Turizmi në 2025, na mban Kosova, “mërziten” italianët, vijnë gjermanët dhe francezët - Business Magazine Albania

Turizmi në 2025, na mban Kosova, “mërziten” italianët, vijnë gjermanët dhe francezët

Shqiptarët e Kosovës mbetën grupi kryesor i turistëve në vend edhe gjatë 2025 dukë shënuar 4.66 milionë hyrje.

Pesha e tyre ndaj totalit prej 12.4 6 milionë hyrje ishte 37.4 për qind duke treguar edhe një herë kontributin që ka turizmi patriotik në këtë sektor në vendin tonë.

Të dhënat zyrtare të grupeve që kanë vizituar Shqipërinë sipas Lëvizjes së Shtetasve të publikuara nga INSTAT tregojnë se italianët mbetën grupi i dytë më i rëndësishëm me 1.29 milionë hyrje në vitin që lamë pas.

Kjo shënon një rritje 3.17 për qind në raport me vitin 2024. Ajo që vihet re është një ngadalësim i theksuar i rritjes së këtij grupi pasi në 2024 krahasuar me 2023 rritja ishte 31.5 për qind.

Turoperatorët thanë gjatë 2025-ës se një zbehje e italianëve sidomos gjatë verës ishte e dukshme dhe kjo lidhej me faktin që ata nuk e konsideronin më Shqipërinë një vend të lirë për pushime. Shtrenjtimi i disa rajoneve ku ky grup u përqendrua për pushime siç ishte pjesa e Jugut të Shqipërisë bëri që shumë prej tyre të anulonin rezervimet ose të ndryshonin destinacion.

Gjithsesi ata mbeten një grup i rëndësishëm për turizmin gjithëvjetor duke preferuar vizitat në fundjava në Tiranë apo Durrës si dhe në pjesën tjetër të vendit dhe duke eksploruar gjithmonë e më shumë pjesën kulinare dhe rurale të vendit nisur nga fakti që mbetemi ende një nga vendet me çmimet më të ulëta në restorante.

Lexo edhe: Kontratat e qirasë me akt noterial, detyrim regjistrimi në Kadastër

Në rënie gjatë vitit të shkuar ishin edhe polakët. Operatorët turistikë theksojnë se kjo rënie nuk vjen nga turizmi i organizuar i cili ndër vite ka qenë në rritje e po kështu kontratat ishin në rritje edhe ne 2025-ën. Rënia vjen nga turistët individual që nën promovimin e gjerë që pati Shqipëria tre vitet e fundit vendosën të eksploronin të vetëm.

Vitin e shkuar në vend hynë 288 mijë polakë që përbëjnë vetëm 2.8 për qind të peshës totale të turistëve. Po kështu në rënie ishin gjatë 2025-ës edhe turistët nga Turqia dhe Spanja.

Grupet në rritje

Gjermania dhe Franca janë dy grupet me rritje të turistëve në vendin tonë dhe kjo pritet të mbetet e njëjtë edhe gjatë këtij viti. Të dhënat zyrtare tregojnë se vitin e shkuar gjermanët patën një rritje 17.27 për qind duke shënuar një numër prej 452 mijë hyrjesh.

Ky është një grup turistësh që vjen në formë individuale por sidomos të organizuar në ture kulturore por edhe gjatë verës. Sa i i takon Francës rritja ishte 25.39 për qind në raport me një vit më parë duke shënuar 293 mijë. Franca pritet të vijojë rritjen edhe këtë vit madje për herë të parë operatorët turistikë ndërmjetësuan me strukturat akomoduese për ti sjellë me kontrata garancie në formë të organizuar gjatë kësaj vere.

Në rritje janë edhe hyrjet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku në vitin 2025 u regjistruan 241 mijë hyrje me një rritje rreth 8 për qind në raport me vitin paraardhës.

Shqipëria po vijon edhe gjatë këtij viti një promovim të gjerë në media ndërkombëtare dhe rrjete sociale por ky promovim nuk është i përmasave që vendi ka pasur në tre vitet e fundit. Ekspozimi i probleme të turizmit në rrjete sociale nga vizitorë që kanë ardhur në Shqipëri duket se ka bërë që përveç pjesës më të bukur të Shqipërisë të huajt të kenë rezerva edhe për problemet që kanë hasur sidomos sa i takon mbetjeve, infrastrukturës, kafshëve të braktisura, çmimeve jo dhe aq ekonomike sa pritshmëritë e tyre.

Gjatë 2026 operatorët e turizmit presin që rritja të vijojnë sa i takon vizitorëve por vëmendja duhet të kthehet tek marrja e masave për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë. Ngadalësimi i rritjes vit pas viti është një sinjal që masat duhet të merren janë urgjente.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0