Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës shtetërore në Japoni ka takuar përfaqësues të lartë të kompanisë më të madhe automobilistike në botë “Toyota”.
Sipas një komunikate për media, në takimin me zëvendëspresidentin ekzekutiv të Korporatës Toyota, Mitsuru Kawai dhe menaxhmentin e fabrikës së prodhimit në Toyota City, Thaçi, ka kërkuar nga ta që të shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit të tregut në Kosovë dhe përmes saj në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Europës.
Lexo: Toyota do të përdorë robotë në lojërat Olimpike të Tokios
“Ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të biseduar për mundësinë e zgjerimit të tregut të Toyotës në Kosovë. Në jemi vend i sigurt për investime, me ligje europiane dhe fuqi punëtore të talentuar. Pas kësaj vizite do të kemi takime tjera për të thelluar këtë bashkëpunim”, ka thënë ai.
Sipas tij, në këtë takim është mirëpritur ideja për krijimin e një qendre të bizneseve japoneze në Kosovë. Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti ekzekutiv i Korporatës Toyota, Mitsuru Kawai ka mirëpritur idenë për të konsideruar mundësinë e bashkëpunimit me Kosovën. Ai ka theksuar se fillimisht duhet të rritet numri i përdoruesve. “Prandaj misioni i parë dhe kërkesa për popullin e Kosovës është që të vozisin sa më shumë Toyota”, ka shtuar ai.
Gjatë vizitës në Japoni, Thaçit i është organizuar një vizitë në tempujt e vjetër të qytetit të Kyotos. Ai po ashtu ka takuar dy studentë kosovarë, të cilat janë duke studiuar në Osaka dhe Kyoto.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.