Shkruar nga Anila Bashllari, NeurCoach
Jemi mësuar të dëgjojmë shprehje të tilla si emocione pozitive dhe negative, apo faktin që njerëzit dëshirojnë të përjetojnë vetëm emocione pozitive dhe të shmangin ato negative.
Kur për herë të parë dëgjova mentorin tim që zemërimi nuk është gjithmonë i dëmshëm, duhet të kem bërë atë shprehjen “skeptike” të fytyrës. Por, më pas u njoha me studime të ndryshme ku konfirmohej se menaxhimi i zemërimit, transformimi dhe përdorimi në mënyrë eficente i asaj energjie që krijohet ndikon në rritjen e motivimit, përmirësim të komunikimit si dhe një “rifillim” që na bën më optimistë.
Nëse jeni si unë dikur, në momentin e parë që do i lexoni këto rrjeshta do ndiheni skeptikë dhe me siguri do bëni atë shprehjen time të fytyrës, kur nuk besoni diçka si të vërtetë.
Në përgjithësi, kemi dëgjuar që zemërimi si emocion është negativ. Kjo është edhe arsyeja pse po shkruaj një artikull mbi përfitimet që na sjell ky emocion.
Zemërimi është një nga 7 emocionet bazë, sipas neuroshkencëtarit dhe psikobiologut Eston- Amerikan, Jaak Panksepp. Këto emocione janë: Frika, Zemërimi, Kurioziteti/Kërkimi, Kujdesi, Epshi, Keqardhja dhe Dëshira për të Lozur, emocione të instaluara në zonat subkortikale në trurin e gjithë gjitarëve, duke përfshirë edhe njeriun*.
Sipas studiuesve të sjelljes njerëzore, zemërimi u shërben disa funksioneve rregullatore, fiziologjike dhe psikologjike, të cilat lidhen me vetë-mbrojtjen dhe mbijetesën. Nëpërmjet proçeseve sociale ai luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e personalitetit dhe diferencat individuale në përgjigje të sfidave të ambientit që na rrethon, të cilat mund të ofrojnë më shumë apo më pak mundësi përshtatjeje.
Filozofia ime e jetës bazohet tek parimi i masës, dhe në këtë kontekst do thoja edhe për emocionet. Duke qënë se po flas për emocionin zemërim po i referohem atij: nëse nuk mbahet nën kontroll mund të kthehet në dhunë dhe agresion ndërsa nëse shtypet dhe mbahet brenda vetes mund të kalojë në depresion, të dëmtojë shëndetin dhe natyrisht të krijojë probleme me komunikimin dhe zgjidhjen e situatave që shfaqen në të përditshmen tonë.
Por nëse e njohim veten dhe emocionet tona, atëherë mund të kemi shumë përfitime nga kontrolli dhe menaxhimi i tyre. Duke qënë se po i referohem zemërimit, le të shikojmë disa nga përfitimet e këtij emocioni (edhe pse gjatë gjithë kohës e kemi konsideruar si negativ):
Zemërimi na ka shërbyer për të mbijetuar
Kërkimet shkencore tregojnë se emocioni zemërim ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbijetesën tonë si qënie njerëzore. Tashmë është bërë e njohur se, për të mbijetuar në situata kritike dhe kërcënimi, truri ynë aktivizon automatikisht modelin: Lufto – Mbathja – Ngrij, që u përgjigjet 3 emocioneve të ndryshme: Zemërim- Frikë – Shokim. Eshtë fakt se kjo ka ndihmuar të parët tanë të mbijetojnë, ashtu si edhe neve në kohët moderne, duke na ka ndihmuar dhe motivuar të jemi vigjilentë dhe tepër të fokusuar në mbrojtje të vetes.
Zemërimi aktivizon një lloj energjie që na jep qartësi dhe fuqi për të përfunduar atë me çfarë përballemi.
Kur zemërohemi, krijohet një energji e madhe brenda nesh, të cilën duhet të dimë se si ta transformojmë në përfitimin tonë. Ju kujtohet ndonjë moment kur jeni ndjerë të nënvlerësuar nga prindërit, kolegët apo shefi juaj dhe zemërimi apo inati i momentit ju ka mobilizuar për të vërtetuar të kundërtën? Ose kur pas një debati me partnerin tuaj për shkak të harresës apo neglizhencës për çfarë i keni kërkuar? Dhe jeni mobilizuar me një lloj fuqie që as vetë nuk e besoni nga ju erdhi për të provuar të kundërtën?
