Shkruar nga Nada Dosti, kontributore
Gjatë periudhës së pandemisë, dukshëm dolën në modë “lojrat e tryezës”. Sipas NPD Group ( Kërkim Tregu dhe Trendet e Konsumatorit) vetëm 3 javë pas daljes së serialit “The Queen’s Gambit” në Amerikë shitjet e lojës së shahut u rritën me 87%, ndërsa shitjet mbi librat e shahut me një shifër marramendëse prej 603%. Shifra të paimagjinueshme dhe një ndikim i paparë vetëm falë një seriali. Megjithatë, duke pasur si personazh kryesor një grua, seriali në fjalë na përcjell shumë mesime jete të vlefshme.
Për ata që nuk e kanë parë, personazhi kryesor Beth Harmon, e cila është një vajzë jetime me një të kaluar të trazuar, e mori lojën e shahut me aq lehtësi dhe vendosmëri, saqë e ktheu në pasionin e saj më të madh. Skenat janë magjepsëse, ashtu sikurse guximi i saj për t’u përballur me një sport të mbizotëruar nga meshkujt.
Ja disa reflektime nga filmi në fjalë:
1.Ktheji fatkeqësitë e jetës në armën tënde më të fortë
Si qenie njerëzore, ne nuk kemi gjithmonë aftësinë për të ditur se çfarë jemi në gjendje të arrijmë në jetë dhe ndonjëherë, ose më mirë “shpeshherë” e bombardojmë veten me dyshime të shumta. Eshtë e natyrshme që ne të bëhemi viktimë e rrethanave nga e kaluara jonë ose për shkak të sfidave të ndryshme që aktualisht na rrethojnë. Por, nëse jemi në gjendje t’i kthejmë këto sfida në favorin tonë mund të përmbushim gjëra të mëdha. Edhe pse shumica e njerëzve dështojnë pikërisht në këtë pikë: mallkojnë kushtet e tyre dhe ua vënë fajin rrethanave, por në fakt, faji qëndron tek një karakter i dobët, i cili nuk ka fuqinë e duhur për të parë anët pozitive dhe për të përfituar nga situatat e favorshme.
Artikulli u publikua më parë në faqen 76 të numrit 26 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.
- Rrethoje veten me njerëz që të mbështesin
Jolene, një tjetër jetime, e cila e ndihmon Beth-in gjatë përshtatjes në jetimore, kthehet në shoqen e saj më të ngushtë. Edhe pse e humbasin njëra-tjetrën, pas shumë vitesh ritakohen duke përjetuar kështu atë lidhje aq të fortë miqësore që nuk ishte zbehur aspak edhe me kalimin e kohës.
Në një skenë ajo i drejtohet Bethit me këto fjalë mbresëlënëse: “Ne nuk ishim jetime, për aq kohë sa kishim njëra-tjetrën. Unë nuk jam engjëlli yt mbrojtës. As nuk jam këtu për të të shpëtuar. Dreqi ta hajë! Mezi po shpëtoj veten time. Por, jam këtu sepse ti ke nevojë që unë të jem këtu pranë teje”.
Rrugëtimi i jetës së Beth ishte një rrugëtim plot tragjedi, megjithatë ajo vazhdimisht e gjeti veten të rrethuar nga njerëz që e mbështesnin, që besuan tek ajo dhe që i dhanë asaj forcën e duhur për t’u përballur me kundërshtarët e saj.
Në jetë, por edhe në biznes, ky është një ndër çelsat kryesor të suksesit.
Eshtë e lehtë të gjesh mbështetës kur punët shkojnë mirë, por është pikërisht në kohëra të vështira që njihen mbështetësit e vërtetë.
