Zgjidhen më të mirët e kombit në teknologji në edicionin e 7-të të ICT Awards - Business Magazine Albania

Zgjidhen më të mirët e kombit në teknologji në edicionin e 7-të të ICT Awards


Shtëpia botuese lider në rajon në fushën e teknologjisë dhe informacionit ICTSmedia shpalli mbrëmjen e së Martes fituesit e edicionit të 7-të të Albanian ICT Awards pas mëse 90 ditësh në kërkim të pishtarëve të inovacionit në teknologji.

I shndërruar në Oskarin e teknologjisë për shqiptarët me një pasion për teknologjinë dhe dëshirën e madhe për të lënë gjurmë përmes saj në jetët e shqiptarëve nga mbarë trevat shqipfolëse, por edhe diasporë, Albanian ICT Awards dha verdiktin e saj në Mbrëmjen Gala me kurorëzimin e fituesve në shtatë kategori.

Fituesit e mëdhenj të Mbrëmjes Gala janë prova më e qartë se e ardhmja e shqiptarëve në teknologji është padyshim e ndritur.

Lexoni: Shqiptarët më të mirë në inovacion për 2018

Kësaj ngjarje unike dhe të përvitshme ju bashkuan: Kryetari i Bashkisë Tiranë z. Erion Veliaj; Ministri i Inovacionit të Kosovës z. Besim Beqaj, dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës z. Valdrin Luka, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes së Shqipërisë z. Eduard Shalsi, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal(RCC) zj. Majlinda Bregu, politikanë, diplomatë, akademikë, studiues, të rinj dhe të reja entuziastë të botës së teknologjisë.

Mbrëmja Gala u hap me fjalën përshëndetëse të bashkëthemeluesit të ICT Awards z. Kushtrim Shala, i cili tha se “është vërtetë emocion i madh pas një rrugëtimi gjatë dhe pune të palodhshme të vijmë në këtë natë ku finalizohen përpjekjet disa mujore të ekipit të ICT Awards, por edhe pritja e kandidatëve për fjalën e fundit të kësaj gare.”

Juria e këtij edicioni e ka konsideruar vlerësimin e projekteve një sfidë të madhe, e cila çdo vit vështirësohet falë profesionalizmit në rritje të projekteve. Z. Shala falenderoi sponsorët tradicionalë Bankën Raiffeisen, Fondacionin Dritan Hoxha dhe Albvision si dhe 110 kandidatë të cilët i besuan kësaj ngjarjeje.

Menjëherë pas tij fjalën e mori kryetari i jurisë Dr. Ilir Çapuni, i cili tha se “Prania e ministrave tregon rëndësinë që ka inovacioni për ekonominë dhe rëndësinë që ka ICT Awards për përcaktimin e ekselencës në këtë fushë.”

ICT Awards është një nga pak iniciativa që mbështet punën dhe talentin e të rinjve dhe të reja përmes një vlerësimi transparent. Në këtë skenë kanë kaluar produkte të dëshmuara në gjashtë vitet e fundit. Secili anëtar i jurisë ka bërë vlerësimin individual të secilit prej 110 punimeve, një shifër rekord.

Ministri i Inovacionit të Kosovës z. Besim Beqaj vlerësoi punën e shtëpisë botuese organizatore e kësaj ngjarje duke thënë se “falë ICTSmedia kemi bashkuar në këtë sallë më të mirët e gjithë kombit.”

“Një profesor i im më thoshte mos u dëshpëro nëse dështove, sepse dështimi yt është vetëm versioni 1.0. ICT Awards i cili sot është në 7.0 është bekim i madh për qytetin tonë,” tha Kryebashkiaku i Tiranës z. Erion Veliaj. Ai premtoi që Samiti Dixhital i organizuar në Beograd do të sillet së shpejti edhe në Prishtinë dhe shumë e shumë iniciativave të tjera rajonale për një Ballkan Perendimor të Dixhitalizuar.

Së fundi sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) zj. Majlinda Bregu tha se “të gjithë ata që janë nën 30 vjeç janë rritur në një kohë jo vetëm që dinë të përdorin kompjuterin, por të gjitha programet e tij. Përditë e më shumë i detyrohemi këtij brezi të ri.”

Pas fjalës së rastit organizatorët nisën shpërndarjen e çmimeve për shtatë kategoritë.

Në kategorinë Ylli në Ngritje garuan Ardit Xhaferri me projektin GIVE, Fiona Meqa me projektin Shtëpia e Zgjuar, Jasir Idriz me projektin e krijimit të një website për fakultetet dhe Daniel Doçi me projektin Virtual Reality Driving Stimulator (VRDS). Çmimi Ylli në Ngritje u dha nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi për Fiona Meqa.

Në kategorinë Diploma e Vitit garuan Besart Kuleta me projektin Analiza e shportës së konsumatorit – rast studimi i bazuar në Data Mining, Klajdi Çaushi me projektin një kriptovalutë për sektorin e turizmit në Shqipëri – Një skenar zbatimi dhe Xhoena Polisi me projektin Algoritma të detektimit të qelizave në mjedise të ndryshme qelizore. Çmimi Diploma e Vitit shkoi për Xhoena Polisi.

