Shqiptarët më të mirë në inovacion për 2018

Shqiptarët më të mirë në inovacion për 2018


Të rinj sipërmarrës që po krijojnë rrugën e investimeve në teknologji, e po lënë gjurmë për të rinj të tjerë. Sipërmarrës programues që lehtësojnë jetën e njerëzve, përtej kufinjve fizikë. Nuk po flasim për emra të huaj, por për shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, Kosovë e vende të tjera.  Businessmag.al sjell disa detaje nga fituesit e edicionit të 6-të i Albanian ICT Awards.

Diploma e Vitit

Hakan Shehu fitoi “ICT Dimploma e Vitit” me ‘Knowledge Graph’ në gjuhën shqipe

Ajo çfarë e ka bërë punimin e tij të fitojë në garën e ICT Awards është problemi specifik dhe i rëndësishëm, të cilin projekti synon të zgjidhë. Këtë iniciativë e ka pritur me interes juria, e cila e ka vlerësuar dhe përkrahur këtë hap të rëndësishëm drejt mbledhjes së të gjitha informacioneve dhe fakteve të web-it shqiptar.

Punimi im i diplomës, thotë Hakan Shehu, “ka për synim krijimin e një “Knowledge Graph” në gjuhën shqipe nga tekstet e papërpunuara. Për ta thënë më ndryshe, është një tentativë që të mundësojë kompjuterin të mësojë informacione dhe fakte të ndryshme nga artikujt online, si dhe të bëjë lidhjen semantike mes këtyre informacioneve të mësuara”. Kjo është arritur të bëhet në mënyrë automatike duke përdorur informacionet ekzistuese publike, të cilat mund të qasen nga të gjithë përdoruesit e web-it.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

Hakani thotë për Businessmag se, “në të ardhmen, objektivat e mia fokusohen në përmirësimin e mëtejshëm të grafit të krijuar, duke modifikuar disa nga algoritmet e përdorura. Një tjetër hap është edhe rritja e sasisë së të dhënave të përdorura për të formuar grafinë, duke u munduar të përfshijë edhe të gjitha lajmet apo artikujt e tjerë të gjuhës shqipe’’. Pasi të arrihen këto objektiva, sipas tij, grafi do të jetë në dispozicion të aksesohet nga përdoruesit për nevoja të ndryshme.

“Faktor kyç drejt kësaj fitoreje padyshim që janë mentorët dhe të gjithë kolegët, të cilët me njohuritë dhe aftësitë e tyre më kanë ndihmuar në çdo hap të punës sime”, thotë ai. Projekti në vetvete ka përfshirë teknika nga fusha të ndryshme, që nga ato të gjuhës e deri tek algoritmet e fundit të inteligjencës artificiale dhe për këtë ai falenderon të gjithë ata që kontribuan për projektin.

“Ylli në Ngritje i Vitit”

Tea Reçica fiton çmimin “ICT Ylli në Ngritje i Vitit” me aplikacionin “Trashëgimia Kulturore e Prishtinës” dhe aplikacionin “Find My Clothes”

“Besoj që rrugën drejt fitores ma mundësoi puna, mundi dhe vullneti për të ofruar kontributin tim në zgjidhjen e një problemi”, thotë ajo. Tea u nominua me dy projekte: “Find my clothes” dhe “Trashëgimia kulturore e Prishtinës”, të dy aplikacionet kanë si qëllim lehtësimin e jetës në mënyrën e vet.

Dollapi dixhital është versioni i parë dhe të mundëson përzgjedhjen e rrobave në bazë të motit, duke të kursyer kohën në mëngjes ndërsa në vazhdim do të mundësojë zgjidhjen e aksesorëve si dhe propozimet nga moda e fundit.

Aplikacioni “Trashëgimia kulturore e Prishtinës” të ofron informacione rreth objekteve dhe lokacioneve të tyre, ku si rezultat i këtij aplikacioni shkollohen pa pagesë 12 fëmijë binjakë në shkollën dixhitale.

Duke jetuar në një botë ku teknologjia është bërë pjesë e përditshmërisë sonë objektivi i saj kryesor është që të krijojë mundësi për lehtësimin e jetës në këtë aspekt.

Siguria Kibernetike

Kastriot Fetahaj dhe Fitim Latifaj, fituesit e “ICT Siguria Kibernetike”

Kastriot Fetahaj mendon se arsyeja kryesore e fitores në këtë kompeticion është paraqitja me një numër të madh të projekteve dhe gjetjeve në webfaqe edhe aplikacione të ndryshme. Ata paraqitën para jurisë 8 projekte që kryesisht kanë pasur të bëjnë me malware apo me teknika të shpërndarjeve të malwares dhe po ashtu kanë paraqitur 12 zbulime të të metave të sigurisë në kompani si: Viber, Gjirafa, Solaborate, Telegrafi.com. Kastriot Fetahaj flet për Businessmag.al

Çfarë ju çoi në fitore?

