Driton Emini, shqiptari që po drejton digjitalizimin e industrisë mobile në Europë - Business Magazine Albania

Driton Emini, shqiptari që po drejton digjitalizimin e industrisë mobile në Europë

Driton Emini

Nga refugjat në Top Management!  Ky ka qenë titulli i një shkrimi në një gazetë të njohur në Austri për Driton Eminin, tashmë Vice President Strategic Mobile Access në Deutsche Telekom. Dritoni na tregon sfidat dhe vështirësitë në jetën dhe karrierën e tij, duke nisur nga zhvendosja prej Kosove për në Gjermani, deri në shkallët e larta të karrierës së tij në Deutsche Telekom. Nuk ka qenë e lehtë për Dritonin, por me punë dhe me vendosmëri ia ka arritur të ketë sukses larg vendlindjes së tij.

BusinessMag në këtë artikull ju sjell një histori suksesi, ku Dritoni na tregon më shumë përmes një interviste.

Cilin moment do të konsideronit si fillimin e karrierës suaj?

Gjatë kohës që isha duke përfunduar punimin e diplomës, një temë e ideuar nga unë në bashkëpunim me “Technical University of Berlin” (Universiteti Teknik i Berlinit) dhe Telekomit të Gjermanisë (për rezultatet e së cilës mora “Siemens Exellence Award”), nënshkrova dhe kontratën e parë profesionale me Teleca (një kompani ndërkombëtare). Prej më shumë se dy vitesh në këtë kompani kam qenë i përfshirë në shumë projekte ndërkombëtare me aktivitet në Gjermani, USA, Kanada, Finlandë dhe Kroaci. Mund ta përshkruaj si një eksperiencë shumë të mirë, në të cilën, përveç zhvillimit profesional, u përballa dhe mora eksperiencë në Menaxhim Projektesh (Project Management), lidership e në domethënien e diversitetit brenda një grupi dhe lidhjen mes diversitetit dhe suksesit të një ndërmarrjeje. Pas eksperiencës në Teleca, vendosa të kthehem në familjen e Deutsche Telekom, këtë herë në Austri. Në fakt, këtu daton dhe fillimi i një karriere në lidership, karrierë kjo e përkrahur nga nivelet menaxheriale më të larta të kompanisë, si në Vjenë, po ashtu dhe në zyrat qëndrore në Bonn.

Si do ta përshkruanit tranzicionin tuaj nga Kosova në mjedisin e ri të punës jashtë vendit?

Zhvendosja nga Kosova në Gjermani nuk ishte aspak e lehtë dhe me shumë sfida në vazhdimësi. Në moshën 16 vjeçare, sapo kisha përfunduar ciklin e ulët. U detyrova i vetëm të largohem nga vendi im si rezultat i zhvillimeve politike të kohës në Kosovë. Arritja në Gjermani ishte shok kulturor, një djalosh nga një fshat i vogël i Kosovës, në metropolin e Europës në Berlin, në një vend me shumë mundësi, por dhe me shumë sfida. Një vend, i cili shumë shpejt do të bëhej si vendlindja ime. Iu qasa rrugës së shkollimit, edhe pse administrata më ktheu 3 vite mbrapa. Mësova shpejt gjuhën gjermane, përfundova nivelet shtesë të shkollimit dhe përfundova maturën. Rruga ishte hapur për studimet në Universitetin Teknik të Berlinit, ku pas 6 viteve përfundova studimet me sukses të lartë.

Me cilat arritje, rritje, bashkëpunime apo nisma krenoheni sot? Kujt ia atribuoni këto arritje?

