Amadeus Group, projekti 150 milionë euro që ka mbetur në letër - Business Magazine Albania

Amadeus Group, projekti 150 milionë euro që ka mbetur në letër


Një grup investitorësh të huaj, kryesisht amerikanë, kanë vite që punojnë për një projekt për hapjen e një resorti turistik në Shqipëri, por vështirësitë në tregun shqiptar kanë bërë që ideja e një investimi 150 milionë euro të mbetet vetëm në letër.  Amadeus Group i është përgjigjur zyrtarisht interesit të Revistës Monitor për projektin që ka paraqitur pranë zyrtarëve shqiptarë.

1. Cili është projekti i kompanisë tuaj për investimin në fushën e lojërave të fatit?

Amadeus Palace është një kompleks hotelier dhe argëtues, me shumë aktivitete, një zhvillim në fushën e turizmit ndërkombëtar për të krijuar ardhjen në Shqipëri si një destinacion i veçantë në zemër të Europës. Përveç aktiviteteve hoteliere, me bare dhe restorante tematikë, kompleksi ofron mundësinë e zhvillimeve të konferencave të ndryshme (fusha biznesi, politike), një amfiteatër me 2.000 vende për shfaqje, spektakle, kongrese, të shoqëruara edhe me dreka apo darka, pishinë gjysmë olimpike të brendshme, SPA dhe Health Center, salla për argëtime (ditëlindje, dasma, festime), galeri arti për promovimet artistike shqiptare dhe ndërkombëtare dhe një kazino të vërtetë, e cila ndihmon aktivitetet hoteliere për të zhvilluar Shqipërinë si destinacion.

Pra, lojërat e fatit në këtë kompleks, janë vetëm një aspekt shtesë për të tërhequr nëpërmjet shërbimeve hoteliere dhe argëtuese, një klientelë ndërkombëtare të nivelit të mesëm dhe të lartë, për të zhvilluar dhe për të njohur vendin tonë si një destinacion argëtues.

Ky projekt është një ide dhe krijim shqiptar, në bashkëpunim për zhvillimin e aktiviteteve të tij nga grupet më të mëdha ndërkombëtare franceze dhe amerikane në fushat përkatëse (hoteleri dhe argëtuese).

2. Çfarë ideje zhvillimi ka ky projekt?

Aktualisht, kompleksi është në fazën e zgjerimit të tij, duke rritur kapacitetin e dhomave dhe suitave, si dhe zgjerimin e ambienteve të aktiviteteve, duke parashikuar një hapje të madhe ndërkombëtare me praninë e personaliteteve të biznesit, të botës showbiz, përfaqësuesve politike si shqiptare, ashtu edhe franceze dhe amerikane.

3. E keni pasur të vështirë ta zhvilloni në Shqipëri? Pse?

Vështirësia kryesore e këtyre zhvillimeve mbetet tërheqja e grupeve të mëdha për investime direkte në vendin tonë, duke pasur parasysh imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, që në rastin më të mirë është i panjohur dhe në rastin më të keq i gjeneralizuar në aspektet më negative (korrupsion, krim, drogë, mungesë stabiliteti).

Kjo situatë duket qartë edhe në faktin që në rastin e shfrytëzimeve të burimeve natyrore, Shqipëria mund të tërheqë investitorë të huaj, të cilët minimizojnë riskun e investimeve duke shfrytëzuar burimet natyrore përkatëse. Në rastin e investimeve në shërbime (siç është industria e turizmit), është shumë e vështirë të tërheqësh investitorë të huaj, sepse siguria e investimeve duhet të bazohet në një treg transparent, të ndershëm, të standardizuar ligjërisht.

Mungesa e kësaj transparence dhe rregullsie ligjore e vështirëson joshjen e këtyre investimeve të huaja, pa të cilat është e pamundur të zhvillosh një industri të caktuar, aq më tepër industrinë e turizmit ku gjithçka duhet të jetë në shërbim të klientëve për të përjetuar një përvojë unike.

4. Sa ju ka penguar hyrja në fuqi e ligjit të lojërave të fatit?

Mungesa e qartësisë ligjore në fushën e lojërave të fatit është një nga elementet kyç në zhvillimin e këtij aktiviteti. Shtetet që kanë ditur të shfrytëzojnë potencialin e lojërave të fatit të gërshetuar me industrinë hoteliere, kanë ofruar stabilitet, siguri të investimeve, me parametra të qarta funksionimi. Natyrisht që garancia e transparencës së tregut nëpërmjet raportimeve dhe mbikëqyrjes online është një element shumë i rëndësishëm, sepse ofron mundësinë e zhvillimit të aktivitetit në mënyrë transparente.

Gjithashtu, përcaktimi i një hapësire të caktuar (siç është rasti i hoteleve me 5 yje ndërkombëtare apo resort kazino) jep sigurinë investitorëve të investojnë të sigurt sepse konkurrenca e tregut të krijuar në këto rrethana është veç stimuluese. Ndërsa për vendin mikpritës, është vetëm përfituese sepse me vendosjen e një grupi ndërkombëtar, të tjerë grupe të të njëjtit nivel, ndjekin nga pas në investime dhe zgjerime duke eksploruar tregje të reja për klientët e tyre ndërkombëtarë.

Mungesa e vazhdueshmërisë së fakteve në raport me ligjin, krijon destabilitet politik, ekonomik dhe social duke “trembur” investitorët e fuqishëm të investojnë në struktura të paqëndrueshme ligjore, kur në çdo moment mund të ketë ndryshime të çfarë do lloji.

5. Sa seriozë janë investitorët? Origjina e tyre, vlera e investimit, numri i të punësuarve?

Investimi në këtë kompleks është ndërkombëtar, ashtu sikurse vetë koncepti i realizimit të tij. Të gjitha aktivitetet hoteliere realizohen nga një grup francez me përmasa ndërkombëtare në industrinë e luksit ndërsa aktivitetet argëtuese (lojërat, spektaklet, kabaretë show etj.) realizohen nga një grup ndërkombëtar amerikan, duke parashikuar një investim global prej 150 milionë euro dhe 2.000 të punësuar, duke pasur parasysh që zhvillimi i aktiviteteve të tyre mbështetet në një databazë ndërkombëtare shumëvjeçare, që do të sjellë në Shqipëri një klientelë të huaj për të zbuluar një destinacion të ri turistik, me një histori, arkeologji, kulturë nga më të lashtat e Europës.

Burimi: monitor.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0