Për të arritur deri te kjo fitore kemi punuar së bashku me Fitimin për më shumë se 1 vit dhe besoj që puna dhe mundi që kemi bërë në këto projekte ka rezutuar me fitore.

Çfarë po zhvilloni me projektin tuaj?

Momentalisht jam duke vazhduar të punoj në Solaborate ku bëj testime të sigurisë si në Software po ashtu edhe në Hardware të kësaj kompanie. Përveç saj, jam duke zhvilluar disa projekte të reja që kanë të bëjnë me malware, me teknika të shpërndarjes së tyre. Po ashtu, jam duke zhvilluar një aplikacion që bën analizimin e profileve të ndryshme në rrjete sociale.

Cilat janë objektivat tuaja në të ardhmen?

Për të ardhmen mendoj të vazhdoj punën që bëj në Solaborate dhe kërkimet që bëj si i pavarur. Po ashtu shpresoj që të arrij marrëveshje me institucionet e Kosovës që së bashku të bëjmë testimin dhe rregullimin e sistemeve qeveritare. Në këtë drejtim jemi në diskutime me Komunën e Prishtinës dhe besoj se së shpejti do të fillojmë një bashkëpunim me ta. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është përmirësimi i sigurisë së sistemeve publike të komunës që të garantojmë siguri më të lartë për të gjitha të dhënat e qytetarëve të Kosovës.

ICT, “Mobiliteti i Vitit”

Flet Julian Demeti, Gati.al – Punë ka, tani ka edhe profesionistë!

Platforma Gati.al u përzgjodh fituese e çmimit “Mobility of
the year” në ICT AWARDS VI dhe për këtë jemi shumë krenarë, pasi një punë e madhe nga një ekip profesionistësh shumë të dedikuar, u shpërblye me një çmim prestigjoz.

Arsyeja e këtij vlerësimi erdhi si pasojë e mundësive
që ofron kjo platformë në treg. Gati.al është platforma ku nga celulari juaj mund të gjeni mbi 2600 profesionistë (numër në rritje), në 216 profesione në të gjithë Shqipërinë. Disa nga përparësitë e kësaj platforme janë:

  1. një listë e madhe profesionistësh me detajet përkatëse të çdo profesionisti apo ekipi,
  2. mundësi vlerësimi. Kjo ndikon në evidentimin e profesionistëve më të mirë,
  3. u ofron profesionistëve të rinj mundësinë të aplikojnë për praktikë pune tek ekipet/kompanitë e regjistruara direkt nga platforma,
  4. mundësi edukimi përmes rubrikës “Si të?”
  5. promovon profesionistët dhe mundëson më shumë punë.

Kështu, tregu nuk është më një lagje, por e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e kudo ka shqiptarë. Këto besoj kanë qenë arsyet kryesore për çmimin “Mobility of the year”. Ky çmim na vë përpara më shumë përgjegjësive, duke vazhduar në përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të platformës për t’u shërbyer sa më mirë përdoruesve tanë.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

Këto ditë, gati. al fillon një fushatë marketigu, e cila do të zgjasë rreth 3 muaj. Qëllimi kryesor i kësaj fushate do të jetë ndërgjegësimi i qytetarëve shqiptarë për platformën gati.al.

Objektivat afatshkurtër janë regjistrimi i çdo profesionisti apo ekipi në territorin shqiptar në një kohë rekord, si dhe ndërgjegjesimi i qytetarëve dhe bizneseve shqiptare për mundësitë që ofron platforma, duke i ftuar ata ta përdorin për nevojat e tyre të përditshme. Me rritjen e përdorimit padyshim që hapi i radhës do të jetë shtrirja e platformës në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi duke e bërë gati.al platformën e profesionistëve shqiptarë në Ballkan.

Ndaj, ftoj të gjithë lexuesit e Business Mag, të regjistrohen duke hapur një llogari për pak sekonda në gati.al versionin web/mobile ose duke shkarkuar aplikacionin në Android/IOS.

Gruaja në ICT – Hana Qerimi me “Shkolla Digjitale” dhe “Starlabs”

Pse mendoni se fituat? Çfarë ju çoi në fitore?

Mendoj se fitorja ime erdhi si pasojë e suksesit që kanë treguar bizneset të cilat drejtoj, që janë Shkolla Digjitale dhe Starlabs. Besoj se jurisë profesionale të ICT Awards i ka bërë përshtypje impakti social që Shkolla Digjitale është duke treguar në tregun e Kosovës përmes edukimit të të rinjve në sektorin e teknologjisë informative. Fëmijët, të cilët po edukohen në Shkollën Digjitale për shkenca kompjuterike dhe programim, shumë shpejt do të jenë të gatshëm për tregun e punës dhe profesionet e reja, të cilat po shfaqen vazhdimisht në këtë drejtim. Gjithashtu, përmes kompanisë “StarLabs” e cila ofron shërbime të teknologjisë për tregun ndërkombëtar përmes mundësisë outsourcing, impakti në shoqëri është shumë i dukshëm, pasi ndikon drejtpërdrejt në punësimin e shumë të rinjve në këtë fushë.

