Një gjë i ndan njerëzit e suksesshëm nga njerëzit e zakonshëm: qëllimi. Nëse çdo ditë ngrihesh me një qëllim atëherë do përfundosh në vendin ideal. Për të arritur potencialin më të madh ju duhet të orientoni rrugën tuaj nëpërmjet zakoneve të përditshme që ju çojnë drejt suksesit. Më poshtë do ju njohim me disa zakone që i kanë bërë të ecin përpara në jetë dhe në biznes njerëzit e suksesshëm.
BusinessMag në këtë artikull ju sjell vetëm 10 zakone nga shumë që njerëzit më të suksesshëm praktikojnë çdo ditë të jetës së tyre. Të tjera zakone do të vijnë në artikujt në vijim. Na ndiqni për të mësuar më shumë.
Lexoni: Dëshironi të jeni më të suksesshëm në jetë? Fillojeni me këto tre zakone
- Shkruani pak detyra për të bërë në mëngjes
Mandeep Shahi, bashkëthemeluese dhe partnere menaxhuese e ZENMED, një markë shëndetësore e vlerësuar me çmime me dhjetëra mijëra ndjekës në mediat sociale dhe përdorues në mbarë botën, thotë:
“Si themeluese dhe nënë, rolet e mia të shumëfishta sjellin një gamë të gjerë përgjegjësish, të mëdha dhe të vogla. Unë shpejt mësova se detyra si për shembull ‘vendosni më shumë bateri në telekomandë’ ose pastroni tastierën’ mund të më shpërqëndrojnë nga prioritetet e mia. Kam mësuar se duke shkruar prioritetet e mia më ndihmon të filloj ditën siç duhet. Me këtë ushtrim duke e bërë para se të pi kafen e mëngjesit, ndihem shumë më e lumtur dhe e relaksuar për të trajtuar iniciativat më domethënëse gjatë gjithë ditës sime të punës”.
- Filloni ditën me një djersitje të mirë
Amy Beckley, themeluese, CEO dhe shpikëse e testit Proov, një test i shpejtë i progesteronit i cili është përdorur nga mijëra femra, thotë:
“Në jetë ka aq shumë gjëra që ju nuk mund të kontrolloni saqë kjo mund t’ju shkaktojë negativitet dhe stres gjatë ditës suaj. Për këtë arsye unë kam një zakon të përditshëm që më ndihmon për të kompensuar këtë, e filloj ditën duke u ushtruar. Pse? Sepse të paktën unë mund ta kontrolloj këtë pjesë të ditës sime. Duke qenë në kontroll të plotë të stërvitjes sime, më jep besimin se unë mund të jem në kontroll më të madh të gjërave që mund të kisha menduar se ishin krejtësisht jashtë kontrollit tim. Një koment si “Produkti juaj është një ide e tmerrshme, pse duhet ta blejmë këtë” është shkatërrues, por pas një stërvitje të mirë, unë mund ta kuptoj se nuk është produkti im problemi, por mënyra se si e kam paraqitur produktin tim ka bërë që njerëzit të keqkuptojnë qëllimin e tij. Duke filluar ditën me një djersitje të mirë më jep një qartësi më të mirë mendore dhe duke pasur këtë qartësi më lejon të mendoj në mënyra të ndryshme dhe më të mira për të përcjellë atë që me të vërtetë dua të them”.
