Në Shqipëri autoritetet zyrtare dhe ekspertët po e shohin rimëkëmbjen e ekonomisë, që ka marrë goditje nga Pandemia e Covid 19, të lidhur ngushtë me procesin e vaksinimit. Të dhënat, thonë zyrtarët, janë optimiste dhe flasin për një rritje ekonomike me 5.5% për vitin 2021. Ata mendojnë se vaksinimi i popullsisë ka shtuar besimin e qytetarëve, ka përmirësuar treguesit ekonomikë dhe ka larguar rrezikun e një mbyllje tjetër të vendit.
Insititucionet financiare botërore si FMN, BB e kanë lidhur në vijimësi, rimëkëmbjen ekonomike globale të goditur nga Pandemia e Covid 19 me procesin e vaksinimit. Në Shqipëri në vitin 2020, ekonomia ra me 4% përkundrejt parashikimit 8% të Ministrisë së e Financave, duke zënë vendin e dytë në rajonin e Ballkanit perëndimor pas Serbisë me rënien më të ulët. Ekspertët e lidhin këtë me rikthimin në normalitet të ekonomisë në pjesën e dytë të vitit. Autoritetet e shëndetit publik e konsiderojnë vaksinimin e popullatës mënyrën më të sigurtë, më të lirë, dhe më afatgjatë për të garantuar mbylljen e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Në Shqipëri që prej 11 janarit të këtij viti janë vaksinuar sipas autoriteteve, me dy doza, afërsisht 28% e qytetarëve mbi 18 vjeç, 13% më shumë se projeksionet e OBSH, dhe me një dozë mbi 35% e kësaj fashe të popullsisë.
Zyrtarët thonë, se po arrihet skenari më i mirë i vaksinimit të popullsisë në 14 muaj. Ata nënvizojnë se po diskutohet mundësia për të ulur moshën e vaksinimit nën 18 vjeç, ndërsa komiteti i ekspertëve ka rekomanduar vaksinimin me detyrim të disa kategorive si të mjekëve, arsimtarëve dhe studentëve. Nëse deri më datën 30 shtator ata nuk e kryejnë vaksinimin, do të jenë të detyruar në vazhdim të paraqesin në mënyrë periodike testin e PCR, për të vërtetuar nëse janë ose jo të infektuar.
Ekspertët shohin të domosdoshme aplikimin e kufizimit të disa shërbimeve për personat që refuzojnë vaksinimin, duke e cilësuar këtë si diskriminim pozitiv, ndërsa zyrtarët nënvizojnë se procesi i vaksinimit e ka rritur besimin e qytetarëve dhe ka përmirësuar treguesit ekonomikë për vitin 2021.
E megjithatë ekspertë të shëndetit publik shohin një ngadalësim të vaksinimit, përkundrejt rritjes së numrit të infektimeve. Ky, sipas tyre, nuk është ritmi i duhur për t’i dhënë ekonomisë besim, që mund të përkthehet rritje.
Autoritetet shëndetësore thonë se ritmi i vaksinimit ka rënë për shkak se moshat e reja nuk po i përgjigjen thirrjeve për vaksinim, dhe se në pikun e verës rënia e numrit të infektimeve, sipas tyre, krijoi ide të gabuar se pandemia e Covid 19 ishte drejt fundit. Zyrtarët vendosën që pas gushtit edhe shtatori të jetë muaji i vaksinimit të hapur. Rritja e menjëhershme e numrit të infektimeve dhe shtrimeve në spital nga varianti Delta gjatë muajit gusht ka sjellë dhe statistikat e para mbi efektin e vaksinimit.
Ekspertë të ekonomisë shohin si të vetmen mundësi për rimëkëmbje ekonomike vazhdimin me ritme të shpejta të vaksinimit të popullatës.
E megjithë optimizimin, e ardhmja është ende e paqartë duke marrë në konsideratë se varianti Delta i koronavirusit, është më agresiv dhe përhapet më shpejt.
Sot oferta e vaksinave është më e madhe se kërkesa, krahasuar me disa muaj më parë kur sapo kishte nisur ky proces. Por në Shqipëri po ndodh një fenomen që vihet re edhe në vende të tjera. “Pas fazës së mirë të vaksinimit, ka ardhur ajo e ngadalësimit si pasojë e një pjesë të popullsisë që kujdeset më pak për veten, që është nën ndikimin e informacioneve të paqarta dhe krijon rezistencë ndaj vaksinës”, thonë eskpertët e shëndetit publik. Ata thonë gjithashtu se nuk ka rreziqe thelbësore dhe se të gjitha vaksinat e miratuara ulin riskun e prekjes dhe sidomos atë të vdekjeve dhe shtrimeve në spital.
Ekspertët argumentojnë se është i pakuptueshëm refuzimi i vaksinimit, në kushtet kur e gjithë bota është vendosur në krizën më të madhe shëndetësore prej 100 vitesh dhe në krizën më të madhe politike që pas Luftës së Dytë Botërore dhe kur të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare e shohin ecurinë ekonomike të vendeve dhe atë globale të lidhur me vaksinimin.
/voa
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.