Që nga peizazhet fantastike të liqenit e restorantet e shijshme anës tij, tek monumentet e shumta historike e kulturore, Vau i Dejës ia del të jetë gjithnjë surprizues. Zbuloni të gjitha arsyet përse ja vlen ta vizitoni këtë vend!
- Historia
Më së pari ia vlen të vizitoni Vaun e Dejës për historinë. Qyteti i hershëm i Vaut të Dejës njihej me emrin e Dejës apo Danjës dhe u themelua rreth shekullit të 11-të. Teksa jeta e qytetit ishte mjaft e zhvilluar, prej asaj periudhe mund të admirojmë ende rrënojat e Kalasë së Danjës, që daton rreth shekullit të 14-të.
Pozicionuar në majë të një kodre shkëmbore, 120 metra mbi nivelin e detit, kalaja ishte sinkronizuar me fortifikimin e luginave të Shkodrës dhe Drinit. Kalaja shërbente si një pikë strategjike kontrolli e fushës së Zadrimës, rrugëve të Shkodrës apo Lezhës.
- Liqeni
Liqeni i Vaut të Dejës është një tjetër arsye madhore përse duhet të kaloni një fundjavë këtu. Formuar në vitin 1971 nga ujëmbledhësi i Drinit, liqeni zgjatet nëpër gryka malesh e natyrë tërheqëse, duke e bërë mjaft poetik qëndrimin tuaj aty.
Sipërfaqja e liqenit është 24.7 km dhe ka një thellësi prej 52 metrash dhe në të është ngritur hidrocentrali i Vaut të Dejës. Që nga peshkimi, tek shëtitjet me varka, apo edhe thjesht banjove në ujërat e liqenit, mundësitë për të kaluar cilësisht kohën tuaj këtu janë vërtet të shumta.
- Restorantet dhe hotelet
Restorantet dhe hotelet këtu janë në sintoni me natyrën fantastike përreth liqenit. Ushqimi është sa tradicional aq edhe modern, e ndërkohë pjesa më e madhe e strukturave turistike janë përpjekur të vendosin theksin përherë tek natyra.
- Ushqimi
Gatimi ka qenë përherë një nga pikat më të forta të Vaut të Dejës, e jo më kot kjo zonë krenohet me pjatat e gatuara plot shije. Menuja e restoranteve përfshin emrat tipike si mëlçi viçi në tjegull, tavë krapi me peshkun e liqenit, lakrorin, pulë fshati me qull apo tavën e dheut.
- Ishulli i Sardës (Shurdhahut)
Përveç Kalasë së Danjës së përmendur në fillim të artikullit, ka vende të tjera me interes historik e arkeologjik që ja vlen t’i vizitoni. Rrënojat e Kalasë së Shurdhahut janë nga më mbresëlënëset, për faktin se ndodhen në një ishull të liqenit, të krijuar me ndërtimin e digës. Aty njëherë e një kohë shtrihej qyteti mesjetar i Sardës, i njohur si pikë takimi mes kulturës së Malësisë, asaj të Zadrimës si dhe Mirditës. Kliko këtu për më tepër.
E nëse jeni të interesuar për të zbuluar më shumë mbi kalatë përreth Vaut të Dejës, mund të vizitoni gjithashtu Kalanë e Vigut, e njohur si një nga tre kalatë ushtarake romake në Shqipëri.
- Rrënojat e Kalasë dhe Ipeshkvisë së Sapës
Që 950 vjet më parë në malin e Shën Mëhillit ngrihej qyteti i Sapës me dioqezën e fortifikuar që njihej dhe si Kalaja e Sapës. Nëse vizitoni fshatin Nënshat në komunën Hajmel, do të keni mundësi të shikoni nga afër rrënojat që dëshmojnë për të shkuarën e qytetit të Sapës, që u dogj e shkatërrua nga mësymja tartare në shekullin e 13-të.
Por përtej rrënojave, mund të vizitoni dhe Dioqezën aktuale të Sapës, e cila ndodhet në qytetin e Vaut të Dejës.
- Objektet e tjera të kultit
Kisha e Shën Mërisë mbart me vete një histori të trishtë. Ndërtuar rrëzë malit të Dejës rreth viteve 1300, ishte një ndër kishat më të vjetra në Shqipëri, deri sa u shemb gjatë regjimit komunist në vitin 1969. Sot mund të dallohen vetëm rrënojat e kishës së vjetër që rrethojnë kishën e re që mban të njëjtin emër.
Objektet e kultit janë vërtet të shumta në Vaun e Dejës. Një tjetër monument kulture i kategorisë së I-rë është dhe Kisha e Shën Markut, që përmendet që në vitin 1400. Sipas gojëdhënave të ardhura deri më sot, kisha u ndërtua për nder të fitoreve të Skënderbeut ndaj venecianëve.
Rekomandime të tjera:
Tek sa ndodheni në Vaun e Dejës, mund të vizitoni dhe Qëndistari “Zyberaj”, që ju mundëson të shikoni nga afër apo të blini kostume popullore apo punime të tjera tradicionale.
Nëse doni të vizitoni Ishullin e Sardës, kontaktoni me Sarda Tours në facebook, apo telefonojini në numrin: 068 880 0230.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto



