Koço Broka, ekonomist
Kjo pyetje zor se mund të mos më lindte duke ndjekur pasqyrimin e punimeve të Forumit Ekonomik të Tiranës, të emërtuar nga Kryeministri edhe si platformë dialogu mes faktorëve të zhvillimit ekonomik. Synimi i tij ishte për të identifikuar dhe vlerësuar sfidat kyçe të rritjes ekonomike, përballë aspiratave të rajonit për integrim në Bashkimin Europian dhë masat që duhen marrë për një ekonomi më konkurruese në Shqipëri dhe Europën Juglindore, ndërkohë Kryeministri është i hapur për dialog kur, bëhet fjalë për çështjet e sfidat e ekonomisë e zgjidhjen e tyre, pavarësisht zërave për autoritarizëm e madje një regjim autoritarist.
Sipas njoftimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë tërhiqet vemendja se në këtë forum “Ministrja përmendi uljen e nivelit të papunësisë në nivelin e 12% si dhe angazhimin e forcave të punës në gati 70%”.
Ndërsa sipas njoftimit të Këshillit të Ministrave, duke evidentuar, se fjala e publikuar e Kryeministrit është përkthim simultan, ai në forum ka thënë: “Kemi normën më të ulët të papunësisë që prej 25 vitesh, jo bazuar në ato që themi ne, por bazuar në atë që thekson raporti i Bankës Botërore si histori suksesi”.
E di që menjëherë, njerëz që ndjekin këtë përmes medias mund të thonë “po, sepse popullata është ulur, sepse njerëzit mund të jenë larguar”, por jo, nuk është kështu. Shifra dhe norma e papunësisë dhe përqindja e papunësisë nuk vjen nga numri i personave që jetojnë tani në Shqipëri, por bazuar në të gjithë popullatën. Pra, nëse marrim parasysh vetëm njerëzit që jetojnë në vend sot, kjo normë do të ishte akoma më e ulët.”
Ndërkohë ai nuk mungon të paraprijë se “Duke qenë se më keni ftuar të flas për ekonominë dhe meqë e di shumë mirë, që kur vjen puna te ekonomia, ka gjithmonë disa hile, sepse njerëzit nuk i hanë statistikat, nuk pinë shifrat dhe me të drejtë nuk duan të krahasohen me pikën ku ishin dje, por duan gjithmonë të krahasohen me pikën ku ata duan të jenë nesër dhe kjo nuk është punë e thjeshtë, mund t’ju them që në fjalimin e përgatitur nga ekipi im ka shumë shifra, faktikisht dhe nuk do rrezikoj t’i kaloj këto shifra, sepse do duket sikur po hap një hapësirë tjetër, tek përmend që në çdo shifër kemi pasur përmirësime.
Natyrshëm lind pyetja: A ka vend për t’u mburrur për këtë tregues pas zhvillimeve të vitit 2019 dhe atyre që priten në 2020!?
Për hir të së vërtetës kjo mburrje mund të kishte vend disa vite më parë kur ka patur një shtim të punësimit dhe për pasojë dhe rënie të normës së papunësisë, qoftë dhe kryesisht si rrjedhojë e formalizmit të punonjësve, të konfirmuar jo vetëm nga të dhënat e INSTAT, por dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore; pavarësisht se shtesa e të punësuarve ishte më pak se sa premtimi elektoral i vitit 2013. Kjo për faktin se punësimi në ato vite u shoqërua jo vetëm me uljen e normës së papunësisë, por për mbi dyqind mijë të punësuar shtesë në sektorin privat jo rural janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, duke u mundësuar dhe shtimin e viteve mbi bazën e të cilës do t’u llogaritet pensioni. Për buxhetin e shtetit u rritën më ritme jo të vogla të ardhurat buxhetore nga ky faktor. Ndërkohë, në ato vite u frenua dukshëm thuajse deri në stopim zgjerimi i deficitit të sigurimeve shoqërore, duke u garantuar si indeksimi i pensioneve por dhe bonusi i fund vitit prej 5000 lekë në vitin 2018.
Por, ndryshe ka ndodhur gjatë vitit 2019. Ritmet dhe përmasat e shifrave të punësimit sipas tabelës së të dhënave të INSTAT “Të punësuar sipas burimeve administrative dhe sektori bujqësor, nuk konfirmojnë deklarimin se “në çdo shifër kemi pasur përmirësime”.
Nga një shtesë mjaft e mirë e punësimit gjatë viteve 2016-2018, nuk mund të pohohet e njëjtja gjë për shtesën e punësimi gjatë vitit 2019, kur gjatë 9 mujorit Janar-Shtator krahasuar me të njëtën periudhë punësimi në zonën urbane ka qenë 7869 vetë nga 60914 për atë të 1916-ës apo 46479 vetë në vitin 2018. E njëjta situatë është në thelb për të gjithë të punësuarit në zonën rurale apo në gjithë ekonominë që sipas kësaj evidence të INSTAT, numri të punësuarve gjithsej gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019 ka qënë 1,162,476 vetë ose 10,505 vetë më tepër krahasuar me tremujorin përkatës të vitit parardhës
Shtesa e të punësuarve ka ndodhur si rezultat i dy faktorëve. Nga njëra anë ajo është mundësuar nga kalimi i një pjesë të popullsisë inaktive të moshës 15-64 vjeç, në forcat e punës, dhe së dyti nga pakësimi i numrit të të papunëve, i atyre që kanë hyrë në punë, duke u shoqëruar me rënien e ndjeshme të numri i njerëzve që kërkojnë punë në zyrat e punës. Në këtë rrafsh edhe sikur gjithë shtesa e punësimit gjatë vitit 2019 të vinte nga pakësimi i papunësisë, në kushtet kur ky tregues si 9 mujor është rreth 6 herë më i vogël qoftë se sa një vit më parë, nuk ka vend për mburrje për pakësim të papunësisë, ndonëse ai është mund të jetë dhe është real. Por përmasat e tij nuk lenë vend për mburrje. Kjo edhe për faktin se si do ta shohim më poshtë papunësia në Shqipëria ka hyrë në një stad ku do vazhdojë të ulet në vitet në vijim, për shkak të dukurive demografikë, përfshi emigracionin, por jo vetëm të tij.
Por, cilat janë “argumentat” dhe të dhënat e shtetarëve ku mbështetet e justifikohet mburrja!? Për këtë mjafton të lexosh KUADRI MAKROEKONOMIK DHE FISKAL 2021–2023 Janar, 2020, i miratuar nga Këshilli i Ministrave javën e kaluar. Në të thuhet: “dinamika e tregut të punës ka vijuar performancën pozitive. Referuar anketës tremujore të forcës së punës nga INSTAT-i, punësimi deri në tremujorin e tretë të vitit 2019 u rrit me 2.6% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë ose me rreth 31 mijë të punësuar. Norma e papunësisë (për grup-moshën 15–64 vjeç) ka vijuar trendin e saj rënës që prej T1-2014, ku regjistroi vlerën e saj më të lartë prej 18%, duke zbritur tashmë në nivelin 11.8% në T3-2019, me një reduktim prej 0.8 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë (T3-2018) ose me një reduktim të numrit të personave të papunë prej rreth 8.2 mijë në harkun kohor të një viti. Ndërkohë, për grup-moshën 15 vjeç e sipër, norma e papunësisë gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019 regjistroi nivelin prej 11.4%.”
Për hir të së vërtetës këto të dhëna në vetvete burojnë nga INSTAT. Ato kanë si burim evidencën “Përmbledhje e treguesve të tregut të punës vlerësuar sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, Tr.1/15-Tr.3/19”, që konfirmojnë se papunësia është ulur nga 18 % në Tremujorin e parë 2014 (çuditërisht nuk bëhet më krahasimi me të dhënat e vitit 2012 apo gjashtëmujorit të parë të 2013, që në se kërkon ti gjesh zor se i gjen) në Tremujorin e tretë 2019. Por, sipas kësaj evidence numri i të punësuarve në tremujorin e tretë të vitit 2019 krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës është shtuar me rreth 31 mijë të punësuar, duke arritur në 1,200,159, nga 10,505 vetë shtesë të punësuar dhe 1,162,476 që është numri i të punësuarve dhe sipas evidencës tjetër po të INSTAT, nga burimet administrative. Pra sipas dy evidencave të INSTAT numuri i të punësuarve në tremujorin e tretë 2019 njëherë paraqitet 1,200,159 njëherë dhe njëherë 1,162,476, duke e thelluar diferencën e shtesës të të punësuarve sipas këtyre evidencave me mbi 20 mijë të punësuar!? Cila prej tyre është e saktë? Është shtuar informaliteti për 20 mijë punonjës? Të gjithëve u kujtohet se në Gusht 2019 u morën masa të rrepta për luftën kundër informalitetit të punonjësve dhe ETV fliste për rezultate jo të vogla që po ndodhnin në çdo javë.
