Tregti elektronike pa para fizike - Business Magazine Albania

Tregti elektronike pa para fizike

Tregti elektronike

Shkroi: Jonida Kellezi, Drejtore Marketingu në EasyPay

Analiza përse Shqipëria është ende një ekonomi e dominuar nga paraja fizike, është një analizë shumë e gjerë dhe ka disa faktorë të rëndësishëm që ndikojnë, ndër të cilat mund të veçojmë, edukimin financiar, përfshirjen financiare që është ende në nivel të ulët në vendin tonë, prezencën e gjerë të ekonomisë informale etj. Me ligjin e ri të pagesave që pritet të hyjë në zbatim në Shqipëri në fillim të vitit 2022, janë të gjitha kushtet që ky treg tashmë të zhvillohet. Ligji ri i pagesave do të sjellë pa diskutim perspektiva të reja për pagesat në vend, pasi ai bazohet në direktivën e PSD2 (Payment service directive 2) të Bashkimit Evropian, pasi ai inkurajon futjen e teknologjive të reja në fushën e pagesave dhe transfertave duke rregulluar më së miri praktikat ekzistuese në treg!

Viti 2020, përpos sfidave që solli në sektorët më të rëndësishëm për ekonominë dhe njerëzimin, krijoi mundësi të pafund për tregtinë elektronike (e-commerce). Dihet në fakt, që krizat janë mekanizmat e duhur për të ndikuar mbi sjelljet e konsumatorëve dhe, kriza e vitit të fundit përshpejtoi përdorimin e metodave të reja të pagesave edhe në vendin tonë. Megjithatë, konkurrenca e tregtarëve online në Shqipëri me metoda pagese të ndryshme nga Pagesa në Dërgesë, është e vështirë të gjendet. 

Ndaj, edhe mënyra më e mirë për të ulur përdorimin e pagesave me metodën Pagesë në Dërgesë, është ofrimi i pagesave digjitale alternative, si edhe inkurajimi i blerësve për t’i përdorur ato!

Çfarë do t’i largonte konsumatorët nga Pagesa në Dërgesë?

Pjesa dërrmuese e bizneseve shqiptare që kanë hapur kanalin digjital ofrojnë opsionin e Pagesës në Dërgesë. Kjo vërehet fare lehtë në faqet e tyre online, ku ky opsion është i listuar mes disa opsionesh pagesash. Ofrimi i kësaj metode pagese edhe nga ato sipërmarrje që lobojnë fort për largimin e pagesave me para në dorë, ka ardhur si nevojë pasi tek konsumatori shqiptar ende ekziston një mungesë besimi për kanalet e pagesave online.  

Nga njëra anë, “krijimi i besimit” është sfida më e madhe për suksesin e pagesave digjitale në e-commerce-in shqiptar dhe, rishitësit vendas duhet të kryejnë edukimin dhe ngrejnë besimin e klientelës së tyre për metodat e reja dhe alternative të pagesave.  Mirëpo, nga ana tjetër, një ngurrim i vazhdueshëm i tregut për pagesat alternative limiton konkurrencën e tregtarit në treg. Ndaj, edhe tregtarët vendas kanë pranuar të ofrojnë opsionin “pagesë në dërgesë”, ndërkohë që vijojnë të angazhohen në strategji të sinkronizuara bashkë me operatorët e pagesës për të kthyer metodat alternative të pagesave atraktive në treg. 

Në fakt, sa më të qëndrueshme të bëhen pagesat digjitale në tregun tonë dhe sa më i lartë të jetë numri i bizneseve që i ofrojnë ato si metoda pagese në portalet e tyre, aq më shumë gjasa ka që konsumatorët të inkurajohen për përdorimin e tyre!

Lexo: KONVENTA E IV-TË – SUKSESI ËSHTË QËLLIMI YT: Nxito rezervo vendin tënd, përfito nga çmimi me zbritje

Vëzhgim i shpejtë në sektorin e pagesave digjitale 

Rritja e tregtisë elektronike kërkon padyshim dhe zhvillimin e sektorit të pagesave online. Ndërkohë, përqindja e popullsisë me pak ose aspak akses në shërbime bankare sa vjen e po ulet. Gjatë vitit 2021, një sondazh i shpejtë te tregtarët e Tiranës, identifikoi se mesatarisht nga 5 shitje të kryera në ditë (online ose në dyqan), 3 prej tyre kryhen me karta bankare. Kjo është edhe arsyeja përse tregu i kartave është zhvilluar më tej për t’iu përshtatur nevojave të menaxhimit të buxhetit të klientëve, duke prezantuar gjatë viteve të fundit edhe kartat prepaid.