Përveç suksesit në biznes, mendoj se fitoren time e ndikoi edhe eksperienca ime profesionale dhe edukimi profesional. Unë kam përfunduar studimet bachelor për menaxhim biznesi si dhe studimet master për konsulencë menaxheriale. Gjithashtu, jam e certifikuar si menaxhere profesionale e projekteve PMP dhe njëkohësisht ofroj trajnime në këtë drejtim pranë qendrës së trajnimeve të Universitetit Amerikan në Kosovë.

Në ç’pikë jeni me projektin tuaj?

Aktualisht Shkolla Digjitale numëron mbi 800 nxënës aktivë të moshave 7 deri 18 vjeç, të cilët mësojnë shkenca kompjuterike dhe programim. Sot Shkolla Digjitale operon në dy qytete të Kosovës, në Prishtinë dhe në Ferizaj dhe ka një staf prej 24 punëtorësh. Shkolla Digjitale është i vetmi institucion në Kosovë dhe rajon që është plotësisht e dedikuar vetëm në edukimin e të rinjve në sektorin e teknologjisë informative dhe këtë e bën përmes kurseve dhe metodës së mësimit jo formal. Shkolla Digjitale është gjithashtu institucioni i vetëm i akredituar dhe i validuar nga Ministria e Arsimit në Kosovë që të lëshojë certifikatën me titull “Programer Junior”.

Ndërkaq, Kompania “Starlabs” operon me klientë ndërkombëtarë përmes shërbimeve outsourcing. Sot numëron 16 punëtorë dhe ofron shërbime për Business Process Outsourcing, Zhvillim Softuerik, Testim, Zhvillim të Webfaqeve etj.

Cilat janë objektivat tuaja në të ardhmen?

Duke marrë parasysh që Shkolla Digjitale është e vetmja e këtij lloji në vend dhe rajon, objektivat tona për Shkollën Digjitale për të ardhmen e afërt janë që të zgjerohemi globalisht. Shkolla Digjitale sot ka partner ndërkombëtarë përmes të cilëve ka filluar bashkëpunimin për themelimin e Shkollës Digjitale nëpër shtetet e tjera në botë. Kjo do t’i mundësojë Shkollës Digjitale rritje të biznesit si dhe nxënësve aktiv, do t’u mundësojë të shkëmbejnë dhe marrin përvoja ndërkombëtare.

Sa i përket kompanisë Starlabs, objektivat tona janë që të gjejmë klientë të tjerë dhe të lidhim marrëveshje të reja në sektorin e ICT Outsourcing.

ICT Inovacioni i Vitit: Uljan Sharka me iGenius / Crystal, Uljan Sharka

iGenius është kompania italiane e inteligjencës artificiale, e cila zhvillon softuerë që lehtësojnë marrëdhënien mes njeriut dhe të dhënave. Nga investitorë italianë engjëj, kompania ka realizuar një investim prej 7 milionë dollarë.

Ky është investimi më i madh në Itali nga investitorët engjëj dhe do të përdoret për të zhvilluar teknologji të reja, për të rritur ekipin, strukturuar startupin dhe zgjeruar biznesin, sipas drejtuesit të iGenius

Këto muaj ekipi i startupit po zgjerohet edhe me 30 punonjës të rinj në zyrat italiane dhe zvicerane për të përballuar rritjen e numrit të konsumatorëve në mbarë botën.

iGenius është vlerësuar ndër startupet më të mira ndërkombëtare jo vetëm nga ICT por edhe nga nga Facebook, Google, Web Summit, Startup Grind dhe TechCrunch.

Me një ekip prej 50 vetësh në katër zyra në Itali, SHBA, Britani dhe Zvicër, iGenius janë dashur vetë 6 muaj për të krijuar Crystal, asistentin e parë virtual të inteligjencës së të dhënave në bashkëpunim me Google, Facebook dhe Twitter.

Crystal mund të përshtatet me çdo burim të dhënash që nga Marketingu, CRM, Shitjet dhe IOT.

Startupi ka mbi 20,000 konsumatorë në 20 shtete veçanërisht në fushat e medias, reklamimit, kujdesit shëndetësor, energjisë, sportit, financës dhe ICT-së.

Uljan Sharka është shprehur se, “Që kur u themelua iGenius, ne gjithnjë kemi menduar si një startup por jemi sjellur si një kompani e madhe. Ne kemi filluar zhvillimin e teknologjive tona të inteligjencës artificiale për të “pushtuar” tregun e inteligjencës së bizneseve”.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 34 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0