Ndonëse media dhe gazetarë objektivë e kanë ngritur këtë shqetësim për zgjerimin e ndryshimit të të dhënave për të punësuar, të prezantuar nga INSTAT Këshilli i Ministrave pretendon se, “dinamika e tregut të punës ka vijuar performancën pozitive, se punësimi dhe në vitin 2020 do të rritet 3.3 %, nga 2.3 % në vitin 2019, ndërsa INSTAT nuk ka bërë shpjegimin nga buron ky thellim i ndryshimit në evidencat që publikon vetë ky institucion?!
Për pensionistët që nuk do të duartrokisnin që edhe për vitin 2020 të reduktohet më tej bonusi i fundvitit, është e dëshirueshme që të vazhdonte performaca pozitive e të punësuarve sipas burimeve administrative e viteve të mëparshme e mbështetur nga efektet financiare. Me një shtesë prej 31 mijë të punësuarish për vitin 2019 nuk do të kishte arsye të pakësohej bonusi i fundit vitit, ndonse pensionistët e konsideruan jo vetëm të jusfikuar por dhe të dëshirueshëm si solidarizmim për të prekurit e të dëmtuarit nga tërmeti. Por është fakt se gjatë vitit 2019 është thelluar defici i sigurimeve shoqërore si për shkak se është rritur në përmasa jo të vogla numuri i pensionistëve por edhe për faktin se janë ulur shtesa e numurit i kontribuesve të sigurimeve shoqërore në zonat urbane, krahasuar me vitet paradhëse , çka konfirmohet nga evidenca e INSTAT nga burimet administrative. Ndërsa të dhënat e evidencës tjetër në vend që të lexohen si mburrje për uljen e normës së papunësisë, le të lexohen si rritje e informalitetit në tregun e punës. Pra nuk ka vend për mburrje.
Të dhënat e INSTAT Përmbledhje e treguesve të tregut të punës vlerësuar sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, Tr.1/15-Tr.3/19, duke u larguar nga treguesi i të dhënave të publikuara nga ky institucion sipas burimeve administrative janë afruar me të dhënat e parashikuara për punësimin gjatë vitit 2019, të prezantuara në Relacionin e draft -Buxhetit të shtetit për vitin 2019, ku shkruhet “Norma mesatare e papunësisë parashikohet të bjerë në 12% në 2019, dhe pritet të gjenerohen mbi 30 mijë vende të reja pune”.
Në këto kushte ekzistenca e dy të dhënëve për punësimin dhe shtesën e të punësuarve për vitin 2019 të risjellin në vëmendje Xhorxh Orwell dhe veprën e tij 1984, ku Ai shkruan: “ Puna e Uinstoni ishte të korrigjonte figurat e kohëve të fundit dhe ti barazonte me ato të parashikuarat… E shkuara korrigjohej rifreskohej ditë për ditë, madje minutë për minutë. Në këtë mënyrë. çdo parashikim i bërë nga Partia mund të vërtetohej me dokumente që kishte qenë i saktë; nuk lejohej të ekzistonte asnjë paragraf gazete apo kurrfarë opinioni që binte në kundërshtim me interesat e castit. …Kur korigjimi mbaronte, nuk kishte asnjë mundësi për të zbuluar falsifikimin”
Në se u referohesh të dhënave të pasqyrës “Përmbledhje e treguesve të tregut të punës vlerësuar sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, Tr.1/15-Tr.3/19”,nuk mund të mos shohësh se ka të metë serioze metodologjike. Sipas kësaj evidencë treguesi popullsia në moshe pune15-64 vjeç kjo popullsi mbetet konstante gjatë tremujoreve brenda një viti dhe ndryshon në tërësi vetëm nga një vit në tjetrin. Psh gjatë tremujorëvë të vitit 2018 popullsia në moshë pune ka qënë 1974.2 mijë vetë, ndërsa gjatë tremujorëve të 2019-ës- 1965.8 mijë vetë, duke mos pasqyruar efektin e emigracionit, imigracionit apo migrimit neto, gjatë tremujorve.
