Ende pa u rimëkëmbur nga pandemia, bota do të duhej të përballej me luftën më absurde për të gjithë njerëzit që jetojnë mbi Tokë aktualisht. Koncepte si lufta e dytë botërore, ishin vetëm nëpër libra, ndërsa të gjitha konfliket në shtete si Irak, apo Afganistan janë bërë në emër të lirisë dhe kundër regjimeve.
Sulmi ndaj Ukrainës ishte një luftë, për të cilën askush nuk ishte përgatitur, as ukrainasit e madje as vetë rusët. E shkuara e tyre e përbashkët dhe lidhje të ngushta edhe familjare, ende e bëjnë të pakonceptueshme këtë luftë.
Ka shkuar mbi 4 milionë numri i refugjatëve, ose rreth 10% e popullsisë. Dhimbja dhe kriza humanitare që po shoqëron këtë luftë, ku nuk respektohen as rregullat e luftës, ka prekur mbarë botën, më saktë një pjesë të mirë të saj. Perëndimi është tërësisht në mbështetje të Ukrainës, ndonëse nuk angazhohet ushtarakisht direkt në këtë drejtim për të shmangur një luftë të mundshme botërore. India, Kina dhe Vendet Arabe kanë abstenuar në dënimin e këtij vendimi.
Artikulli u publikua më parë në faqen 06 të numrit 28 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.
Por, ndërsa shikonim autokolonat me tanke drejt Rusisë, me siguri e gjithë bota e zhvilluar që kërkoi të “pushtojë” planete është gjendur para paradoksit: luftë në tokë? Me tanke, raketa, kallashnikonvë?! Duket sikur pushtimi rus na kthen 100 vite para, duke shumëzuar me zero të gjithë evoluimin e deritanishëm dhe miliarda euro të investuara në teknologji.
Por, një investim afatgjatë dhe zhvillimi i deritanishëm nuk mund të shuheshin në një natë. Me shpejtësi dhe në mënyrë të përshkallëzuar, shtetet dhe kompanitë multinacionale morën masat e tyre, duke e izoluar Rusinë dhe popullin e saj si asnjë vend në botë.
Kanë zgjedhur të pësojnë dëme ekonomike në emër të përgjegjësisë sociale, në emër të pozicionimit me kahun e të drejtësdrejt të drejtës, për të cilën konsumatorë në mbarë botën do t’i vlerësojnë më shumë. Shtetet nisën ndalimin e fluturimeve nga dhe prej Rusisë, ndaluan furnizimet, ndërsa u ofruan për të furnizuar shtetin ukrainas me mjete logjistike, por edhe me armë. Kompanitë ndërkombëtare, ndaluan shërbimet, duke prerë marrjen, por edhe dhënien e informacionit. Apple, Google, YouTube, Facebook, Starlink, Uber, Twitter, janë vendosur në mbështetje të Ukrainës dhe penalizuan me bllokim informacioni dhe promovimi në mediat online tregun rus.
Më vonë, McDonalds njoftoi mbylljen e përkohshme të 850 restoranteve në Rusi, ndërsa ka vendosur të vazhdojë të paguajë 62.000 punonjësit që kanë dhënë shpirt e trup për markën e tyre. Shoqëria ka pohuar se aktivitetet në Rusi e Ukrainë sigurojnë 9% të totalit të të ardhurave (2 miliardë dollarë).
Në të njëjtën ditë, edhe Starbucks mbylli 130 lokale, ndërsa multinacionalet Coca Cola e Pepsi ndërpresin shitjet në Rusi.
Lexo: Rusia mund të mbetet pa “5G”. Kompanitë kryesore të telekomunikacionit largohen nga vendi
Lufta ekonomike nuk kishte parë ndonjëherë përmasa të tilla. Rusia dhe Putin në veçanti shpall armik këdo që vendos “no fly zonë mbi Rusinë”, si dhe po kërcënon me kufizime të furnizimit të gazit tregun europian. Ndërkohë, edhe vetë Europa po vlerëson si t’ia “lërë në derë” gazin sapo të ngohet moti dhe të ulet kërkesa.
Vlerat e jashtëzakonshme të blerjes së energjisë në Rusi, janë ushqimi më i rëndësishëm i këtij vendi të kthyer në rrezik aktualisht, jo vetëm për Ukrainën, por edhe shumë vende përreth, e madje për të gjithë botën. Diversifikimi i burimeve të energjisë sot më shumë se kurrë është temë në tavolinë.
Kjo luftë po tregon ndërkohë, që bota nuk mund të bëjë hapa mbrapa në 180 gradë për të qenë aty ku ishte 100 vite më parë. Zv.Kryeministri ukrainas përmes një Twitter-i arriti të komunikojë me Elon Musk, duke mundësuar mbërritjen e Starlink për të siguruar aksesin në internet edhe në kushte të pazakonta. Përmes teknologjisë, por edhe cilësive të rëndësishme njerëzore si forca e karakterit, atdhedashuria, përgjegjësia e lartë dhe të qenit në anën e të drejtës “e vërteta” siç e quan Zelensky, bëri që Presidenti ukrainas t’i japë një leksion e të bëjë për vete mbarë botën.
Ai tregoi se vendit nuk i nevojitet domosdoshmërisht një ushtarak në krye, se drejtuesi mund të jetë edhe një artist-sipërmarrës. Por, atij nuk duhet t’i mungojë karakteti i forte, vigjilenca, zgjuarsia, atdhedashuria, karizma dhe aftësitë e mira komunikuese. Presidenti ukrainas, i zhveshur nga kostumi zyrtar, me bluzën e tij pambuku jeshile ushtarake, arriti të ngrejë në këmbë edhe Dhomën e Lordëve në Britaninë e Madhe, ku u është dhënë fjala vetëm 5 personaliteteve botërore deri më tani. Ai foli para Parlamentit Europian dhe në biseda private me krerët e shteteve më të zhvilluara të botës.
Mesazh i qartë në qëndrim dhe kërkesë: ne jemi sulmuar pa provokuar. Ne po mbrojme tokën tonë. Në vendin tonë po ndodh genocid. Në kërkesa: vendosni saksione konkrete ndaj Rusisë, ndihmoni Ukrainën me pajisje dhe armë, pa kërkuar t’i përfshijë dirket këto vende në mbështetjen drejt mbrojtjes. Në këto ditë të dhimbshme për këdo, Volodymir Zelensky ishte presidenti që qëndroi në vend që të largohej. Të rinjtë u martuan në fushëbetejë. Ata po qëndrojnë të fortë, duke marrë përsipër një barrë gati të papërballueshme. Por, globalizmi nuk do të mund ta izolonin këtë luftë “diku larg nesh”. Çmimi i naftës dhe energjisë është rritur në tregjet globale, duke kulmuar në Shqipëri me 8 Mars në 270 lekë/litër. Në vetëm një javë, çmimi u rrit me 70 lekë/litër. Tregjet do të prekeshin nga lufta, ndërsa abuzimi është një kosto shtesë që do të rëndojë mbi konsumatorët.
Tani dhe në ditët në vijim, produktet me radhë po shtrenjtohen pikërisht me shtrentimin e lëndëve të para, naftë, gaz dhe energji elektrike.
Artikulli u publikua më parë në faqen 06 të numrit 28 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.