Presidenti Donald Trump lëshoi një paralajmërim të ri për industrinë e teknologjisë, duke njoftuar se do të vendosë “tarifa mjaft të konsiderueshme” mbi importet e gjysmëpërçuesve. Por, sipas tij, kompanitë që zhvendosin prodhimin në SHBA mund të përjashtohen nga këto masa dhe Apple duket se është një prej përfituesve të mundshëm.
Gjatë një darke të mbajtur të enjten në Shtëpinë e Bardhë, ku morën pjesë disa prej figurave më të fuqishme të teknologjisë, Trump u tregua i prerë: “Do të vendosim tarifa shumë shpejt. Do të jenë mjaft të larta, dhe do të prekin kompanitë që nuk e sjellin prodhimin këtu, në SHBA.”
Presidenti përmendi drejtpërdrejt Tim Cook, shefin ekzekutiv të Apple, duke thënë se ai “do të jetë në një pozitë të mirë” përballë tarifave të reja.
Investimet e gjigantëve të teknologjisë në SHBA
Darkës i bashkohen emra të mëdhenj si Bill Gates, Mark Zuckerberg, Tim Cook dhe Sundar Pichai. Trump pyeti secilin për nivelin e investimeve në SHBA, duke vendosur theksin tek kërkesa e tij për “rikthimin e prodhimit në atdhe”.
Lexo edhe: Vjen në 2-3 tetor Future2Tech, panairi më i madh i inovacionit, teknologjisë dhe edukimit në vend!
Meta, sipas Zuckerberg, ka investuar 600 miliardë dollarë; Apple raportoi të njëjtën shumë, ndërsa Google premtoi 250 miliardë. Satya Nadella i Microsoft deklaroi se kompania investon deri në 80 miliardë dollarë çdo vit. Trump u tregua i kënaqur me shifrat: “Shumë mirë. Shumë e mirë.”
Apple, nga ana tjetër, tashmë është zotuar të shtojë edhe 100 miliardë dollarë investime në prodhimin vendas, përveç angazhimit ekzistues prej 500 miliardësh. Kjo e vë kompaninë në një pozitë më të sigurt përballë tarifave që Trump ka paralajmëruar.
Mungesa e bujshme e Elon Musk
Në listën e të ftuarve nuk ishte Elon Musk, dikur një aleat i afërt i Trump, i cili këtë vit pati një prishje të bujshme marrëdhëniesh me presidentin. Në vend të tij, në tryezë ishte Sam Altman, kreu i OpenAI dhe një rival i drejtpërdrejtë i Musk në fushën e inteligjencës artificiale.
Me këto zhvillime, duket qartë se administrata Trump po përgatitet të forcojë presionin ndaj industrisë globale të çipeve, duke synuar të detyrojë kompanitë e huaja të investojnë dhe prodhojnë brenda Shteteve të Bashkuara.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.