- Pranoje ndihmën me dinjitet dhe mirënjohje
Gjatë trajnimeve të ndyrshme që kam dhënë, gjatë pjesmarrjes në fushata të ndryshme për fuqizimin e grave dhe sidomos gjatë vullnetarizmit tim si mentore për të mbështetur vajza të reja, vazhdimisht has një farë stepje dhe në rastin më ekstrem një refuzim të çuditshëm, nga vajza dhe gra, për të pranuar ndihmën nga gra të tjera gjatë përmbushjes së objektivave të tyre. Duke qenë nën presionin e vazhdueshëm që shoqëria jonë me frymë pozitiviste dhe me këtë “modën” e imazhit të super grave, të cilat mund t’ia dalin vetëm në çdo gjë, e refuzojnë çdo lloj mbështetje. Synimi i tyre është të arrijnë tek suksesi vetë, të luftojnë të vetme, që më pas t’i tregojnë Botës se “Ja! Ia dola vetëm”. Por, sa e shëndetshme është t’i luftosh të gjitha betejat e vetme dhe t’i kapërcesh të gjitha sfidat pa asnjë lloj ndihme? Sa mund t’ia dalin deri në fund me këtë lloj mendësie? Po nëse dështojnë? Atëherë, dështimet mund të kthehen në frustrime duke lënë pasoja të rënda.
Ndërsa kampionet e vërteta, jo vetëm që e çojnë peshë njëra-tjetrën, por janë të gatshme të japin dhe të mirëpresin ndihmën, madje e pranojnë atë me krenari dhe dinjitet. Quajeni “mastermind” ose si të doni, mirëpo nuk ka asgjë të keqe dhe nuk nënkupton domosdoshmërisht dobësi nëse pranon ndihmën e të tjerëve për të realizuar objektivat tuaja.
4. Duhet gjithmonë një Plan B.
Një moment epik është çasti kur Beth i drejtoi një djaloshi të vogël pyetjen një milion dollarëshe: “Nëse do arrish të bëhesh kampion Botë në moshën 16 vjeçare, çfarë do bësh më pas me jetën tënde?” Pyetje, e cila e la vogëlushin të shashtisur dhe të hutuar dhe besoj se kjo vlen edhe për audiencën e kujdsshme.
Nënndërgjegjia jonë është gjithmonë aktive dhe ndjek në mënyrë aktive ëndrrat tona. Kur përpilojmë një tabelë vizioni (vision board) ose vendosim qëllime për të ardhmen tonë, një pjesë e jona do shkojë pas këtyre ëndrrave. Megjithatë, suksesi qëndron pikërisht tek të dhënurit përgjigje kësaj pyetjeje. E famshmja pyetje “PSE”, të cilës i famshmi Simon Sinek i ka dedikuar një libër të tërë këtij nocioni sa të thjeshtë aq edhe i rëndësishëm për arritjen e çdo qëllimi “Fillo me Pse”.
Nëse për shembull si datë të fundit dorëzimi të një projekti kemi një ditë të vetme, a do ta nisim ditën me qëllim që të përfundojmë këtë projekt apo do ta zvarrisim atë me metoda nga më të ndryshme prokrastinimi, duke e shtyrë për deri në moment të fundit?
5. Besimi tek intuita
Intuita jonë është një tipar që na është mbjellur për një arsye madhore.
E vetmja mënyrë për të ditur cilën lëvizje duhet të bëjmë më tej është ta zbulojmë brenda nesh. Megjithatë, jemi vetë ne ata që zakonisht priremi ta lëmë mënjanë, ta errësojmë me kritikat e të tjerëve apo ta mbysim me pasiguritë tona. Duke vepruar kështu, rrezikojmë ta zgjasim rrugëtimin tonë duke e kushtëzuar veten dhe si rrjedhojë duke e kufizuar dhe suksesin tonë.
Në vend të kësaj, herën tjetër kur duhet të merret një vendim, mjafton të marrim frymë thellë, të mbyllim sytë për një çast dhe përsëri, ta pyesim veten se çfarë lëvizje duhet të bëjmë. Ashtu sikurse edhe vetë Beth arrinte të projektonte të gjithë skenarin e mundshëm të lëvizjeve të saj në një tabelë shahu lart në mur…
Dhe kur ai zë i largët i nënvetëdijes tonë të na tregojë lëvizjen e duhur, duhet ta mirëpresim dhe ta përdorim si udhërrëfyes për vendimet tona, duke shtuar këtu edhe hapa konkrete që duhen ndërrmarrë në atë drejtim.
Artikulli u publikua më parë në faqen 76 të numrit 26 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Siguroni këtu nr. 26 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.