Universiteti Bedër organizon aktivitetin me temë “Ruaj traditën, festo shqip” - Business Magazine Albania

Universiteti Bedër organizon aktivitetin me temë “Ruaj traditën, festo shqip”


Ruajtja dhe përcjellja e folklorit tonë shqiptar ishte kryefjala e aktivitetit më të fundit organizuar nga studentët e Kolegjit Universitetar Bedër “Panel Diskutimi: Ruaj traditën, festo shqip”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin personalitete të fushës, të cilët kanë kontribuar ndër vite në ruajtjen e folklorit shqiptar. Përmendim këtu rektorin e Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pedagogia dhe koordinatorja e fushatës Edlira Mali, Amanda Hysa- Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike Doc. Dr. Agron Tufa, koreografia Lindita Kaimi, koreografi Genc Kastrati, Ilirjana Kaceli – studiuese dhe pedagoge e historisë, balerina e mirënjohur e Teatrit të Operas dhe Baletit Isida Mollaymeri, Ermal Sela, muzikant dhe koleksionist instrumentash, këngëtari Lekë Pecnika, lahutari Jonus Delaj dhe Gjin Pepkolaj si dhe studentë të universitetit, nën moderimin e gazetares Anisa Ymeri.

“Ruaj traditën, festo shqip” është slogani në të cilin studentët e Universitetit Bedër kanë nisur këtë fushatë, që ka për qëllim ndërgjegjësimin e të rinjve për ruajtjen e folklorit, ruajtjen e vlerave shqiptare, i fokusuar kryesisht në këngë dhe valle. Këngë e valle shqiptare që ndoshta brezi i ri po i humbet, nuk po u kushton rëndësi siç ka qenë më herët. Kjo fushatë është ndërmarrë në kuadër të procesit akademik në lëndën Konceptim dhe Menaxhim Fushatash me udhëheqëse profesoreshë Edlira Mali.

Një fushatë e menduar ndryshe, jo që të mbesë thjesht një fushatë e një lënde semestrale, por të arrihen disa qëllime dhe të ketë një vazhdimësi. Të ndërgjegjësohen të rinjtë, por jo vetëm duke organizuar sa më shumë aktivitete kulturore, të cilat do të kenë në fokus traditën dhe do të promovojnë vlerat kulturore shqiptare. Në kuadër të fushatës studentët e universitetit Bedër kanë organizuar disa aktivitete dhe në vazhdimësi kanë në plan organizime dhe aktivitete të reja. Në fund të fushatës pritet të organizohet një koncert i madhe me këngë dhe valle popullore.

Përveç se promovimi i folklorit në sytë e të rinjve, ky organizim ka për qëllim nxitjen e këtyre të fundit që të ndërmarrin nisma dhe aktivitete të tjera në vazhdim. Të bëjnë bashkë aktorët e shoqërisë, individë, institucionë të kulturës, artistë, koerografë, kompozitorë, personalitete të fushës, të cilët kanë kontribuar në vite në folklorin shqiptar dhe kanë investuar për ta pasuruar atë.

Ky aktivitet u zhvillua pikërisht për të treguar se kush më mirë se të rinjtë mund të kontribuojë për ruajtjen e folklorit, ruajtjen e vlerave, sepse jemi në një kohë ku folklori ka nevojë për vëmendje që të transmetohet brez pas brezi, pasi duke pasur të forta rrënjët tona mund të kemi të forta edhe degët tona.

Në fjalën e tij rektori i Universitetit Prof. Dr. Ferdinand theksoi se institucioni që në momentin e parë, në misionin e tij ka patur promovimin e vlerave dhe një proces edukimi të mbushur me vlera, apo të përbërë nga vlerat dhe këtë janë përpjekur ta kenë në të gjithë hallkat e këtij institucioni. Këtë kanë dashur të përcjellin dhe me këtë event, përcjelljen e vlerave të folklorit shqiptar.

Këto nisma janë shumë të mira për të tashmen dhe të ardhmen e një vendi të vogël si Shqipëria, për përcjelljen e vlerave dhe të këtyre pasurive të paçmuara që zotëron. E shkuara nuk humbet ajo vetëm përsëritet, siç thoshte Volkeri. Shqiptari nuk mund të harrojë as lahutën, as kostumin, as ritet, pasi pa ato do të mbetet pa identitet.

Koordinatorja e fushatës Edlira Mali, pedagoge në universitet shprehu një vlerësim të madh për studentët duke thënë se “Unë studentët i konsideroj si një forcë mendore shumë e madhe, pasi kanë një kapacitet të të menduarit dhe të përqafuarit të gjërave të bukura të paimagjinueshme. Dhe ajo thënia që kjo Shqipëri nuk bëhet është shumë utopike, unë besoj që me këtë rini që kemi ne sot, Shqipëria do bëhet dhe Shqipëria po bëhet çdo ditë e më tepër.”

Gjithashtu e ftuara e nderit në qendër të tavolinës ishte lahuta, instrumenti muzikor që na drithëron teksa e dëgjojmë të luhet, një instrument që është në qelizën e kulturës sonë muzikore. Aty e kuptojmë që jo vetëm duhet të përqafojmë dhe kultivojme folklorin tonë, por duhet ta ruajmë me fanatizëm, pasi jemi një vend kaq i vogël, por që mbartim vlera të mëdha.

Gjatë takimit u diskutuan edhe problematikat me të cilat haset sot folklori, rreziku i humbjes së instrumenteve të vjetra muzikore popullore të folkut etnik dhe se çfarë të bëjmë për t’i rregulluar këto problematika.

“Folklori gjithmonë evolon nuk i takon vetëm të kaluarës, ne duhet të nxisim iniciativa të tilla,” u shpreh Genc Kastrati, koreografi i Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore.

Ai duke ndërmarrë iniciativa personale, u ka mësuar të huajve vallet popullore shqiptare, pasi ai beson fort tek vlerat tona duke këmbëngulur se këto valle duhet të bëhen pjesë e kurrikulës mësimore shqiptare.

Në fund takimi u mbyll me pjesë të luajtura me lahutë nga dy lahutarët Jonus Delaj dhe Gjin Pepkolaj duke na kujtuar vlimin e gjakut tek ne shqiptaët teksa dëgjojnë këto ritme madhështore.

BusinessMag ishte sponsor mediatik i aktivitetit. Ne mbështesim dhe u bëjmë jehonë vlerave të vendit tonë dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe me këtë aktivitet.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0