Trump ngrin 2 miliardë dollarë fonde për Harvard-in - Business Magazine Albania

Trump ngrin 2 miliardë dollarë fonde për Harvard-in

Administrata Trump ka njoftuar ngrirjen e mbi 2 miliardë dollarëve fonde federale për Universitetin e Harvard-it, vetëm disa orë pasi ky i fundit refuzoi një listë kërkesash të paraqitura nga Shtëpia e Bardhë. Në një deklaratë për shtyp, Departamenti i Arsimit e kritikoi ashpër vendimin e Harvard-it duke thënë se “deklarata e sotme e këtij universiteti forcon mendësinë problematike të privilegjit, e cila është e përhapur në universitetet më prestigjioze të vendit tonë”.

Lista e kërkesave, e dërguar javën e kaluar, sipas Shtëpisë së Bardhë kishte për qëllim luftimin e antisemitizmit në kampus dhe përfshinte ndryshime të thella në drejtim, praktikat e punësimit dhe procedurat e pranimit në universitet. Harvard e refuzoi zyrtarisht listën të hënën, duke deklaruar se Shtëpia e Bardhë po përpiqej të “kontrollonte” komunitetin e vet akademik. Ky është universiteti i parë i madh amerikan që sfidon hapur presionin e administratës Trump për ndryshim politikash.

Presidenti Donald Trump ka akuzuar universitetet elitare amerikane për dështimin në mbrojtjen e studentëve hebrenj, veçanërisht gjatë protestave kundër luftës në Gaza dhe mbështetjes amerikane për Izraelin vitin e kaluar. Në një letër drejtuar komunitetit të Harvard-it të hënën, Presidenti i këtij institucioni, Alan Garber, bëri të ditur se universiteti kishte marrë një listë të përditësuar dhe të zgjeruar të kërkesave të premten e kaluar, bashkë me një paralajmërim të qartë: universiteti duhet të pajtohej, përndryshe rrezikonte marrëdhënien financiare me qeverinë federale. “Njoftuam administratën përmes këshilltarit tonë ligjor se nuk do ta pranojmë këtë marrëveshje të propozuar,” shkroi Garber. “Universiteti nuk do të dorëzojë pavarësinë e tij dhe nuk do të heqë dorë nga të drejtat kushtetuese.”

Lexo edhe: Universitetet më të mira në botë për vitin 2025

Menjëherë pas publikimit të letrës, Departamenti i Arsimit njoftoi ngrirjen e 2.2 miliardë dollarëve në grante dhe 60 milionë dollarë në kontrata të tjera me Harvard-in.

Në mars, administrata Trump njoftoi se po shqyrtonte 256 milionë dollarë fonde aktuale dhe 8.7 miliardë dollarë grante afatgjata në Harvard. Profesorë të universitetit ngritën padi ndaj qeverisë, duke e akuzuar për shkelje të lirisë së fjalës dhe pavarësisë akademike. Ndërkohë, më herët administrata kishte ndërprerë 400 milionë dollarë fonde federale për Universitetin Columbia, duke e akuzuar se nuk kishte bërë mjaftueshëm për të mbrojtur studentët hebrenj. Columbia u detyrua të pranonte disa nga kërkesat e administratës, duke nxitur kritika nga studentë dhe pedagogë.

Burimi: BBC/ Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0