Në kategorinë Mobiliteti i vitit garuan Arbër Puci me projektin LaPiat: Erion Cuni me projektin Kalipso dhe Hashim Llumnica me projektin Zhvillimi i teknologjise ne Android për persona te verbër. Çmimi Mobiliteti i Vitit ju dorëzua Erion Cunit.

Kandidati Hashim Llumnica është pak më i veçantë. Fëmijëria e Llumnicës ishte e ngjashme me ato të moshatarëve të tij, deri në moshën 18 vjeç, moment kur ai humbi aftësinë e shikimit. Me gjithë vështirësitë që i kishte Llumnica, vazhdoi studimet e Larta. Llumnica merret me programet për platformën e Android në gjuhën shqipe, për personat e verbër dhe me shikim të dobësuar. Ai deri më tani ka bërë më shumë se 10 aplikacione që ju vijnë në ndihmë komunitetit me shikim të dobësuar.

Në kategorinë Femra në ICT garuan Blerta Thaçi me projektin Tech4Policy, Ines Bula me projektin Ndërtimi i Robotëve nga mbetjet mekatronike dhe Julia Hoxha me projektin Zana. Femra e Vitit në ICT u shpall Julia Hoxha.

Në kategorinë Inovacioni i Vitit garuan Agon Avdimetaj me projektin Rosie; Rezart Prifti me projektin Platforma Shqiptare e Mësimit Online, Metronom dhe Qëndrim Pllana me projektin Evaluo – Test on the go. Inovacioni i Vitit u shpall Agon Avdimetaj.

Ky edicion i 7-të kishte rezervuar edhe çmimet suprizë si ICT Research of the Year që shkoi për Andi Bejleri me projektin Comprehensive Multiparty Session Types.

Në kategorinë Shërbimi Publik u vitit u shpallën fitues Platforma zyrtare e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për këshillim dhe orientim në karrierë, Busulla.COM në Kosovë, Vodafone Albania dhe Bashkia Tiranë me aplikacionin Tirana Ime në Shqipëri dhe Rijad Abdullai me projektin Qendra për shërbime të TI-së në Maqedoninë e Veriut.

Në kategorinë Cyber Security u sfiduan Bleon Proko me projektin TP_3num; Butrin Komoni me projektin Cyclone dhe Meridian Miftari me projektin Analizë ose publikim për metodologjinë e mbrojtjes nga sulmet kibernetike çmim i cili shkoi për Meridian Miftari.

Në kujtim të një prej kontributorëve më të shquar të ICT Awards ndër vite i cili tashmë është ndarë nga jeta, Rrustem Alaj, ekipi i ICT Awards vendosi të ndante një çmim Kontributori i Vitit në edicionin e 7-të për Enis Vehapin.

Lexoni: ALBANIAN ICT AWARDS SHPALLI FITUESIT E EDICIONIT TË PESTË JUBILAR TË GARËS SHPËRBLYESE NË TEKNOLOGJI

Gara mbarëkombëtare ndau mirënjohje për Shkollën Faik Konica në Prishtinë, Shkollën Mark Nuculloviq në Ulqin, Shkollën Kolin Gjeka në Lezhë, Eljon Shkollolli dhe Pranvera Hyseni.

Albanian ICT Awards hapi dyert e edicionit të 7-të më datën 6 Shkurt në Tiranë. Gjatë kësaj periudhe deri më 30 Mars ku u bë edhe mbyllja e aplikimeve u organizuan 27 takime në shkolla, universitete, qendra dhe hapësira inovacioni me të rinj dhe të reja, profesionistë, udhëheqës të dalluar, entuziastë dhe krijues të teknologjisë.

Deri më 30 Mars pranë Albanian ICT Awards kishin mbërritur plot 110 aplikime për të cilat juria u befasua për nga niveli i kreativitetit dhe profesionalizimit që përmbanin duke ja vështirësuar më tutje misionin e saj.

Më 31 Mars juria do të mblidhej për herë të parë dhe e udhëhequr nga Dr. Ilir Çapuni edhe përbërë nga 13 anëtarë udhëtoi më 19 Prill deri Prishtinës dhe 20 Prill drejt Tiranës për tu gjendur më afër kandidatëve të listës së ngushtë.

Kandidatët për herë të fundit patën shansin ti rrëmbenin vëmendjen jurisë përpara se të vinte Mbrëmja Gala e datës 30 Prill në Tiranë.

Albanian ICT Awards udhëtoi drejt Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Vlorës, Pejës, Prizrenit, Preshevës, Lezhës, Ferizajt dhe Mitrovicës për të identifikuar inovacionin dhe kreativitetin shqipfolës. Që nga edicioni i parë janë vlerësuar mbi 1,000 projekte në fusha të ndryshme të teknologjisë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0