Sipas studiuesve të ndryshëm është pikërisht kjo qartësi dhe fuqi që na vjen nga zemërimi/inati që na shtyn ne të përdorim fuqinë tone, apo duke angazhuar edhe të tjerë, pavarësisht kostove të krijuara apo përfitimeve për të marrë atë çfarë duam.
Natyrisht, ato individë që dinë të menaxhojnë zemërimin dhe ta përdorin atë energji në mënyrë konstruktive janë gjithmonë në kushte më të favorshme për të treguar sa të aftë janë në plotësimin e nevojave të tyre në krahasim me ato që e mbajnë përbrenda zemërimin/inatin dhe bëjnë sjellje disfuksionale që nuk kanë lidhje me situatën apo dënim altruist.
Zemërimi na motivon për të vepruar
Studiues të sjelljes njerëzore shpjegojnë që ne motivohemi në 2 mënyra:
Drejt kënaqësisë
Shmangjes së dhimbjes
Qarku që lidhet me motivimin dhe shpërblimin ndodhet në korteksin e majtë – Nucleus Accumbens – dhe është thelbësor në mbijetësën e çdo gjitari, duke çliruar dopaminën, një neuro transmetues shumë i fuqishëm, që zgjon trurin dhe stimulon për të vepruar. Nga imazheritë e trurit në kushte të funksionit të plotë rezulton që zemërimi aktivizon qarkun – Left Anterior Cortex – qark i cili lidhet me sjellje pozitive, ndërsa frika aktivizon Right Frontal Cortex, qarqe që lidhen me tërheqjen, demotivimin dhe shmangjen e dhimbjes/pakënaqësisë.
Këto fakte provojnë se zemërimi krijon potencialisht një energji të caktuar, e cila mund t’ju shërbejë/motivojë për të arritur objektivat e caktuara apo zgjidhur situata komplekse dhe të vështira.
Zemërimi ndikon në rritjen e bashkëpunimit
Kjo duket pak kontroversale, por është e vërtetë. Nëse zemërimi është i arsyeshëm dhe arrijmë ta menaxhojmë dhe shprehim në mënyrë konstruktive, atëherë kemi mundësi të shmangim keqkuptimet dhe rëndimin e situatave konfliktuale.
Ju ka ndodhur të keni një debat si rezultat i të cilit keni ndjerë zemërim dhe me të drejtë? Që edhe pse të zemëruar keni mundur ta menaxhoni si duhet atë energji, duke kërkuar apo dhënë shpjegime në mënyrë konstruktive? Çfarë keni vënë re më pas? Jam e bindur që komunikimi është bërë më i frytshëm.
Njohja dhe proçesimi i emocioneve (# zemërimi) ndikon në rritjen e inteligjencën emocionale dhe përmirësimin e vetes.
Do të citoja një shprehje të Aristotelit, ku shprehet qartësisht që njohja, shprehja dhe menaxhimi i zemërimit është një aftësi jo e lehtë, aftësi e cila në kohët e sotme quhet inteligjencë emocionale.
“Çdokush mund të zemërohet, kjo është e lehtë; por të zemërohesh me personin e duhur, në masën e duhur, në kohën e duhur, për qëllimin e duhur dhe në mënyrën e duhur, që nuk është në fuqinë e kujtdo; kjo nuk është e lehtë.”
Aristoteli (320 BC)
Inteligjenca emocionale është një aftësi, e cila mund të mësohet. Në këtë kontekst, ka shumë rëndësi njohja, shprehja dhe menaxhimi i emocioneve në mënyrë të shëndetshme që nënkupton pranimin, lejimin, kuriozitetin, njohjen e shkakut dhe puna individuale në rregullimin e tyre.
Pra, të ndjesh emocionet negative në mënyrën e duhur është e shëndetshme, ndryshe nga çfarë kemi besuar deri tani që duhet të përjetojmë vetëm emocione pozitive.
Njohja e spektrit të emocioneve dhe menaxhimi i tyre ndihmojnë shumë në rritjen e inteligjencës emocionale, një komunikimi efektiv dhe krijimit të raporteve më bashkëpunuese me të tjerët. Personat që punojnë për rritjen e inteligjencës emocionale, duke njohur dhe rregulluar emocionet e tyre, janë më të suksesshëm si në jetën personale edhe atë profesionale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.