Zgjidhjet “Green”, AKSHI: Planifikojmë 20 % kursim të energjisë në Datacenter-in qeveritar shqiptar - Business Magazine Albania

Zgjidhjet “Green”, AKSHI: Planifikojmë 20 % kursim të energjisë në Datacenter-in qeveritar shqiptar

Zgjidhjet Green AKSHI

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është e vendosur, që kur bëhet fjala për mbrojtjen e mjedisit, burimeve dhe përdorimin eficient të energjisë, me anë të zgjidhjeve inteligjente, punën ta nisë fillimisht nga selia qendrore e saj. Tashmë, prej disa kohësh, ka nisur planifikimi për zbatimin e zgjidhjeve ‘green’ në DataCenter-in qeveritar, për të bërë të mundur kursimin deri në 20 % të energjisë në zonën më të ndjeshme të godinës, e cila konsiderohet një pikë kyçe për infrastrukturën e Teknologjisë së Informacionit për gjithë administratën publike shqiptare.

Shqipëria po zhvillohet me ritme shumë të shpejta, por njëkohësisht dhe të sigurta, duke vendosur si prioritet krijimin e planeve për transformimin digjital dhe më pas aplikimin konkret të tyre, me një vëmendje të shtuar ndaj kursimit të energjisë dhe shfrytëzimit të kujdesshëm të burimeve.

Paralelisht me përpjekjet që bëhen nga institucionet shqiptare, mbështetja vjen edhe nga Bashkimi Europian. “Go Green” është një projekt i mundësuar nga programi i bashkëpunimit Interreg Mediterranien, që synon zgjidhjet ‘smart’, në një mjedis të gjelbër dhe ekologjik. Vlera e shtuar që sjell ky projekt është promovimi dhe mbështetja e digjitalizimit të qendrueshëm duke mbrojtur mjedisin.

AKSHI mori pjesë në takimin që mblodhi përfaqësues të BE-së, të programit dhe vendeve pjesëmarrëse, zhvilluar në data 12-14 korrik, në Qipro. Drejtori i BCC BackUp dhe DRC Aldo Kita, i cili prezantoi ecurinë e deritanishme të projektit në Shqipëri, vuri theksin se Qeveria Shqiptare synon të përmirësojë efikasitetin e përdorimit të energjisë, në një infrastrukturë kritike të informacionit, siç është DataCenter-i Qeveritar.

“Teknologjitë digjitale mund të ofrojnë zgjidhje ‘green’ për sektorë të ndryshëm të ekonomisë por po aq i rëndësishëm është dhe përdorimi i këtyre zgjidhjeve ‘green’ edhe për vetë sektorin digjital. Sistemet ‘smart’ të energjisë dhe rrjetet e komunikimit ndihmojnë drejtpërdrejtë në një menaxhim sa më eficient dhe të qendrueshëm të energjisë që konsumohet. DataCenter-i qeveritar në Shqipëri është ndërtuar sipas standardeve më moderne. E megjithatë, falë mbështetjes së ’Interreg Mediterranien’ ne synojmë që të rrisim efektivitetin e përdorimit të energjisë në këto ambiente, duke reduktuar shpenzimet e njëkohësisht duke mbrojtur mjedisin. Ndërkohë, po punojmë vazhdimisht në menaxhimin më të mirë të rrjetit  elektrik dhe të monitorimit të parametrave të paneleve elektrike. AKSHI po zbaton zgjidhje të avancuara teknologjike me anë të të cilave do të bëjë të mundur që energjia e konsumuar të përdoret me eficiencë dhe rrjedhimisht burimet mjedisore të mbrohen e të shfrytëzohen në mënyrë të kujdesshme dhe në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian lidhur me burimet energjitike dhe mbrojtjen e mjedisit,”  u shpreh Kita.

Por si do të mundësohet projekti dhe çfarë pritet të realizohet

Përmes zbatimit të këtij projekti, ku sipas përllogaritjeve të AKSHI-t, do të përfitohet një reduktim në masën 18 deri në 20 % të shpenzimit të energjisë elektrike, do të mundësohet modernizimi i sistemit të ndriçimit duke përdorur sensorët e dedektimit të lëvizjes dhe duke e transformuar të gjithë atë në teknologjinë LED. Ky sistem do të ofrojë protokolle komunikimi për sisteme komandimi të cilët do të komunikojnë me software të dedikuar për të bërë të mundur komandimin e tyre.

Në të gjithë ambientet e DataCenter-it do të instalohen sensorë të veçantë në panelet elektrike të cilët do të masin efektivitetin e energjisë që konsumohet, temperaturën dhe parametra të tjerë në kohë reale. Të gjithë pajisjet që do të instalohen do të integrohen me sisteme inteligjente kontrolli, monitorimi dhe analizimi të cilët mbështetur në vlerësimin e parametrave të dedektuar do të pasqyrojnë dhe do të sugjerojnë masat e nevojshme për të mundësuar kursimin dhe përdorimin sa më eficient të energjisë.

Lexo: Euro bie poshtë 104 lekëve, edhe monedhat e tjera në rënie

Në kuadër të këtij projekti, do të vendosen pajisje monitoruese të konsumit për makineri të veçanta të cilat kërkojnë burime të mëdha energjie. Implementimi i këtyre zgjidhjeve dhe teknologjive do të bëjë të mundur që ambientet e DataCenter-it Qeveritar të shfrytëzojnë në mënyrë eficiente energjinë dhe të shërbejnë si një praktikë e mirë për të gjithë infrastrukturat e tjera që konsumojnë sasi të madhe energjie.

Zgjidhja dhe teknologjia e ofruar që do të implementohet në DataCenter është e fjalës së fundit dhe do të garantojë një zbatim të suksesshëm të projektit.

Teknologji të ngjashme, të të njëjtës markë me ato që do të implementohen në ambientet e DataCenter-it të AKSHI-t, i kanë mundësuar vendeve të Bashkimit Evropian, si p.sh. Italisë të ripërdorin 40% të totalit të energjisë së konsumuar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0