Pasojat e luftës në Ukrainë po ndihen tashmë në ekonominë europiane, rritja e së cilës po ngadalësohet, ndërsa inflacioni ka marrë të përpjetën. Shkaku kryesor i kësaj situate është çmimi i energjisë. Konflikti ka bërë që Komisioni i BE-së ta ulë në mënyrë drastike parashikimin e tij të rritjes për ekonominë.
Sipas prognozës së pranverës ekonomia e BE-së dhe e vendeve të eurozonës pritet të rritet këtë vit vetëm me 2.7 për qind në vend të katër për qind që pritej më parë. Parashikimi për inflacionin në vendet e eurozonës në vitin 2022 pothuajse është dyfishuar në 6.1 për qind.
Autoritetet e Brukselit sqaruan se lufta në Ukrainë dhe mbi të gjitha çmimet e vazhdueshme të larta të energjisë dhe lëndëve të tjera të para po vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj ekonomisë. Këtyre u shtohen edhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit.
Për vitin e ardhshëm Komisioni supozon një rritje prej 2.3 për qind në BE dhe në eurozonë. Në prognozën e shkurtit komisioni kishte parashikuar për vitin 2023 një rritje prej 2.8 për qind për BE-në dhe 2.7 për qind për vendet e eurozonës.
Edhe parashikimi për ekonominë gjermane u korrigjua gjithashtu ndjeshëm, pjesërisht për shkak të luftës në Ukrainë. Komisioni i BE-së parashikon për këtë vit vetëm rritje prej 1.6 për qind, në vend të 3.6 për qind që pritej më parë. Vitin e ardhshëm ekonomia më e madhe e Europës, do të rritet me 2.4 për qind në vend të 2.6 për qind që ishte parashikuar më parë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.