Ky defekt nuk është korrektuar as pas apeleve për një pakt kombëtar për migrimin, ku kërkohet që të paktën të jepet statistika serioze dhe jo të hallakatura. Në kalendarin e publikimeve të INSTAT ishte parashikuar që më 27 Janar 2020 të publikohej anketa për migracionin dhe të jepeshin të dhëna për emigrimin dhe imigrimin dhe migracionin neto për vitin 2019. Kjo dhe për faktin se javën tjetër ka për tu publikuar popullsia me 1 Janar 2020.
Ndonëse INSTAT në tërësi është korrekt me zbatimin e kalendarit të publikimeve, të dhënat për emigracionin, imigracionin, migracionin neto për vitin 2019 nuk u publikuan. Por në se vonesa mund të kishte shkaqe të ndryshme të arsyetuara, nuk mund të mos të bëjë përshtypje se publikimi i të dhënave për migrimin e parashikuar për më datën 27 Janar fshihet edhe nga kalendari i botimeve të INSTAT. Ndonëse personalisht kam një përvojë shumë pozitive për marrjen e të dhënave nga INSTAT, duke ofruar në kohe të dhënat statistikore të kërkuara, që besoj se do të vazhdojë dhe në të ardhmen; një dukuri e tillë nuk është e pranueshme për faktin se e afron me praktikat famëkeqe që stigmatizon Xhorxh Orwell.
Personalisht mendoj se hartuesit e raporteve të dhënave të Qeverisë duhet të pasqyrojnë dhe reflektojnë të dhënat objektive të INSTAT, dhe jo ky i fundit ndaj projesioneve e parashikimet të Qeverisë apo Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Mendoj se norma e papunësisë do të vazhdojë të bjerë në vitet në vijim. Në se në KUADRI MAKROEKONOMIK DHE FISKAL 2021–2023 Janar, 2020, parashikohet që norma e papunësisë të bjerë në mënyrë të vazhdueshme deri në 9 % në vitin 2023, kjo si prirje e dukuri ka për të ndodhur. Por këtu ska asnjë vend për mburrje të Qeverisë aktuale apo të asaj që vjen pas zgjedhjeve të ardhshme që janë vitin tjetër.
Sipas të dhënave të INSTAT për strukturën moshore të popullsisë në Projeksionet e popullsisë gjithsej sipas moshës, skenari i rritjes së ulët për vitin 2020, (publikimi i INSTAT që meriton përshendetje) numuri i femrave që hynë në moshën e punës është parashikuar 18631, ndërsa ai i fermave që dalin në pension do të jetë 19239 pra 608 më tepër. Kjo dukuri ka për të ndodhur edhe për meshkujt në vitin 2020. Pra Shqipëria sipas të dhënave të INSTAT ka hyrë në një stad të ri të zhvillimeve demografike, ku pas rënies të viteve të fundit popullsia që hyn në moshën e punës është më e pakët se sa ajo që del nga mosha e punës dhe hyn mbi moshën e punës.
Një situatë ka implikime të drejpërdrejta fiskale për gjithë buxhetin e shtetit (këto do të trajtohen në shkrimin në vijim) në deficitin e sigurimeve shoqërore, të ardhurat e pensionistëve , garantimin e indeksimit të tyre gjatë dekadës të viteve njëzet por për tregun e punës. Një situatë e tillë qoftë në kushtet e emigracionit neto të ndodhur vitet e fundit, për efekt të këtij faktori nuk mund të mos shoqërohet me rënien e normës së papunësisë, dhe jo thjesht me rënien e saj por me mungesa të plotësimit të tregut të punës me fuqi punëtore adekuate. Pra në vend të ditirambeve dhe mburrjeve se kemi normën më të ulët të papunësisë që prej 25 vitesh, 26 vjetësh, 27 vjetësh 28 vjetësh… ka ardhur koha të hidhen sytë në sfidat reale që kanë dukuritë demografike ku ata që hynë në moshën e punës janë më pak se ata mbi moshën e punës, që dalin në pension pakësimi i popullsisë etj. Më e pakta dhe fillestarja që mund të bëhet është sigurimi konsolidimi e garantimi i pavarësisë dhe rritja e integritet të INSTAT, duke e mbështetur dhe mundësuar që të mos punojë nën presionet e politikës, por ti mundësohet të zbatojë metoda bashkëkohore dhe të sakta të matjes së popullsisë dhe sidomos të emigracionit, imigracionit, migracionit neto, harmonizimin e tyre me të dhënat e shteteve të tjera për azilin politik dhe emigracionin, regjistrimin e popullsisë gjatë këtij viti dhe mbështetjen e zhvillimeve ekonomike mbi bazën e burimeve humane.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.