Nga Ashley Parker
Jeff Bezos, miliarderi pronar i The Washington Post, dhe Will Lewis, botuesi që ai emëroi në fund të vitit 2023, po ndërmarrin hap pas hapi planin e tyre për të shkatërruar gjithçka që e bënte këtë gazetë të veçantë. The Washington Post ka mbijetuar për gati 150 vjet, duke u kthyer nga një gazetë familjare lokale në një institucion kombëtar të pazëvendësueshëm dhe një shtyllë e demokracisë amerikane. Por nëse Bezos dhe Lewis vazhdojnë në këtë rrugë, rrezikon të mos mbijetojë më gjatë.
Vitet e fundit, drejtuesit kanë shkurtuar vazhdimisht redaksinë: mbyllën revistën e së dielës, ulën stafin me qindra persona, përgjysmuan pothuajse redaksinë Metro. Të gjitha këto pa pranuar vendimet e gabuara të biznesit që e sollën gazetën në këtë pikë dhe pa ofruar një vizion të qartë për të ardhmen. Këtë mëngjes, kryeredaktori ekzekutiv Matt Murray dhe drejtori i burimeve njerëzore, Wayne Connell, njoftuan në një takim virtual se po mbyllej departamenti i Sportit dhe seksioni i Librave, po ndërpritej podcast-i kryesor i gazetës dhe po shkurtoheshin rëndë departamentet Ndërkombëtar dhe Metro, bashkë me shkurtime në të gjitha ekipet. Më pas, stafi u la në pritje të një emaili për të mësuar nëse ende kishin apo jo punë. Will Lewis as që u shfaq në takim.
The Post mund të ringrihet një ditë. Por kjo do të mbetet trashëgimia e tyre.
Ajo që po ndodh me The Washington Post është një tragjedi publike, por për mua është edhe shumë personale. Kur bodrumi i shtëpisë së prindërve të mi u përmbyt së fundmi, mes kutive me fotografi të vjetra dhe disqe vinili, gjetëm librin e foshnjërisë së motrës sime. Në faqen ku prindërit zakonisht shkruajnë kujtime për muajin e parë të jetës së fëmijës, babai im kishte shkruar lajme nga The Washington Post: AIDS, skandali Irangate, emërimi i Bork në Gjykatën e Lartë, greva e NFL, kriza e mbetjeve… Mirë se erdhe në botë, vogëlushe.
Për familjen time, The Washington Post ishte pjesë e ADN-së sonë. U rrita në Bethesda dhe nuk mbaj mend një kohë kur kjo gazetë të mos ishte pjesë e jetës sime. Aty kërkoja të kuptoja tragjeditë e adoleshencës, sportin e shkollës, sulmet e snajperëve në Uashington, dramën dhe realitetin e qytetit ku jetoja. Aty u dashurova me gazetarinë. Seksioni “Style” ishte porta ime drejt tregimit narrativ, drejt shkrimit me shpirt, me zë dhe me guxim.
Lexo edhe: BYD sfidon Teslën në Europë, karikim 5-minutësh dhe fabrikë miliardëshe në Hungari
Në vitin 2017, u bashkova me The Washington Post për të mbuluar Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës Trump. Mendova se do të qëndroja përgjithmonë. Prandaj ajo që po ndodh sot është personale, por është edhe shumë më e madhe se unë apo çdo individ tjetër.
Gazetarët e Post-it kanë treguar vullnet të vërtetë për t’u përshtatur dhe për të ndryshuar me kohën. Por drejtuesit duket se nuk dinë ku ta çojnë këtë institucion. Ndërkohë që flasin me zhargon korporatash, gazetaria vazhdon të mbetet e fortë. Në fillim të vitit 2025, ata shpallën objektivin absurd për të kaluar nga 2.5 milion abonentë në 200 milionë përdorues me pagesë, ndërkohë që po humbnin dhjetëra mijëra lexues dhe fajin ua hidhnin gazetarëve.
Unë nuk kam zgjidhje magjike për krizën financiare të medias. Por e di çfarë humbet nëse kjo gazetë shndërrohet në një produkt të zakonshëm pa shpirt. Watergate nisi si një lajm lokal. Hetimet që rrëzuan një president nisën nga redaksia Metro. The Washington Post gjithmonë ka kthyer historitë lokale në çështje kombëtare dhe globale.
Forca e vërtetë e kësaj gazete ka qenë bashkëpunimi, humanizmi, ndjeshmëria dhe guximi për t’u përballur me pushtetin. Korrespondentët e saj kanë rrezikuar jetën në luftëra, pandemi dhe kriza globale për t’i sjellë publikut të vërtetën. “Isha aty. Isha aty. Isha aty.” Kjo është fuqia e gazetarisë së vërtetë.
The Washington Post nuk ishte thjesht një vend pune. Ishte një komunitet. Një familje profesionale ku njerëzit mbështesnin njëri-tjetrin në momentet më të vështira të jetës. Një redaksi ku bashkëpunimi dhe solidariteti ishin po aq të rëndësishëm sa ekskluzivitetet dhe çmimet Pulitzer.
Sot, kjo kulturë po gërryhet. Çdo largim është humbje e memories institucionale. Çdo shkurtim është një hap larg shpirtit të gazetës.
Edhe pse sot punoj diku tjetër, The Washington Post mbetet “ne-ja” ime. Për shumë prej nesh, do të mbetet gjithmonë “ne-ja”. Sepse The Washington Post nuk është vetëm e gazetarëve që punojnë aty. Është e publikut. Është e qytetit. Është e demokracisë.
Dhe ne meritojmë shumë më tepër se kaq!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.