Valer Pinderi: Për ata që janë në dilemë të largohen apo jo nga Shqipëria - Business Magazine Albania

Valer Pinderi: Për ata që janë në dilemë të largohen apo jo nga Shqipëria

Valer Pinderi

Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me emigracion të lartë. Diaspora jonë është ndër më të mëdhatë në botë, krahasuar me numrin e popullsisë në shtetin mëmë. Por, ka sipërmarrës vendas që na sjellin një qasje tjetër, rreth vendimit të tyre për të qëndruar në Shqipëri. Pikërisht në një nga eventet me temë emigracionin, zhvilluar së fundi në Tiranë, Valer Pinderi, themelues dhe drejtues i Aladini, ka mbajtur një fjalë rreth zgjedhjes së tij. Një mesazh për të gjithë shqiptarët, të cilin duam ta ndajmë me ju.

Sot u drejtohem të gjithë atyre që janë në dyshim apo të bindur se Shqipëria nuk është vendi i duhur për të jetuar.

Unë jam një person shumë aktiv. Kam themeluar dhe drejtoj Aladini.al prej më shumë se 10 vjetësh. Drejtoj shoqatën e tregëtisë në internet (AECA), jam folës në publik, trajnues, jam baba full time dhe së shpeji do të drejtoj një emision në radion më të madhe në vend. Aspiroj të bëj kompaninë e parë publike në Shqipëri dhe një prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare shqiptare.

Me pak fjalë, jam deri diku i suksesshëm, e sigurt i lumtur. Vazhdoj të punoj për të arritur edhe më shumë çdo ditë në këtë Shqipëri që shumica duan të ikin.

E vetmja diferencë që kam me ata që duan të largohen, është se ata nuk e ndjenë veten 100% përgjegjës për fatin, lumturinë dhe suksesin e tyre. Ua japin një pjesë të kësaj përgjegjësie, të tjerëve: mësuesëve, prindërve, dhe disa më keq akoma shtetit ku jetojnë apo politikanëve që nuk kanë zgjedhur.

Unë mendoj që kjo bën diferencë totale në cilësinë e jetës së një njeriu, sepse, ndërkohë që unë ndihem 100% përgjegjës për fatin, suksesin dhe lumturinë time, jam gjithmonë në kërkim të shtegut për ta gjetur. Ndërkohë, të tjerët që nuk janë 100% përgjegjës për fatin e tyre nuk kërkojnë shtegun por gjejnë justifikime.

Në shkollë isha i pandërgjegjshëm për inpaktin që ky fenomen kishte mbi mua. Bëja fajtorë të gjithë dhe për mos suksesin tim. Por, gjithçka nisi të përmirësohet në momentin që vendosa të qëndroj në Shqipëri dhe të marr në kontroll jetën time.

Që nga ai moment, kur dikush thoshte këtu nuk ka biznese dhe biznesmenë të mirë, unë nuk trishtohesha dhe t’i bëja fajtorë, por hapa biznesin tim për ta bërë më mirë se ta.

Kur njerëzit thonë nuk ka shoqata që ndihmojnë realisht bizneset apo grupet në nevojë unë nuk u trishtova dhe nuk i bëra fajtorë, por insistova në themelimin e një shoqate, e cila do përpiqet të bëjë gjërat e duhura.

Lexo: Përmes një sateliti do të matet pjesa më e madhe e ujit në planet

Kur njerëzit thonë që Shqipërinë e kanë blerë disa oligarkë, unë shikoj historinë dhe kutpoj që ne jemi vetëm në fillimin e kapitalizmit. Nëse ankohemi për Shqipërinë, nuk e di se çfarë duhet thënë për shtetet që duam të largohemi, të cilat kanë qindra vite kapitalizëm. Fillimet e kapitalizmit në këto vende kanë qenë në kushte edhe më të favorshme për oligarkët dhe sërisht ato vende sot janë shpresa e botës. Kemi një rrugëtim të gjatë pëpara për të hequr dorë që në fillim.

Kur njerëzit thonë mediat janë të blera, unë shikoj një mundësi të jashtëzakonshme për gazetarë të pavarur që përdorin platforma si YouTube dhe rrjetet e tjera sociale, të cilat janë shumë herë më të fuqishme se mediat tradicionale sot në botë.

Kur njerëzit thonë nuk ka shëndetësi dhe arsim të mirë publik unë shikoj një arsye më shumë për t’u bërë më i aftë edhe për të fituar më shumë, që të mund të siguroj shëndetin më të mirë dhe arsimimin më të mirë.

Kur njerëzit shikojnë probleme tek politikanët e korruptuar, unë shikoj mundësi për lidera të rinj me forma të reja drejtimi.

Kur njerëzit që duan të largohen shikojnë një ekonomi të dobët të pashpresë, unë shikoj një platformë me kosto të ulët për të testuar aftësitë e mia si sipërmarrës.

Kështu miq kini kujdes nga çfarë besoni sepse ajo bëhet realitet. Nëse ju besoni se fatin tuaj e cakton një vend, atëhere vendi do caktojë fatin tuaj. Nëse ju besoni që fatin e përcaktoni ju, atëhere ka më shumë gjasa që të plotësoni ëndrrat tuaja.

Mos prisni që një vend të bëjë diçka për ju, sepse jeni ju ata që mund të bëni diçka për një vend.

Fillo tani merre në kontroll jetën tënde ose dikush tjetër do ta marrë për ty dhe gjasat janë  të mos ju pëlqejë ai drejtim…

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0