- Pyesni veten nëse kjo që po bëni do të ketë rëndësi vetëm një ditë, një javë, një muaj apo një vit
Theresa Forman, presidente e McMillan, një agjenci 23 vjeçare e pavarur krijuese me një klientelë globale që përfshin Trend Micro, Schneider Electric, United Rentals, Commvault dhe DFIN, thotë:
“Ka shumë gjëra në axhendën time në çdo moment, sa bëhet e vështirë të përcaktohet prioriteti dhe të përqendrohem në gjërat e duhura kur ballafaqohem me një sërë përgjegjësish. Ne duhet të punojmë më mirë, jo vetëm më shumë dhe ne duhet të pajtohemi me idenë se është e pamundur të bëhet gjithçka. Për t’u marrë me përgjegjësitë e mia të përditshme dhe për t’u përqëndruar më lehtë në atë që ka vërtet rëndësi unë i bëj vetes një pyetje të thjeshtë: ‘A do të ketë rëndësi kjo brenda një dite, një jave, një muaji, një viti?’ Më pas unë përqendrohem në detyrat që do të kenë ndikimin më të thellë afatgjatë, kështu që ajo që është e rëndësishme nuk po humbet në atë që është urgjente. Kjo metodë është shumë e volitshme kur vlerëson një pengesë ose një fitore. Bëjini vetes suaj të njëjtën pyetje dhe do të kuptoni se sa fokus duhet t’i kushtohet çështjes.”
- Shikoni në industri të ndryshme për të zhvilluar konceptet tuaja unike të biznesit
Sue Marks, themeluese dhe CEO e Cielo, një ofrues outsourcing global i rekrutimit, fituese e çmimit EY Sipërmarrësja e Vitit dhe fituese tre herë e Working Woman 500, thotë:
“Idetë e mia më kreative dhe më të suksesshme janë formuluar duke parë praktikat më të mira dhe inovacionet e suksesshme në industri që nuk janë tërësisht të lidhura me timen. Kur je i suksesshëm, është e lehtë të jesh i vetëkënaqur dhe duke parë vetëm konkurrentët tuaj, ju do të keni përmirësime, por jo ndonjë rezultat shumë të madh. Duke parë nga jashtë, ju jo vetëm që do udhëhiqni dhe motivoni me zgjuarsi, por gjithashtu ju do të keni fuqinë për të përzgjedhur inovacione kyçe që kanë potencial për të transformuar biznesin tuaj dhe mposhtin konkurrentët, pavarësisht nëse janë tradicionalë apo jo tradicionalë”.
Lexoni: 3 zakone në punë që ju bëjnë më pak produktivë
- Shikoni potencialin tek të tjerët
Richard Burke, president dhe CEO i Envoy Global, një kompani që përdor teknologjinë e patentuar për të bërë më të lehtë për punëdhënësit dhe punonjësit që të ndjekin mundësitë e punës në tregun global me mbi 2,000 klientë duke filluar nga kompanitë startup në kompanitë e Fortune 50, thotë:
“Në kolegj pata fatin të njihja Sargent Shriverin. Sarge kishte një karrierë të jashtëzakonshme që përfshinte Korpusin e Paqes dhe udhëheqjen e Luftës për Varfërinë. Ai kishte një aftësi të pakrahasueshme për të frymëzuar njerëzit, përfshirë edhe mua. Për vite me radhë, e pyeta se si e bënte këtë. Ai më tha se hyjnorja qëndron tek secili prej nesh prandaj ai udhëhiqet nga dy gjëra: Së pari, individët janë të aftë për të bërë gjëra të mahnitshme. Së dyti, njerëzit duhet të trajtohen me respekt dhe dinjitet. Duke parë dhe nderuar potencialin e të tjerëve, Z. Shriver njihet si një njeri i madh dhe një udhëheqës i madh. Në punë, përpiqem (sa më shumë të mundem) të marr në konsideratë shembullin e tij duke krijuar një mjedis ku njerëzit të ndihen të vlefshëm dhe në gjendje të shfrytëzojnë potencialin e tyre”.
- Kontrolloni rrjetet online vetëm disa herë në ditë
Steve Newman, sipërmarrës serial dhe themelues i Scalyr, një platformë për menaxhimin dhe observimin e log-ve që punon me klientë si OkCupid, Giphy, Zalando, thotë:
“Ndihesha krenar që isha shumë risponsiv për email-et, në slack dhe biseda derisa një miku im më vuri në dukje se unë po mburresha se po e bëja punën time keq, sepse në fakt puna ime e vërtetë ishte të jepja mendime serioze për projekte dhe vendime të mëdha. Mos bini pre e monitorimit të rrjeteve online gjithë kohës, por kontrolloni rrjedhën e punës. Përgjigjuni email-ve një ose dy herë në ditë dhe qëndroni me këtë metodë, pasi në këtë mënyrë nuk do të shpërqëndroheni dhe do të punoni me prioritetet tuaja.
