes donatorëve dhe qeverisë shqiptare për zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri.
Në përfundim të aktivitetit, të ftuarit u prezantuan me disa prej produkteve lokale te certifikuara, produkteve të fruta-perimeve dhe bulmetit të mbështetura nga GIZ gjatë katër viteve të fundit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.