Gjatë viteve të angazhimit tim në T-Mobile Austria kisha fatin të punoja me kolegë dhe kolege, por edhe me një grup menaxherial, i cili gjithmonë përkrahu nismat inovative që merrja. Ishim të parët në industri, të cilët shtruam rrjetin që hapi derën për qasjen e çdo GJËJE në internet (Internet of Things). Suksesi më i madh në Austri mbetet shtrirja e rrjetit 5G dhe komercializimi i tij, si rrjeti i parë në Europë. Kjo ishte madhështore për të gjithë ne. Lançimi i rrjetit u bë në prezencë të Kancelarit Austriak të kohës, ministrave dhe shefave të kabineteve si dhe natyrisht të menaxhmentit të lartë të Telekom, Gjermani. Ishte kulmi i sukseseve të mia në Austri, njëkohësisht edhe momenti më i mirë për të përfunduar misionin tim dhe për t’u kthyer prapë në Gjermani dhe vazhduar me projektet e tjera inovative.

Në tre vitet e fundit arritëm, së bashku me grupin tim, të ndërtojme bashkëpunime të rëndësishme me operatorët e tjerë, siç janë Vodafone dhe Telefonica, Deutsche Bahn (kompania e hekurudhave gjermane). Qëllimi ishte që nëpërmjet këtyre projekteve të rrisnim nivelin e mbulueshmërisë në pjesët ku konsumatorët tanë ende nuk kishin qasje në rrjete apo të rrisnim kapacitetin e rrjeteve. Partneriteti me Vodafone dhe Telefonica bazohet në zbatimin e një modeli biznesi, ku rrjetet përdoren së bashku (network sharing). Inovative këtu ishte zgjidhja teknike, duke qenë se për herë të parë në Gjermani u zbatua Active Network Sharing, madje, një konfigurim i adaptuar i rastit (use case-it) për herë të parë në botë.

Ajo që e bën historik këtë projekt ishte, sepse po bashkëpunonin për herë të parë dy industri krejtësisht të ndryshme në Gjermani: ajo telefonike me industrinë e hekurudhave. E gjitha kjo për një qëllim të përbashket: pasagjerët e Deustsche Bahn dhe konsumatorëve të Telekomit t’u ofroheshin shërbimet më të mira gjatë udhëtimit të tyre me tren, duke pasur kështu një eksperiencë të mirë udhëtimi.

Unë jam shumë i lumtur që misionin tim për implementimin e ideve inovative, çdo herë në shërbim të konsumatorëve tanë arrita ta vazhdoja edhe në Gjermani. Ky rrugëtim nuk do të ishte i mundur pa ndihmën dhe përkrahjen e menaxhmentin e lartë të Telekom në Bonn si dhe grupit tim të përbërë nga ekspertë shumë të motivuar.

Së fundi, por e para nga rëndësia, kam përkrahje të pafund nga familja ime, e cila asnjëherë nuk hezitoi të më përkrahë në zhvillimin e karrierës time.

Cilat duket se janë sfidat e industrisë mobile në Europë dhe në mbarë botën? Sidomos gjatë gjithë kësaj periudhe, e sforcuar nga inflacioni i lartë.

Do të dëshiroja që ta fillojmë me perceptimin dhe rëndësinë e industrisë së telekomunikacionit në shoqërinë tonë. Ne jemi dëshmitarë të zhvillimeve në tre vitet e fundit dhe pandemisë COVID 19. Ishte pikërisht industria jonë, krahas bluzave të bardha dhe stafit të sigurisë, si industri kyçe e cila kontribuoi masivisht në kapërcimin e kësaj krize globale. Kërkesat për shërbimet tona vazhdojnë të mbeten në nivel të lartë, natyrisht të lidhura ngushtë edhe me cilësinë: “Lidhje në çdo kohë e në çdo vend”. Trafiku i datave, gjeneruar në rrjetet tona, thuajse po dyfishohet nga viti në vit. Si rezultat i kësaj, operatorët detyrohen të bëjnë investime me shifra miliardëshe.