- Përdorni një listë kontrolli
Richie Serna, CEO i Finix, një kompani pagesash që punon me disa nga institucionet më të mëdha financiare në botë, thotë:
“Unë e filloj ditën çdo mëngjes duke shkruar një listë të detyrave kryesore që duhet të bëj gjatë ditës dhe i kontrolloj ato një nga një, duke u siguruar që t’i plotësoj të gjitha para se të mbyll ditën. Menaxhimi dhe kapërcimi i detyrave është shumë i vështirë, kjo është një sfidë me veten dhe me këtë mënyrë kam gjetur produktivitetin dhe fokusin”.
- Jini një nxënës i përjetshëm
Tara Chklovski, CEO e Iridescent, një organizatë jo-fitimprurëse e cila është partnere me Google, NVIDIA, GM dhe më shumë, për të ofruar edukim STEM për komunitetet e nënpërfaqësuara, thotë:
“Edukimi dhe të mësuarit nuk janë vetëm për studentët, por duhet të përqafohen në çdo fazë të jetës. Si CEO, unë jam vazhdimisht në kërkim të rritjes së aftësive të mia të vendosura jo vetëm për të mbetur konkuruese me kolegët e mi, por edhe për t’u përmbushur personalisht dhe profesionalisht. Unë besoj se është e rëndësishme që çdo ditë të mësojmë gjëra të reja në lidhje me industrinë tonë. Mund të jetë e frikshme të mësoni gjëra të reja dhe ndonjëherë duhet një shtytje e vogël për të marrë atë hap dhe të eksploroni hapësira të reja. Të mësuarit mund të krijojë një ndjenjë vetë-besimi dhe aftësi të reja që do ju mbajnë larg nga zona juaj e rehatisë”.
- Praktikoni vetë-kujdesin dhe përkushtimin
Drew Lydecker, president i AVANT Communications, një platformë për vendimarrje në IT, e cila në dhjetë vitet e fundit është rritur në mbi 500 milionë dollarë në të ardhurat vjetore, thotë:
“Të punuarit jashtë është bërë motori im frymëzues që më ndihmon të plotësoj kërkesat e ditës, por më shumë se kaq, përkushtimi ka qenë pika ime më e madhe e evolucionit gjatë këtyre viteve “të çmendura”. Më mban të fokusuar, në ritëm, të përshtatem me çdo gjë dhe të përmbush objektivat e mia”.
Lexoni: Zakonet e përditshme që diferencojnë njerëzit e suksesshëm
- Bëni gjithçka që duhet për një gjumë të rehatshëm
Abinash Tripathy, themelues dhe CSO pranë Helpshift, një platformë shërbimi ndaj klientit me më shumë se 450 klientë biznesi në mbarë botën, duke përfshirë Xfinity Home, Microsoft, Tencent dhe Supercell, thotë:
“Kur vjen puna tek gjumi, çdo gjë lidhet me cilësinë, jo vetëm me sasinë. Gjumi na qetëson. Gjumi na rikarikon. Gjumi është një pjesë e rëndësishme e biologjisë sonë. Një nga pikat kyçe të suksesit është prioritizimi i gjumit të natës dhe fjetja herët në mbrëmje në mënyrë që të shkëputeni plotësisht nga elektronika dhe ekranet. Para se të flini gjumë lexoni një libër, dëgjoni muzikë qetësuese ose madje bëni një bisedë frymëzuese. Trupi dhe mendja juaj do t’ju falënderojnë për këtë dhe ju do të jeni shumë më produktivë”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.