Paralelisht me zhvillimet e tregut të kartave, zhvillime dhe propozime të tjera pagesash ofrohen në treg, si alternativa të denja për të zëvendësuar Pagesën në Dërgesë. Në tregjet ndërkombëtare, PayPal ka qenë aktori më proaktiv dhe më i besueshëm për metodat e pagesave. Edhe megjithatë, PayPal ka hasur vështirësi në disa tregje globale, pasi vetëm disa banka ofronin shërbimin e kartave të tyre me PayPal, duke e përballur PayPal me limitime në aksesim të tregut të tij. PayFort nga Amazon, është një tjetër lojtar “kundra Pagesës në Dërgesë”, i cili ka prezantuar skemat e pagesës me voucher, nëpërmjet të cilit konsumatorët mund të paguajnë me para, por vetëm në momentin e kryerjes së porosisë online. Megjithëse kjo alternative nuk e “shpëton”  një tregtar nga pagesat me para fizike, ai ul ndjeshëm ciklet e pagesave dhe ndihmon në minimizimin e humbjeve të tregtarit.

Platformë të ngjashme me atë të PayFort, ka zhvilluar dhe hedhur në treg edhe EasyPay, në fillim të vitit 2021. Pagesë me Voucher / Pagesë tek pikat fizike EasyPay është një metodë alternative pagese për këdo që nuk ka para elektronike dhe dëshiron të paguajë me para për një produkt, shërbimin apo biletë eventi. Ky shërbim u zhvillua nga EasyPay me mbështetjen e Risi Albania pikërisht nga kërkesa e prodhuesve dhe artizanëve lokalë shqiptarë gjatë periudhës së karantinës, në pranverën e viti 2020 dhe avantazhet kryesore të saj janë shmangia e fenomenit “pagesë në dërgesë”, mbrojtja e bizneseve dhe minimizimi i ekonomisë informale në vend.  

Konsumatorët mund të përzgjedhin online produktin që dëshirojnë në një prej tregtarëve që kanë pranuar këtë metodë pagese nga Easypay; Pasi zgjedhin opsionin EasyPay, marrin një kod me të cilin ata mund të kryejnë pagesën në një prej +470 pikave fizike EasyPay kudo në Shqipëri dhe porosia vjen menjëherë pranë adresës së sinjalizuar.  

Whisbear.al është një nga platformat e reja e-commerce që përqafoi idenë e pagesës me voucher që në fillesat e saj. Platforma menaxhohet nga Manderina Promotions, agjenci marketingu digjital në Tiranë. 

Whisbear (ose Arushi Pëshpëritës) është një linjë kukullash prej pellushi me zhurmë, rozë, që ndihmon fëmijët nga 0-3 vjeç për një gjumë të qetë. Whisbear është një markë polake e certifikuar dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht për cilësinë, dizajnin dhe teknologjinë. Madje, është përdorur dhe dukesha Kate Middleton dhe Princi William i Britanisë së Madhe të cilë e kanë përdorur për fëmijët e tyre. Alma Gerxhani, bashkëppronare (ose ortake)  e Manderina shpk, thote se “Avantazhi ynë me www.whisbear.al është se duke patur një produkt unik mund t’i drejtojme blerësit drejt pagesave dixhitale. Megjithëse  rezistenca nga ana e klientit është e madhe, me një shërbim të  dedikuar ndaj klientit, kemi arritur paksa t’i edukojmë që të bëjnë një rezervim online. Për tregun kosovar dhe maqedonas kemi ofruar vetëm pagesa dixhitale. Së shpejti do të hedhim online edhe dy platforma të reja e-commerce duke pasuruar ofertën online për konsumatorët shqiptarë”. 

Numri i kompanive vendase që po ndjekin shembullin e Manderina shpk, duke shtuar metodat e reja të pagesave me EasyPay po shtohen dita ditës, ndër disa mund të përmendim: Turtle fest, Southoutdoor festival, Trail running në Voskopojë, TEDxTirana, Tirana Photo Festival  dhe së fundmi Maratona e Tiranës 2021. 

Lexo: Miliona telefona Android janë infektuar me këtë malware të ri të rrezikshëm

Si të nxisim pagesat elektronike?

Për të edukuar tregun dhe për t’i nxitur ata të zgjedhin një metodë pagese digjitale ndaj metodës tradicionale, kërkohet strategji dhe teknika proaktive nga ana e tregtarëve dhe ofruesëve të pagesave njëherazi.

Nga këndvështrimi i marketingut, tregtarët mund të vendosin një tarifë / komision më të lartë për pagesat në dërgesë; oferta apo bonuse të tjera për të favorizuar kanalet digjitale të pagesave etj. Megjithatë, theksimi te siguria e të dhënave personale të blerësve dhe transparenca me ta mbetet thelbësore për të fituar besimin e tyre. Kjo vjen si domosdoshmëri pasi për aq kohë sa Pagesa në Dërgesë do të jetë një opsion në treg, do të jetë pikërisht siguria që do t’i çojë klientët gjithmonë drejt kësaj zgjedhjeje. 

Patjetër që, me kalimin e kohës, besimi i konsumatorëve në pagesat digjitale do të rritet, mirëpo kompanitë e bizneset të cilët investojnë në krijimin e besimit tek klientët e tyre qysh në fazat e para të prezantimit të pagesave alternative në treg, do të jenë ata që do të fitojnë më shumë nga zhvillimi i tyre dhe do të shijojnë një tregti elektronike pa para fizike!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0