Narcizmi dhe egoizmi janë ndër gjetjet më frytdhënëse të Frojd-it, dhe ndër elementët më thelbësorë nga ku burojnë mjaft analiza kuptimplote të psikikës njerëzore.
Shpeshherë, narcizmi paralelizohet me egoizmin, duke nënkuptuar prirjen e individit për të qenë ‘vetja’. Nevoja e sqarimit të diferencës ndërmjet dy elementëve vjen si pasojë e mosndarjes së kuptimeve gjatë përdorjes. Të dy elementët janë fryt i punës psikanalitike, nga ku marrin edhe peshën më të madhe të kuptimit të tyre. Rrjedhimisht për shpjegimin e diferencave të dy elementëve do t’i referohem shkollës psikologjike nga ku ato burojnë.
Sipas Frojd-it, narcizismi parësor është ai i fëmijës së sapolindur. Sipas tij, libido (burimi i tij i energjisë) e fëmijës, akoma nuk e ka projektuar energjinë së jashtmi si dhe ndaj objekteve e subjekteve të ndryshme. Fëmija, në këtë rast nuk bën dot dallimin mes vetes dhe gjërave jashtë vetes, dhe si rrjedhojë, realiteti i botës së jashtme nuk ekziston për të. Të vetmet gjëra që kanë rëndësi për të janë: nevoja për të fjetur, për t’u ushqyer, për siguri dhe për kontakt fizik. Por, ndërkohë që për fëmijën realiteti i botës së jashtme akoma nuk është shfaqur, për një person narcistik, realiteti i botës së jashtme ka pushuar së ekzistuari. Në këtë rast, narcistiku shkëput marrëdhëniet me realitetin e jashtëm, duke u bërë kështu realitet i vetvetes.
Në rastin e një individi narcistik, ai nuk arrin të shikojë tjetrin të shkëputur nga vetja, dhe mendon se çdo njeri dhe send është në shërbim e plotësues i realitetit të tij, dhe asnjëherë si realitet më vete.
Një person narcistik dallohet lehtë. Ai është një tip që shfaq hapur ndjenjat e vetëkënaqësisë dhe vetrëndësisë. Zakonisht nuk dëgjon, dhe nuk i intereson se çfarë thonë të tjerët. Është lartësisht i ndjeshëm ndaj kritikave dhe mund të shprehet me inat apo depresion shpirtëror në rastet kur përballet me to. Ai do të priret t’i cilësojë kritikat si arrogante dhe personin që i bën si i pasjellshëm.
Sa më i fortë të jetë narcizmi, aq më pak personi narcist do të pranojë dështimin apo kritikat. Në shumë raste, narcizismi fshihet edhe pas një reagimi modest dhe të përulur, madje edhe pas një buzëqeshje të ngrohtë, që të gjitha kanë në thelb arritjen e një vetëadmirimi dhe vetëpëlqimi mediokër. Gjithashtu në rastet kur narcizismi i një individi goditet nga persona më të pushtetshëm, ai shprehet me inat shpirtëror ndaj personave goditës.
Si rregull, qenies njerëzore do t’i interesonte më tepër një individ pa narcizisëm për një bashkëjetesë të lehtë në komunitet, por kjo do t’i vështirësonte ekzistencën në shoqëri. Gjithsesi, kjo ka nevojë për një sqarim më të detajuar për t’u kuptuar një paradoks i tillë.
Në strukturën e personalitetit të ndërtuar nga Frojd-i, nëse uni është çdo gjë e dëshiruar nga ne në mënyrë primitive, dhe super-ego është tërësia e normave morale dhe etike të përfituara nga familja, feja dhe shoqëria, egoja, është instancë balancuese e dy instancave të sapopërmendura. Ego-ja është balancuesi ndërmjet dëshirave tona të paepura primitive dhe normave etike dhe morale, duke i mundësuar individit ekzistencën në një shoqëri, ku ekuilibri është domosdoshmëri. Pra, referuar psikanalizës, ego-ja është balancues dhe jo destabilizues.
Krahasuar me narcizismin, një person egoist është një individ që burimin e tij të energjisë, libidon, nuk e orienton drejt madhështisë së vetes, por drejt balancave për të rritur mirëfunksionimin e vetes. Pra një egoist nuk është një narcistik.
Tjetër diferencë mes narcizismit dhe egoizmit është që në narcizisëm, bota e jashtme ka pushuar së ekzistuari, ndërsa në egoizëm, bota e jashtme është e gjallë dhe e prekshme. Madje, ndërveprimi mes individit dhe botës së jashtme është tepër i lartë gjatë “momentit” kur egoja është në përpjekje për të vendosur balancat mes asaj që ne duam në mënyrë primitive, dhe asaj që na thonë normat morale dhe etike. Pra, nëse narcizimin e dëmton ndërveprimi me objektet dhe subjektet e botës së jashtme, për egoistin është kusht i pashmangshëm.
Ndër të tjera, veç dallimeve teorike, nëse një narcistik është i prirur të fajësojë të tjerët për humbjet e tij, dhe ka për qëllim të tregojë më shumë nga ç’është në të vërtetë. Një egoist nuk lejon t’i atribuohen merita të paqena. Nëse një narcistik nuk merr në konsideratë ndjenja dhe emocione tjera jashtë vetes, një egoist është përherë i hapur ndaj ndjenjave dhe emocioneve që i sigurojnë balancë dhe qëndrueshmëri dhe kontribuojnë në rritjen personale. Nëse një narcistik e ka të vështirë ta shikojë tjetrin të shkëputur nga vetja, për një egoist, një individ tjetër jashtë tij ka të drejtën e plotë të kërkojë mirëqenien personale njësoj si ai.
Pra një narcistik është një individ i pabalancuar dhe me një ego jo funksionale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.