Një efekt shumë i qartë është rritja e e gjenerimit të trafikut në rrjetet tona, që rezulton në kërkesën më të lartë të brezave frekuencore.
Me fillimin e shtrirjes së rrjetit 5G në shumë shtete është dhënë brez frekuence shtesë, i ashtuquajturi brezi 3.x Ghz.Ka shumë rëndësi që këto breza frekuencore, si dhe të tjera t’i dedikohen industrisë të rrjeteve mobile (telefonisë së levizshme), në mënyrë që të jemi të përgatitur për të ardhmen.

Përveç kësaj, në disa shtete, përfshirë edhe Gjermaninë, kuadri ligjor dhe procesi i miratimit për vendosjen e antenave të reja duhet të ndryshohet. Me sfida të tilla po ballafaqohemi, sfida këto që munden të ndikojnë në ngadalësimin e proceseve të digjitalizimit të një vendi.

Cilat janë pritshmëritë në lidhje me industrinë? Çfarë risish sillni në grupin që drejtoni? Çfarë saktësisht shihni të jetë e ardhmja e industrisë dhe cilat duken të jenë risitë që do të sillni në grupin tuaj të industrive në të ardhmen e afërt?

E gjithë bota po flet për 5G, standardin më të ri në këtë industri. Nëse reflektojmë në 25 vitet e fundit, është pikërisht ky standard, që për herë të parë ofron një digjitalizim të vërtetë, karshi standardeve të mëparshme, siç janë 4G apo 3G. Për një antenë të vetme: me shumë kapacitet deri në disa-Gbps, mundësinë e lidhjes masive, p.sh. të miliona sensorëve si dhe një kohe shumë të shkurtër të reagimit në rrjete (latency) më pak se 10 ms. Pikërisht, këto dy kriteret e fundit hapin rrugën për raste përdorimi (use case), të cilat deri më tani nuk ishin të mundura. Po ashtu, ato hapin mundësi të madhe të bashkëpunimit mes industrive, startupeve apo fushës akademike. Për mua është një filozofi e re e krijimit të biznes-modeleve dhe bashkëpunimeve me protagonistë të industrive të ndryshme, p.sh. me industrinë automotive, drejt qëllimit të “automonous driving“.

Sidoqoftë, hapi i parë është shtrirja e rrjeteve dhe rritja e kapaciteteve të tyre. Pikërisht këtë përgjegjësi mora nga fillimi i Gushtit, ku me grupin tim udhëheqim strategjinë e zhvillimit të rrjeteve në Telekom të Gjermanisë, një domain shumë i rëndësishëm dhe përgjegjësia më e madhe krahasuar me atë që kisha deri më tani.

Businessmag është një media që synon sipërmarrësit dhe profesionistët. Çfarë mesazhi do të dëshironit të jepnit në rrugën e tyre kur vjen puna për të qenë të suksesshëm në karrierën e tyre, që vijnë nga mësimet që keni marrë gjatë gjithë karrierës suaj? Çfarë mesazhi do të dëshironit t’u kalonit atyre bazuar në përvojën tuaj?

Mendoj se jetojmë në një kohë shumë të volitshme, ku dritarja e mundësive për sipërmarrje është shumë e madhe, duke qenë se është krijuar një infrastrukturë digjitale si lehtësues për zhvillimin e ideve dhe zgjidhjeve që çojnë në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve. Të besojnë në idetë e tyre, të vetëdijshëm se gjatë rrugëtimit do të ballafaqohen me sfida të ndryshme. Dhe, qysh në fillim të jenë shumë të sigurt se kush do të jenë klientët e tyre. Është shumë me rëndësi, që pritshmëritë e klientëve potencialë të merren parasysh që herët në fazat e para të zhvillimit të idesë apo produkteve.

Çfarë mesazhi do t’u jepnit studentëve dhe startup-eve në industrinë e teknologjisë?

Vizion të qartë për idenë e tyre me porcion të shëndoshë realiteti, do të ishte miksimi më i mirë për realizimin e punës së tyre.

Lexoni edhe: 5 G në Europë udhëhiqet nga inxhinieri shqiptar Driton Emini

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0