6 këshilla për blerjet online » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 14/02/2019

6 këshilla për blerjet online

Share
nga Endri Dine
Shk 14, 2019

Blerjet Online në Shqipëri ashtu si dhe në botë kanë njohur rritje të jashtëzakonshme. Një vit nga krijimi i BalkMall, dua të ndaj me ju disa njohuri dhe këshilla që besoj se duhet të keni parasysh përpara se të bëni një blerje online.
Konsumatorët në Shqipëri po preferojnë të blejnë në rrjetet sociale si Facebook dhe Instagram. Pse?!


Mendoj se kjo vjen si pasojë e dy faktorëve të rëndësishëm.

1 – Pasiguria dhe mungesa e besimit

Bumi i shitjeve online ka krijuar hapësira për mashtrim. Shumë njerëz në Shqipëri janë zhgënjyer nga eksperienca e të blerit online. Disa me cilësinë e produkteve, disa me përshkrimet që u bëhen produkeve. Të tjerë me shërbimin e klientit dhe shumë arsye të tjera. Kështu, blerësi krijon një farë sigurie duke folur me shitësin drejtpërdrejt gjatë procesit të blerjes në rrjetet sociale, ndryshe nga blerjet në faqen e internetit.

2 – Neglizhenca dhe paaftësia e tregtarit

Them Neglizhenca duke marrë parasysh që disa prej bizneseve që operojnë online i kanë mundësitë dhe kushtet për t’u përditësuar me të rejat më të fundit nga e-commerce, nga optimizimi i faqeve të internetit, për të krijuar një eksperiencë të veçantë për përdoruesit, por kanë zgjedhur të mos investojnë në këtë drejtim.
Them Paaftësia duke marrë parasysh faqet e shumta në Facebook dhe Instagram, të cilat nuk kanë aftësitë dhe mundësitë të krijojnë një faqe interneti, një identitet, një Markë.

Le të kalojmë pa humbur kohë te disa gjëra që duhet të merrni në konsideratë përpara se të blini online:

1 – Blini nga një emër i njohur për ju dhe për tregun shqiptar, nga dikush që operon prej një kohe të gjatë.
ASNJËHERË mos blini online duke përdorur kartën tuaj të kreditit/debitit nga një faqe interneti që nuk ka SSL( secure sockets layer ). Faqet që kanë SSL fillojnë me HTTPS dhe në krah të URL kanë iconën 🔒, ndërsa ato që nuk kanë SSL fillojnë me HTTP.

2 – Në rast se doni të blini një produkt nga një emër i ri, i padëgjuar më parë nga ju, bëni një kërkim paraprak rreth reputacionit të biznesit duke lexuar review ( përshtypjet nga blerësit e mëparshëm) rreth këtij biznesi. Lexoni kushtet dhe termat e përdorimit. Lexoni rreth tarifave të transportit. Lexoni rreth kthimit dhe rimbursimit dhe shërbimeve të tjera që ofrohen.

Lexo: Nuk ka blerje online nga Amerika. Kontinenti ul kuotat për Shqipërinë

3 – Bëni një kërkim paraprak në internet rreth produktit që dëshironi të blini. Si përshembull përmasat, karakteristikat, opsinet etj. Mos u mjaftoni vetëm me përshkrimin e bërë në faqen e internetit nga shitësi. Shpeshherë shitësit e mbivlerësojnë produktin duke i shtuar atij karakteristika ose opsione, të cilat nuk i disponon.

4 – Jo gjithmonë Aliexpress ka çmimet më të lira. Bëni një kërkim në faqe të ndryshme duke krahasuar çmimet që ato ofrojnë. Nga përvoja personale dhe njohuritë e marra nga kjo fushë, ju them me plot bindjen që dyqanet në Aliexpress janë të vetë fabrikave ose personave të tretë të lidhur ngushtë me fabrikat. Në rast se shiten nga ana e fabrikave, atëherë ato sigurohen që çmimet të jenë më të larta se çmimet, të cilat u japin tregtarëve me shumicë. Në rast të kundërt nuk do të mund të shisnin me shumicë, pasi asnjë tregtar nuk do të pranonte të konkurohej nga vetë fabrika nga e cila blen me shumicë.

5 – Mos u gënjeni nga Transporti Falas. Më lejoni tjua shpjegoj përse. Transporti është një shërbim i veçantë nga ai i shitjes së produktit. Duke qenë i tillë ai ka kosto më vete. Kjo kosto i shtohet çmimit përfundimtar të produktit të cilin ju bleni. Po nëse ju blini 3-4 produkte? Kostoja e transportit e shtuar në çmimin përfundimtar të produktit do të paguhet e veçantë për secilin produkt nga xhepi juaj.

Një produkt me vlerë 5 mijë lekë të vjetra dhe kosto transporti 2 mijë lek të vjetra, çmimi përfundimtarë do të jetë 7 mijë lekë të vjetra (transporti i përfshirë në çmim)

Nëse blini 2 produkte, ju do të paguani 14 mijë lekë të vjetra. ( 7 + 7 = 14 )
Nëse kosto e transportit prej 2 mijë lekësh të vjetra nuk është e përfshirë në çmimin përfundimtar të produktit, atëherë ju do të paguani vetëm 12 mij lekë të vjetra. ( 5 + 5 + 2 = 12 )

6- Blini nga faqet e internetit në Shqipëri. Transporti është shumë herë më i shpejtë. Edhe pse çmimet mund të jenë pak më të shtrejnta, në tregun vendas do të merrni më shumë siguri në rast të një defekti të produktit, në rast të kthimit të produktit ose rreth çdo problemi që mund të hasni gjatë dhe pas blerjes. Dhe po ashtu e rëndësishme, do të kontribuoni në rritjen dhe zhvillimin e kompanive shqiptare.