1 vit LiveME, 1 vit dedikuar sipërmarrjes, teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimit personal. LiveME Show & Podcast startoi episodin e parë në 9 Prill 2020, në një situatë të pazakontë dhe mbush plot një vit, duke lënë pas gjurmë që shërbejnë për të dhënë mesazhe për të gjithë. Ky show u ndërmor si një nismë që synonte të sillte një frymë tjetër, të re dhe pozitive, një show larg televizioneve tradicionale me një qëllim më të madh, atë të edukimit dhe informimit për mundësi zhvillimi, mundësi që ekzistojnë, por shumë pak dinë për to.
Kristi Kumria, drejtues i Live me tha se, “Muajin e parë realizuam 6 episode dhe isha vërtet i lumtur që kishim lënë 6 gjurmë me vlerë. Në një postim në Linkedin, i falenderova të gjithë duke i ftuar që të shiheshim kur LiveME të mbushte 1 vjeç”
40 personazhe të ftuar që kanë rrëfyer historitë e tyre të dështimit dhe suksesit, kanë diskutuar dhe kanë dhënë mesazhe të forta, mbi 30 episode dhe mbi 2000 minuta të xhiruara në platformat online.
Kristi tregon se, “Suksesi i LiveME nuk qëndron të numrat, qëndron te njerëzit. Shumë persona që e kanë ndjekur LiveME, janë ndikuar për mirë, janë motivuar nga shembujt që ne kemi paraqitur, duke bërë që qëllimi se përse LiveME nisi, të arrihet. Unë jam rritur bashkë me LiveME, kam dëgjuar histori dhe kam njohur njerëz që më kanë emocionuar dhe më kanë mësuar shumëçka. Mjafton të them që kur e nisëm, askush nuk na njihte dhe askund nuk ishim, sot mjafton të kërkoni kudo në një motorr kërkimi dhe do t’ju shfaqen me radhë episodet që kemi bërë”.
Lexo: LiveME në episodin e radhës me Albana Osmani
Ne kemi nevojë të dëgjojmë histori dhe modele të vërteta suksesi nga Shqipëria, duam të dëgjojmë ata persona që nuk i shohim shpesh në rrugë apo televizor, por që i kemi shumë pranë nesh me produktet dhe shërbimet që kanë krijuar për ne. Ne kemi nevojë të dëgjojmë të rinj që ia dalin vetë. Na nevojiten njerëz që përcjellin vlera te të gjithë dhe që vazhdimisht përmirësojnë jetën e tyre dhe tonën në mënyra të ndryshme.
Në kuadër të 1 vjetorit, ditën e enjte më 15 prill do të organizohet një event me të gjithë të ftuarit e LiveME përgjatë një viti. Të gjithë do të ndajnë përshtypjet dhe eksperiencat e tyre për këtë rrugëtim.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.