Të dhënat tona personale po përpunohen çdo sekondë – kur shfletojmë internetin, në institucionet publike, në punë, në fushën e shëndetit, kur blejmë mallra ose shërbime apo edhe kur udhëtojmë.
Individët në përgjithësi janë të panjohur me rreziqet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtave të tyre në këtë drejtim. Rrallëherë janë të vetëdijshëm për atë që mund të bëjnë nëse ata mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur.
Dita e Privatësisë së të Dhënave filloi në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada në Janar të vitit 2008 si vijim i Ditës së Mbrojtjes së të Dhënave në Europë. Data 28 Janar 1981 shënon ditën e Mbrojtjes së të Dhënave, që prej nënshkrimit të Konventës 108 – traktati i parë ndërkombëtar i detyrueshëm ligjor që ka të bëjë me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave. Prandaj 28 Janari njihet si dita e privatësisë së të dhënave.
Lexoni: Ja cilat aplikacione mund të përdorni për mbrojtjen e privatësisë online
Privatësia e të dhënave është e përqendruar në përdorimin dhe qeverisjen e të dhënave personale në mënyrë që të sigurojë se informacioni personal i konsumatorëve po grumbullohet, ndahet dhe përdoret në mënyra të përshtatshme.
Nëpër vende të ndryshme të botës në këtë datë, qeveritë, parlamentet, organet kombëtare të mbrojtjes së të dhënave dhe aktorët e tjerë kryejnë aktivitete për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë. Këto aktivitete mund të përfshijnë fushata që synojnë publikun e gjerë, projekte arsimore për mësuesit dhe studentët, hapjen e dyerve nga agjencitë për mbrojtjen e të dhënave dhe konferencat. Nëpërmjet këtij artikulli sjellim në vëmendje rëndësinë dhe ndërgjegjësimin për përdorimin dhe ruajtjen e të dhënave tuaja personale.
Duke pasur parasysh gjendjen aktuale të grumbullimit të të ashtuquajturave big data dhe “shpërndarjen” e tyre nga gjigandët e telcos, kombinuar me fuqinë e inteligjencës artificiale (AI) dhe machine learning (ML) për të nxjerrë konkluzione rreth nesh nga të gjitha këto të dhëna, do ishte më me vend të quhej dita e “mungesës së privatësisë”. Risqet ndaj privatësisë nuk kufizohen vetem në faktin se karta e kreditit apo llogaria bankare mund të kompromentohet. Risqet e privatësisë implikojnë që gjithçka për jetën tuaj – mund të mblidhet dhe analizohet nga kompanitë, qeveritë, grupet dhe madje edhe individët. Kjo do të thotë se është shumë e rëndësishme që çdo individ të kuptojë vlerën e të dhënave personale të tij.
Lexoni: Çfarë është GDPR? Çdo gjë që duhet të dini për ligjin e ri të të dhënave në Europë
Viti që lamë pas, 2018 mund të konsiderohet si viti i problemeve të privatësisë për shkak të shumë ngjarjeve që ndodhën.
Përmendim këtu dy nga ngjarjet më të bujshme:
- Në Mars 2018, lajmi që Facebook ekspozoi dhjetra miliona llogari të përdoruesve në firmën e të dhënave Cambridge Analytica;
- Në Maj 2018, Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave e Bashkimit Europian (GDPR – General Data Protection Regulation), ligji më i rreptë i privatësisë në botë, hyri në fuqi; Ky ligj ka sjellë një zbehje të dallimeve dikur të qarta midis ekipeve të privatësisë dhe sigurisë nëpër organizata. Nga një këndvështrim më praktik, kjo do të thotë që personeli ligjor dhe privatësia do të bëhet më teknike dhe personeli teknik do të bëhet më i njohur me anën ligjore dhe rregullatore.
Këto ngjarje janë simptoma të ndryshimeve më të mëdha dhe më të thella në botën e privatësisë dhe sigurisë së të dhënave që kanë ndikim mjaft të madh për mënyrën se si organizatat mendojnë dhe menaxhojnë privatësinë dhe sigurinë.
Si të ruani privatësinë tuaj?
Këtu janë disa këshilla të përgjithshme për mënyrën se si mund të ruani privatësinë tuaj në internet:
- Dini mundësitë tuaja
Para se të blini një pajisje të lidhur me internetin, shkarkoni një aplikacion ose të regjistroheni për një llogari në internet, shikoni me vemendje informacionin që kërkohet dhe përcaktoni nëse jeni të kënaqur me dorëzimin e këtij informacioni.
- Rregulloni parametrat e llogarisë tuaj
Shikoni mediat sociale, blerjet në internet, lojrat në internet ose llogaritë e tjera që përdorni rregullisht dhe kontrolloni cilësimet e privatësisë dhe politikat e të dhënave.
- Bëni një “pastrim” të të dhënave online
Kthehuni në llogaritë tuaja të vjetra në internet dhe nëse nuk u nevojiten ato ose nuk i keni përdorur për një kohë, fshijini ose minimizoni informacionin që mund të gjendet atje.
Lexoni: SPI Albania, komuniteti ku mund të gjendet zgjidhje për sigurinë dhe privatësinë në internet
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.