Feed-i i YouTube Shorts pritet të bëhet edhe më artificial. CEO i YouTube, Neal Mohan, ka zbuluar në letrën e tij vjetore se krijuesit së shpejti do të kenë mundësinë të realizojnë Shorts duke përdorur ngjashmërinë e tyre të krijuar nga inteligjenca artificiale. Praktikisht, kjo do t’u lejojë atyre të “xhirojnë” video pa qenë realisht përpara kamerës. Funksioni pritet të lançohet gjatë vitit 2026, ndërsa detajet konkrete mbeten ende të paqarta.
Sipas një zëdhënësi të YouTube për The Verge, më shumë informacion mbi mënyrën e funksionimit dhe afatin e lançimit do të bëhet publik së shpejti. Ky njoftim është pjesë e një strategjie më të gjerë të YouTube për të zgjeruar përdorimin e inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjes. Platforma ka shtuar gradualisht mjete të reja për krijuesit, duke përfshirë analiza të automatizuara për kanalet, përkthim dhe dublim automatik të videove, si dhe krijimin e klipeve të shkurtra për Shorts përmes AI.
Shorts është kthyer në një nga formatet më të rëndësishme për YouTube, me rreth 200 miliardë shikime në ditë, çka e bën atë një terren eksperimentimi me ndikim global për përmbajtjen e gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Por kjo hapje ndaj teknologjive të reja sjell edhe sfida të mëdha. YouTube po përballet gjithnjë e më shumë me përmbajtje të gjeneruar nga AI me cilësi të ulët, e krijuar vetëm për të manipuluar algoritmin dhe për të gjeneruar klikime.
Lexo edhe: Nga “zona e rrezikut” në Davos, pse syzet e Emmanuel Macron u bënë virale?
Neal Mohan e pranon këtë tension në letrën e tij, duke theksuar se ndërsa YouTube ka shmangur historikisht vendosjen e kufizimeve të forta për krijuesit, kjo qasje vjen edhe me përgjegjësinë për të garantuar një përvojë cilësore për shikuesit. Platforma ka mbyllur më herët kanale që publikonin trailera filmash të rremë dhe përmbajtje të përsëritur të krijuar nga AI, dhe sipas Mohan po forcon sistemet për të luftuar spam-in, clickbait-in dhe përmbajtjen me vlerë të ulët.
Nga ana praktike, përdorimi i AI likeness mund të jetë një mjet i dobishëm për krijuesit që kërkojnë të ruajnë një ritëm të qëndrueshëm publikimesh ose të testojnë ide të reja pa qenë gjithmonë fizikisht të pranishëm. Megjithatë, ekziston rreziku që kjo teknologji të kthehet në një mënyrë për prodhim masiv të përmbajtjes pa identitet, duke mbingarkuar feed-in me video të ngjashme dhe të harrueshme.
Njoftimi vjen në një moment strategjik për Google, kompania mëmë e YouTube, e cila po pozicionohet gjithnjë e më hapur si një platformë miqësore ndaj inteligjencës artificiale, ndryshe nga aktorë të tjerë të industrisë si Meta. Në të njëjtën kohë, YouTube po mendon për evolucionin e Shorts edhe përtej videos, duke integruar formate të tjera si postimet me imazhe, në një përpjekje për të konkurruar më drejtpërdrejt me platforma si TikTok.
AI likeness në YouTube përfaqëson një bast me rrezik të lartë: nëse platforma arrin të balancojë lirinë kreative me moderimin efektiv, kjo mund të kthehet në një avantazh të rëndësishëm në garën për vëmendjen e krijuesve. Në të kundërt, ekziston rreziku që feed-i i Shorts të mbushet me klone digjitale që prodhojnë përmbajtje të njëtrajtshme. Muajt e ardhshëm do të tregojnë se në cilën drejtim do të shkojë kjo strategji.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.